Kulmi apo fillimi i ndasive

Opinione

Kulmi apo fillimi i ndasive

Nga: Esat Mehmeti Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 12:20
Esat Mehmeti

Ndryshimet nuk vijnë duke thënë : ik ti, po vij unë, as me lojë fjalësh e shprehje të estradave. Ndryshimet vijnë me ide të reja e aksione të veprimit konkret, me ndërgjegje të pastër e sinqeritet, e jo me hipokrizi e nënkëmbëza.

Lakmia e madhe për pushtet është si një dritë e fortë, që të duket sikur të ndriçon, por në fakt të verbon. Andaj dhe madhështia e pushtetit qëndron në dëshirën për të sunduar nën petkun e "madheshtisë" se tij, por ajo është një gënjeshtër e bukur, që na bën të mendojmë se jemi të lumtur. Por jo !. Sikur drejtuesit e partive politike të kishin vetëdije më të lartë politike, nuk do të lejonin të vijë deri të kjo përçarje e ndasi kaq e madhe !. Në këtë kontekst, mendoj se nuk është larg dita kur dikush nga partitë politike do të dalë e koritur nga ky proces. Një fjalë e urtë popullore thotë: “ Kajtja ( lakmia ) e madhe e prishë burrin”.

Kujt i nevoitet formimi i partive të reja ?

Ditë më parë në Mal të Zi, në skenën politike shqiptare doli edhe një parti e re, Unioni Nacional Shqiptar. Formimi i partisë së re doli si rezultat i mospajtimeve në mes Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Degës së kësaj në Malësi e cila u shkëput nga qendra-UDSH-ja.

Nuk është hera e parë që partitë tona ndahen e coptohen. Kështu ka ndodhur edhe më parë, nga fillim i pluralizmit e deri me sot. Por, janë po të njëjtit njerëz që përçajnë dhe sundojnë. Partinë nuk e formuan “ushtarët” e thjeshtë, por Ju zotërinj të politikës të cilët i keni shijuar gjithë ato atribute. E keni shaluar e lodruar si iu ka dashur qefi !. Por, së fundi, nga droja që mos t’u rreshqasë gjithçka nga dora, dhe mosbindja të pajtoheni me vendin e dytë, andaj dhe nuk zgjedhni mënyra dhe metoda për ta rikthyer vehten aty ku ishi dikur. Këtu kemi vetëm një rrethrrotullim të politikës së njëjtë me njerëz të njëjtë.

Gjithçka është bërë për inate personale të liderëve politik, të përfitimeve të tyre dhe grupit të njerëzve servil që i rrethojnë. Krejt kjo gjendje, vjen nga sjellja e pa- përgjegjshme e politikës karshi qytetarëve. Këtu nuk është “lufta” për parime, apo për të sjellë ndryshime të reja pozitive, por thjesht, për të zhvatur sa më shumë, andaj dhe kjo situatë mund të ketë pasoja të mëdha. Këto dukuri nuk pasqyrojnë vlera. Kjo me lë një shije të hidhur .

Gjithmonë lakmi e madhe ka sjellë vetëm kriza të njëpasnjëshme, ka sjellur ngecje në zhvillim, ngecje në reforma, në avancimin demokratik dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi. Ky trend negativ vërehet në politikën e brëndshme të subjekteve politke shqiptare. Si asnjëherë më parë, në 30 vitet e fundit, shumica e udhëheqësve tanë dolën joseriozë në qëndrimet e tyre. Këta njerëz, për të gjitha këto vite, sigurisht nuk kanë menduar për asgjë tjetër, por vetëm si të zhvatin më shumë se tjetri në kurriz të taksave të qytetarit dhe të pasurohen. Vallë ! a thua u ka mbetur edhe ndonjë qoshe e pa plotësuar, apo ndonjë të afërm të lagjës pa e sistemuar diku !. Çuditërisht, gjatë këtyre viteve disa trathtarë u bënë heronj, e shumë heronj dolën tradhtarë !. Deri kur kështu ?!. Mjaft më !.

Nga mandati në mandat dhe nga viti në vit, kjo politikë e papërgjegjshme, po kontribon për ta dëmtuar zhvillimin e vendit. Kjo është mënyra më perfide e politikës për të arritur qëllimin e vetë. Në vend që të vëni në jetë gjithë atë bagazh të përvojës politike,në të mirë të vendit dhe të shoqërisë, të kontriboni në bashkimin e subjekteve politike, në harmonizimin e një Platformë të përbashkët, Ju përçani dhe sundoni !. Kjo është e pafafëshme !. Andaj, kjo politikë që Ju drejtoni tani, dështoi në mbajtjen e stabilitetit politik mes nesh. E gjithë kjo rrëmujë është tragjike të shohësh se si po instrumentalizohen politikanët shqiptarë, duke u joshur me pozita të ndryshme.

Kështu krijohet rrëmuja e madhe politike, ku njëri i bie thumbit, e tjetri patkoit, ku të gjithë flasin diçka e mendojnë ndryshe, ndërsa krejt tjetër veprojnë. Kjo agoni duhet të marrë fund sa më shpejt. Problemet nuk kalohen duke ulur kokën, apo me retorika boshe, por duke u përballur me ato. Andaj, duhet një reflektim i plotë, duhet çmontuar këtë mentalitet. Politikanët tanë duhet të lënë mënjanë interest e ngushta përsonale, të arrijnë një kompromis për të dalë nga ngërçi politik dhe për të krijuar sa më shumë bashkëpunim mes veti, e jo ndarje. Më mirë të humbësh me dinjitet se sa të fitosh me pazare. Kështu i thonë : ktheje ti kurrizin, së unë të ve çmimin !.

Kjo qasje e politikës po e rrënon gjithnjë e më shumë besimin dhe shpresën e të rinjve tanë, duke mos iu dhënë mundësi ideve dhe kuadrove të reja në politikë. Brezi i ri i ka humbur shpresat në këtë politikë dhe shumë shpejt vendi mund të zbrazet nga pasuria më e madhe që e ka rininë e shëndoshë dhe akoma e pa helmuar me disa antivlera që sot rrezikojnë rininë në vendet e zhvilluara perëndimore. Vendi, dita-ditës po zbrazet, sepse politika i ka harruar ata.

Në këtë fokus e shoh edhe gjendjen e krijuar së fundi me qeverinë në dorëheqje, që sipas mendimnit tim, vendi u fut në rrugë pa krye dhe nëse edhe pas zgjedhjeve të reja, nuk kemi ndërrim gjeneral të mentalitetit politik në qeverisje, kriza edhe më tepër do të thellohet.

Andaj, duhet një konsolidim i skenës politike , e jo përçarje e ndasi. Kakofonia e rrezikshme duhet të marrë fund sa më shpejt, në të kundërtën, serish na duhet të mbyllim hundën e t’i votojmë .

………………………………………………..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat