Maqedonia në humnerë!

Opinione

Maqedonia në humnerë!

Nga: Prof.dr. Mersel Bilalli Më: 10 gusht 2022 Në ora: 19:46
Mersel Bilalli

“Maqedonia e Veriut është një vend i mallkuar”, më thotë shpesh një mik i imi, “andaj vështirë ndodhin gjëra favore”. Realisht, nga 16 vende të Europës Lindore dhe Juglindore, Maqedonia e Veriut ishte e dyta me zhvillim në rajon, pas Sllovenisë. Edhe pas 32 vjetësh, ajo vazhdon t’i gjason një fëmije të lindur me të meta fizike dhe psikike, saqë më edhe prindërit е sај ndjehen të lodhur dhe deprimuar. Fatkeqësisht, ky shtet, edhe pas kaq vitesh pavarësi, ende vuan nga sëmundjet e fëmijërisë. VMRO-ja ka një kod mental të lindur, shovinist, negativ dhe grindavec, si zëvendësim të normales, dhe ajo mban pjesë më të madhe të barrës për gjendjen kaotike në shtet (pa amnistuar edhe parti tjera, të cilat vetëm retorikën e kanë pak më të mirë). Ata nuk kanë as njohuri bazë se çfarë do të thotë të ofrosh një program të operacionalizuar zhvillimi ekonomik, me të cilin normalisht do ta fitonin pushtetin. Në mungesë të kësaj, gjatë gjithë kohës ata e “shpëtojnë” vendin e kërcënuar nga askush! Shpikin komplote të ndryshme botërore, rajonale dhe të brendshme, që në fokus paskan Maqedoninë e Veriut! Ajo parti, në kuptimin e plotë, deri më sot nuk ka zgjidhur asnjë çështje të rëndësishme politike.

Në fillim, pas pavarësimit, nuk donin shqiptarë në qeveri! Pastaj, për një vit, e bllokuan konstituimin e komunave në Tetovë dhe Gostivar. Tri vjet më vonë, ata organizuan një marshim 46-ditor kundër idesë së qeverisë së atëhershme për ngritjen e një fakulteti të pedagogjisë në gjuhën shqipe. Në vitin 2008 u refuzua shansi i artë që vetëm me një ndryshim kozmetik në emrin “Republika e Maqedonisë”, të shtohet fjala “Shkup” në kllapa, që ajo të bëhej anëtare e NATO-s dhe të fillojë negociatat me BE-në! Më vonë, me ndihmën e historisë së trilluar, na kthyen në një gjumë nga lashtësia, e u desh të zgjoheshim të përgjakur më 27 prill. Përsëri situatën e shpëtuan disa “armiq” nga Brukseli dhe Uashingtoni. Çmenduria politike e VMRO-së vazhdoi me Marrëveshjen e Prespës, kur shteti sërish u soll buzë greminës. Mezi e shpëtuan sërish disa “armiq të jashtëm”!

Aksioni i tyre kaotik vazhdon edhe tani, duke prerë degën kryesore ku shtrihet i gjithë vendi! Me gënjeshtra, trillime dhe manipulime të rënda krijuan një atmosferë se shpëtimtarët kryesorë të këtij shteti qenkan armiqtë kryesorë të saj! Gjuha, identiteti, dinjiteti, korniza e negociatave, protokolli dhe gjithçka që lidhet me këtë temë qenkan produkte të djallit! Udhëheqja e VMRO-së sërish i ka hipur mbrapsht një kali të tërbuar dhe shkon drejt një kanioni të rrezikshëm! Së shpejti do i shohin rezultatet e lojërave që u takojnë vetëm të mëdhenjve. Kremlinit, nëse nuk ia keni kryer punën, vendin e keni apriori vet në kanion. Fatkeqësisht, në fushatën antiperëndimore tani u përfshin edhe shumë njerëz që konsideroheshin se kishin pak mendje e arsye, por ndoshta dukati është më i fortë se mendja dhe arsyeja. Natyrisht, sallatës ruse i mungonte shija e mirë, kështu që ndoshta kjo është arsyeja pse dikush duhej të angazhonte intelektualë, ish-politikanë, organizata joqeveritare etj. Kështu, sikur sallatës ruse iu dha njëfarë shije, por e cila në fakt ishte vetëm një helm. Tani dihet se kjo fushatë është e dirigjuar nga boshti Moskë-Budapest-Shkup. Është çështje kohe se kur shumë gjëra do jenë në sy. Dhe, mos të çuditemi nëse një ditë do të shpërthejë një tym i zi nga “pallati i bardhë”. Është e dëshmuar se politikanë me çmim të lirë krijojnë kosto të shtrenjta.

Gjithçka luhet për të keqen, edhe atë me shumë mjeshtëri. Teza se Bullgaria, e cila reciprokisht nuk e njeh pakicën maqedonase, por që kërkon që te ne të përfshihet pakica bullgare në Kushtetutë, tingëllon mjaft joshëse dhe logjike! Por, le ta pyesin veten pak. Pse për këtë nuk insiston as një Turqi e fortë, e cila është fuqia e pestë në botë për nga fuqia ushtarake, kur mbi 17 për qind turq jetojnë në Bullgari?! Këtu duhet gishti në kokë! Përgjigja qëndron te pragma politike, e cila është alfa dhe omega në politikë, e që për fat të keq te ne është një ekuacion me shumë të panjohura! Ne prej vitesh veprojmë në stilin “çfarë në mendje, atë në oborr” dhe përfundojmë gjithmonë në ndonjë kanal me ujëra të zeza! Udhëheqja aktuale e VMRO-së duket se ose fluturon mbi mjegulla ose ecë përmes mjegullave të zeza e të dendura në tokë! Dhe, në ato fluturime të rrezikshme ata e marrin edhe shtetin! Nëse nuk e dinë se çfarë është politika dhe shteti, le të përshëndeten me të dyja, të paktën do ishte një meritë e tyre e logjikshme. Sot në VMRO mund të numërojmë një duzinë njerëzish që janë politikanë të shkëlqyer dhe që dinë të notojnë në ujërat e egra dhe që, për fat të keq, ende nuk janë në asnjë lojë. Por, duket se koha e tyre po vjen. Dielli i tyre tani po lind, ndërsa ky i të tanishmi po perëndon? Atëherë VMRO-ja do të bëhet edhe qeveri, madje e dëshiruar nga shumë qytetarë. Por, kjo nuk është e mundur me një orkestër të tillë politike të drejtuar nga një violinë e parë e thyer dhe shumë bori të zhurmshme!

Mund të ketë mijëra justifikime, por ka vetëm një të vërtetë – Maqedonia e Veriut definitivisht nuk e arsyeton ekzistencën e saj, pasi faktorët themelorë nuk posedojnë kapacitet shtetëror. Politikanët bëhen shtetarë kur e shpëtojnë vendin dhe popullin e tyre, madje duke e djegur vetveten. Franklin Roosevelt-i nuk e kishte aspak të lehtë t’i kundërvihej gjithë disponimit izolues amerikan për të tërhequr SHBA-në në një luftë kundër fashizmit, ku miliona të rinj vdiqën në emër të paqes botërore. De Golit iu desh t’ia jepte pavarësinë Algjerisë, edhe pse rrezikoi dy herë jetën e tij. Sadati dhe Begini ranë dakord për negociata të vështira të ndërmjetësuara nga Jimmy Carter, madje i pari humbi jetën për shkak të saj! Vuçiqi po përgatit terrenin për një zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës. Dhe, shembuj të panumërt vendimesh të guximshme. Ndërkaq, VMRO-ja e identifikon veten me qyqarë e frikacakë. Asnjë vendim politik i shëndoshë nuk ka lidhje me këtë parti. Madje, as tani, kur e kanë më vështirë të pajtohemi me bullgarët për të kaluarën e errët sesa për të ardhmen e ndritur! Në vendime të vështira jeni ose burrë shteti ose frikacak. Nuk të tretë. Madje, paturpësisht hidhej etiketë shoviniste se e gjithë kjo u bëka për Shqipërinë, kur në fakt ky shtet mbeti peng i turpeve të këtuhit.

Çka mund të sjellë referendumi?

Referendumi është gjë e kotë. Vështirë të organizohet me kapacitet obligativ, pasi ka pengesa ligjore, por efektet e tij do të jenë të politikës ditore. Përndryshe, Maqedonia e Veriut do të dëshmojë se nuk mund të ekzistojë. Patronët e ruajtën në kohën kur shtetet fqinjë të saj ishin të armiqësuar, por sot shpërbërja e këtij shteti, që s’e do jetën, mund të bëhet fare lehtë. Lojtarëve të mëdhenj të botës tani u digjen nën këmbë për probleme madhore. Nuk mund dhe s’do duan të merren gjatë me ne. Nëse Mickovski mendon se kështu do t’i fitojë zgjedhjet, dikush duhet t’i thotë se do ta humbë shtetin. Në politikë, gjërat nuk shkojnë sipas mendjes së disa njerëzve sklerotikë, edhe nëse quhen akademikë, që mendojnë se planeti është krijuar për shkak të maqedonasve. U pa se sa prej tyre kishin hipur kalit të Trojës me rastin e Marrëveshjes së Prespës! Fatkeqësisht, ende vetëm në Maqedoninë e Veriut dhe në Korenë e Veriut, një akademik, pa e ditur se për çfarë bëhet fjalë, shpall “tradhtarë”, një term që në botën normale është hedhur prej kohësh në koshin e plehrave.

Mesazhet për të marrë të mbarën vijnë edhe nga Serbia. Të paktën le të dëgjojnë Vuçiqin, i cili ka njëqind herë më shumë arsye për të qenë me Moskën, i cili maqedonasit “si vëllezër i lut” që ta drejtojnë timonin drejt Brukselit, sepse është e rëndësishme “të vendosen vagonetat në binarët europianë dhe atëherë problemet do të zgjidhen një nga një”, nga stacioni në stacion, si për të gjithë të tjerët.

Dorën në zemër, shqiptarët gjithherë ki kanë pranuar sinjalet perëndimore për ruajtjen e këtij shteti. Por, nëse vet aktori natyror i këtij shteti s’e do këtë, përse shqiptarët do të duhet ta mbajnë atë brengë?! Parti të bllokut maqedonas në këto 30 vjet, në emër të një lloj “krenarie” kombëtare, e kanë dëmtuar shtetin, por edhe neve si popullatë shqiptare, e cila tanimë është e përgjysmuar në këtë shtet. Andaj, nëse vazhdohet me të vjetrën, është humbje kohe dhe çdo humbje tjetër nëse ne vazhdojmë akoma dhe me çdo kusht ta shpëtojmë shtetin që dëshiron të vetëvritet. George Chapman-i do të thoshte se: “Kur loja me krenarinë dhe kokëlartësinë të udhëheq, humbja kokulur pa shmangshëm të ndjekë”

E gjithë bota po ecën përpara, pos Maqedonisë!

Derisa ne humbim kohë me historinë, edhe viset primitive e kanë përqafuar të ardhmen. Edhe Afrika e egër ka ndryshuar, por ne assesi jo! Sot atje ka brende të forta botërore – “Russell Company”, si pjesë e “London Stock Exchange Group”, zinxhiri i famshëm botëror “Walmart-Massmart”, si dhe gjigantët “IBM”, “Bharti Airtel”, e shumë liderët ekonomikë botërorë që janë një lokomotivë moderne për një Afrikë tjetër. Edhe Gana, edhe Botsvana, edhe Mozambiku, edhe Angola, edhe Tanzania, madje edhe një Etiopi, tani janë bërë shtete normale, kurse ne jemi përgjithmonë të bllokuar në kthetrat e njëfarë patriotizmi primitiv. Edhe në afërsinë tonë po ndodhin ndryshime të fuqishme. Paga mesatare në Serbi tani është rreth 650 euro, kurse në vitin 2000, kur rroga mesatare në vendin tonë ishte rreth 220 marka gjermane, në Serbi ishte vetëm 47 marka, sepse duhej paguar çmimi i patriotizmit të rremë të Millosheviqit. Tani ata po zgjidhin probleme njëqind herë më të vështira se tonat. Kushdo që priste që në politikë të rridhte vetëm mjaltë dhe qumësht, ndoshta do të duhej të ishte bletar ose bari, por jo politikan.

Ne duhet ta mendojmë seriozisht se a do vazhdojmë edhe më tej ta humbim kohën dhe popullin me këso kodi të prishur mental. Askush nuk ka nevojë të fshihet pas Parisit për të parë Moskën. Edhe kjo politikisht është legjitime, por kërkon logjikë për atë që quhet interes i përgjithshëm. Jo të gjithë duan të udhëtojnë për Moskë! Nëse ndokush, që thirret në rrezikim të identitetit të vet ose asimilimit, dëshiron të shkojë në Moskë, ajo është një zgjidhje natyrale e tij, por jo domosdoshmërisht atje të shkojnë edhe ata që s’duan. Ato forca me mjeshtri fshihen pas gjuhës dhe identitetit. Por, ja që me kushtetutën tonë, gjuha e komunitetit shqiptar ka 22 vjet që quhet gjuha e bashkësisë etnike që është së paku 20 për qind”. Megjithatë, askush nuk u asimilua. Epo, a nuk duhet të kishit marrë mësim nga gënjeshtra të tipit “nëse gjyshet plaka nuk mësojnë shqip, do të gjobiten me 5000 euro ose me burg”!!! Duket se opozita po e shet problemin e saj personal se nuk e arrin dot pekmezin e qeverisë si e keqe kombëtare! Dhe, natyrshëm, atëherë ju jeni duke jetuar me dreqin e zi, e pastaj normal që shejtanët do t’i fërkojnë duart. Le ta pyesë veten çdokush që ndihet normal, se a ndjehet më pak maqedonas pas Marrëveshjes së Prespës? Përkundrazi, tashmë gjithçka është relaksuar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat