Kosova - njohja ndërkombëtare e saj

Opinione

Kosova - njohja ndërkombëtare e saj

Nga: Xhelal Zejneli Më: 13 gusht 2022 Në ora: 06:44
Xhelal Zejneli

Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, u dërguan letra në drejtim të të gjitha qeverive të botës për njohjen e saj. Njohjet e para filluan menjëherë pas disa orësh, ndërsa më 18 shkurt 2008, Afganistani ishte shteti i parë që njohu Kosovën shtet të pavarur. I pari politikan që e vizitoi Kosovën ishte ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bild (Nils Daniel Carl Bildt, 1949-). Ai erdhi në Kosovë më 8 mars 2008.

Deri më 4 shtator 2020, prej 193 shteteve - anëtare të OKB-së, Republikën e Kosovës e kanë njohur 116 shtete dhe 3 shtete që nuk janë anëtare të OKB-së. Prej 28 shteteve të Bashkimit Evropian, Kosovën e kanë njohur 23 prej tyre. Anëtarët e BE-së vendosin vetë se a do ta njohin Kosovën. Për të siguruar paqen dhe mbikëqyrjen e jashtme, BE-ja e ka vendosur në Kosovë misionin EULEX. Prej 29 shteteve anëtare të NATO-s, Kosovën e kanë njohur 24 sish.

* * *

Tre shtete, anëtare të përhershme të Këshillimit të Sigurimit të OKB-së – ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Rusia e ka kundërshtuar dhe e ka quajtur akt ilegal, Kina ndërkaq ka shprehur “brengosje”. Me 15 maj 2008, Rusia, Kina dhe India lëshuan një deklaratë të përbashkët me të cilën autoritetet e Beogradit dhe të Prishtinës i ftojnë në bisedime të reja.

* * *

Më 15 gusht 2008, ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili në vitet 2012-2013 ishte kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiq (1975-), i paraqiti kërkesë zyrtare OKB-së, për të marrë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në seancën e mbajtur në shtator të vitit 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mori vendim që çështjen ta çojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Më 22 korrik 2010, GJND-ja vendosi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, as me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Më 7 shkurt 2013, Parlamenti Evropian në Strasburg miratoi një rezolutë për Kosovën. Me këtë, ndërmjet BE-së dhe Kosovës u hap rruga e marrëveshjes për stabilizim- asociim. Në dokumentin për Kosovën të paraqitur para Komitetit për Politikë të Jashtme të PE-së nga euro-deputetja Ulrike Lunaçek (Ulrike Lunacek, 1957-) thuhet se BE-ja mund të lidhë me Kosovën marrëveshje për stabilizim-asociim, edhe pse pesë vende të Unionit nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Kjo politikane austriake deklaroi se ndarja e Kosovës nuk mund të pranohet. Projektrezoluta u bën thirrje pesë anëtarëve të BE-së që ta pranojnë shtetin e ri.

Dokumenti parashikon që Serbisë t’i jepet data e negociatave për anëtarësim në BE, me kusht që Beogradi t’i plotësojë kushtet themelore dhe ta vazhdojë procesin e reformave. Një prej kushteve të integrimit të saj është edhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Pavarësia e Kosovës është njohur:

- nga 116 prej gjithsej 193 shtete anëtare të OKB-së, apo nga 55.95% e tyre;

- nga 3 (prej gjithsej 5) shtete, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, apo nga 60% e tyre;

- nga 5 (prej gjithsej 10) shtete, anëtare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, apo nga 50% e tyre. (Vlen për kohën kur është shpallur pavarësia);

- nga 23 (prej gjithsej 28) shtete të Bashkimit Evropian, apo nga 82.14% e tyre;

- nga 26 (prej gjithsej 30) shtete të NATO-s, apo nga 85.71% e tyre;

- nga 36 (prej gjithsej 56) shtete të OSBE-s, apo nga 64.29% e tyre;

- nga 34 (prej gjithsej 47) shtete të Këshillit të Evropës, apo nga 72.34% e tyre;

- nga 32 (prej gjithsej 57) shtete të Konferencës Islamike, apo nga 63.16% e tyre;

- nga 10 (prej gjithsej 22) shtete të Lidhjes Arabe, apo nga më pak se 50% e tyre;

- nga të gjitha vendet e forumit politik ndërqeveritar, i njohur si Grupi 7 (G7) – Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, ShBA-ja.

Shtetet që e kanë njohur deri më tani Kosovën përbëjnë 72.53% të produktit të brendshëm bruto (PBB) në shkallë botërore.

* * *

Shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur (renditja sipas datës së njohjes):

(18.02.2018); Kosta-Rika (18.02.2018); Shqipëria (18.02.2018, përkatësisht më 21.10.1991); Mbretëria e Bashkuar (18.02.2018); ShBA-ja (18.02.2018); Franca (18.02.2018); Turqia (18.02.2018); Australia (19.02.2018); Senegali (19.02.2018); Gjermania (20.02.2018); Letonia (20.02.2018); Estonia (21.02.2018); Italia (21.02.2018); Danimarka (21.02.2018); Luksemburgu (21.02.2018); Peru (22.02.2018); Belgjika (25.02.2018); Polonia (26.02.2018); Zvicra (27.02.2018); Austria (27.02.2018); Irlanda (29.02.2018); Suedia (04.03.2018); Holanda (04.03.2018); Islanda (05.03.2018); Sllovenia (05.03.2018); Finlanda (07.03.2018); Japonia (18.03.2018); Kanadaja (18.03.2018); Monako (19.03.2018); Hungaria (19.03.2018); Kroacia (19.03.2018); Bullgaria (20.03.2018); Lihtenshtajni (25.03.2018); Koreja e Jugut (28.03.2018); Norvegjia (28.03.2018); Ishujt Marshall (17.04.2008); Nauru (23.04.2008); Burkina-Faso (24.04.2008); Lituania (06.05.2008); San-Marino (11.05.2008); Republika Çeke (21.05.2008); Liberia (30.05.2008); Sierra-Leone (13.06.2008); Kolumbia (07.08.2008); Belize (07.08.2008); Malta (21.08.2008); Samoa (15.09.2008); Portugalia (07.10.2008); Mali i Zi (09.10.2008); Maqedonia e Veriut (09.10.2008); Emiratet e Bashkuara Arabe (14.10.2008); Malajzia (30.10.2008); Mikronezia (15.12.2008); Panamaja (16.01.2009); Maldivet (19.02.2009); Palau (09.03.2009); Gambia (07.04.2009); Arabia Saudite (20.04.2009); Komoros (18.05.2009); Bahrejni (19.05.2009); Jordania (07.07.2009); Republika Dominikane (10.07.2009); Zelanda e Re (09.11.2009); Malevia/Malavi (16.12.2009); Mauritania (12.01.2010); Suazilendi (12.04.2010); Vanatu (28.04.2010); Xhibuti (11.05.2010); Somalia (19.05.2010); Hondurasi (03.09.2010); Kiribati (21.10.2010); Tuvalu (18.11.2010); Katari (04.01.2011); Guineja-Bisao (10.01.2011); Omani (04.02.2011); Andora (08.06.2011); Guineja (12.08.2011); Nigeri (16.08.2011); Benini (17.08.2011); Shën-Lucia (19.08.2011); Gaboni (09.09.2011); Bregu i Fildishtë (21.09.2011); Kuvajti (11.10.2011); Gana (23.01.2012); Haiti (10.02.2012); Brunei (25.04.2012); Çadi (01.06.2012); Papua Guineja e Re (03.10.2012); Burundi (16.10.2012); Timori Lindor (09.11.2012); Saint Kits dhe Nevis (14.11.2012); Fixhi (14.11.2012); Dominika (11.12.2012); Pakistani (24.12.2012); Guajana (16.03.2013); Tanzania (05.06.2013); Jemeni (1.06.2013); Egjipti (26.06.2013); Grenada (25.09.2013); Libia (25.09.2013); Tajlanda (26.09.2013); El-Salvadori (04.10.2013); Tonga (15.01.2014); Lezoto (11.02.2014); Ishujt Solomon (13.08.2014); Antigua dhe Barbadosi (20.05.2015); Surinami (08.07.2016); Singapori (01.12.2016); Bangladeshi (27.02.2017); Madagaskari (25.11.2017); Barbadosi (15.02.2018); Izraeli (04.09.2020)

* * *

Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën (renditja sipas alfabetit)

Afrika e Jugut, Angola, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Bosnja dhe Hercegovina, Brazili, Ekuadori, Filipinet, Greqia, Gjeorgjia, India, Kazakistani, Kina, Kirgizia, Kongo (Republika Demokratike), Koreja e Veriut, Kuba, Laosi, Meksika, Moldavia, Maroku, Palestina, (shtet vëzhguese në OKB), Qiproja, Rusia, Serbia, Sllovakia, Spanja, Sri-Lanka, Taxhikistani, Ukraina, Uruguai, Uzbekistani, Venezuela, Vietnami.

* * *

Kosova dhe organizatat qeveritare ndërkombëtare

Këshilli i Sigurimit i OKB-së – prej pesë anëtarëve të përhershëm të KS të OKB-së, ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Rusia si anëtare e përhershme e KS të OKB-së, e kundërshton pavarësinë e Kosovës. Një prej pesë anëtarëve të KS të OKB-së është edhe Kina. Për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ajo ka shprehur brengosjen e vet.

Bashkimi Evropian - Më 18 shkurt 2008, BE-ja u prononcua rreth deklaratës së Kuvendit të Kosovës për shpalljen e pavarësisë. BE-ja vendosi misionin e vet në Kosovë me emrin EULEX. Ky mision përfshin përfaqësuesin special, 2000 policë dhe këshilltarë juridikë.

Parlamenti Evropian - Më 30 maj 2008, Parlamenti Evropian (PE) shpalli se e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Ishte hera e parë që flamuri i Kosovës u shfaq zyrtarisht në institucionet e Bashkimit Evropian.

Më 15 korrik 2008, Fondi Monetar Ndërkombëtar lëshoi një deklaratë me të cilën e njohu ndarjen e Kosovës nga Serbia. FMN-ja mori nga Kosova kërkesë zyrtare për anëtarësim. FMN-ja e ndihmon Kosovën teknikisht dhe e monitoron zhvillimin ekonomik të saj.

NATO-ja e udhëheq KFOR-in i cili nën mandatin e KS të OKB-së, prej qershorit të vitit 1999, e ka nën kontroll sigurinë e Kosovës.

e Konferencës Islamike (OKI/OIC) - Në një deklaratë të datës 14 mars 2008, i motivon shtetet anëtare që Republikën e Kosovës ta njohin individualisht. Azerbajxhani, Egjipti, Indonezia dhe Sudani, pavarësinë e Kosovës e kanë kundërshtuar në mënyrë të prerë. Në seancën përmbyllëse të Ministerialit të Organizatës së Konferencës Islamike, të mbajtur në Dushanbe të Taxhikistanit, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare, lidhur me Kosovën miratuan një rezolutë të re. Kjo rezolutë e iniciuar nga Shqipëria, u miratua njëzëri prej 57 shteteve anëtare të OKI. Prej 57 shteteve anëtare të OKI, Kosovën e kanë njohur vetë 32 sish.

- Për njohjen apo për mosnjohjen e Kosovës, shtetet deklarohen individualisht. Sipas OSBE-së, Kosova duhet të jetë shumetnike.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat