E sëmura e Euroazisë, kjo gërmadhinë rusomadhe

Opinione

E sëmura e Euroazisë, kjo gërmadhinë rusomadhe

Nga: Eshref Ymeri Më: 22 mars 2023 Në ora: 00:29
Autori Eshref Ymeri

Fjalën “xhevahir”, me kuptim ironik, e përdorim zakonisht në shprehje të tilla, si “xhevahire shtypi”, “flet (thotë) xhevahire”, “boll më me këto xhevahire!”, “na ngopi me xhevahire” etj. Pra, nënkuptohet dikush që thotë gjëra të pamenduara ose bën veprime të gabuara. Por kurrë nuk mund të na shkojë mendja që me gjëra të tilla mund të merren institucionet më të larta të një shteti. Por në këtë botë ka edhe çudira. Dhe vendi i çudirave të tilla na qenka jo ndonjë shtet dosido, por një shtet që e mban veten për “supershtet”, si gërmadhina rusomadhe euroaziatke. Ja si qenka puna:

Në Rusi, duke filluar që nga 1 maji i vitit 2019, u fol për aprovimin e një plani vdekshmërie, i cili qe bashkërenduar me Ministrinë e shëndetësisë. Planin e vdekshmërisë së rusëve për atë vit, në mbledhjen e kolegjumit të Ministrisë së punës, e pati paraqitur zëvendëskryeministrja për çështjet e politikës sociale, Tatjana Golikova. Dëshira e punonjësve për administrimin e çështjeve të jetës dhe të vdekjes, lidhet me arsyen se Putini pati firmosur një dekret, sipas të cilit, deri në vitin 2024, niveli i jetëgjatësisë nuk duhet të jetë më pak se 78 vjeç. Domethënë, do apo nuk do, je i detyruar ta arrish këtë moshë. Por rezultoi se rusët paskan qenë mosmirënjohës, se gjatë vitit 2019, niveli i vdekshmërisë në 32 subjekte, nga 85 që janë gjithsej në Federatë, u rrit pesë herë. Prandaj mes rusëve jo më kot qarkullon anekdota në vijim:

“Në derë dikush po troket

- Kush është?

- Vijmë nga morgu! Hapeni!

- Po këtu s’ka vdekur njeri!

Ne vijmë në bazë të planit!” (Citohet sipas: Оlena Stjepova. “Madje edhe në vdekje e sipër, Federata Ruse ndjek me këmbëngulje dy qëllime: zhdukjen e qytetarëve të vet dhe pushtimin e territoreve të huaja”. Faqja e internetit “Uainfo”. 29 prill 2020).

Pra, Rusia, që nga Balltiku deri në Paqësor, duke bërë publike xhevahire të tilla në krye të shtetit, mendërisht, s’qenka gjë tjetër, veçse një e sëmurë e Euroazisë. Por duhet pranuar se Rusia, në të vërtetë, nuk është një e sëmurë që lëngon këtë vitin e fundit. Lëngata e saj e rëndë është shumëshekullore.

Në Ukrainë, në qytetin Buça të qarkut të Kievit, në peiudhën 5-31 mars 2022, si rezultat i krimeve të ushtrisë fashiste ruse, u vranë 461 njerëz të pafajshëm dhe në gjithë rajonin numri arriti në 1137 të vrarë, të cilët egërsirat ruse i groposën nëpër varre masive. Në këtë mënyrë, Buça u shndërrua në simbol të shtazërisë së ushtrisë ruse. Por në Sheshin e Kuq të Moskës, më 30 shtator 2022, u organizua një miting-koncert i madh, me pjesëmarrjen e 180 mijë mitingashëve, për të festuar pushtimin e disa territoreve të Ukrainës. Kushdo që e shikon të vërtetën në sy, kur ka ndjekur në internet atë miting-koncert të turpshëm, i ka shtruar vetes pyetjen:

Si ishte e mundur që ai popull, domosdo i sëmurë nga trutë, të grumbullohej atje, në prani të kryebanditit Putin, për t’u ngazëllyer për krimet e përbindshme të ushtrisë së tij në Ukrainë, pa e çarë kaptinën fare edhe për dhjetra mijë ushtarët e tij, të vrarë si milingonat në frontin e luftës?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje jepet në studimin shkencor të doktorit të shkencave historike, Jarosllav Dashkjeviç (1926-2010), profesor ukrainas.

Ai shkruan:

“Tataro-mongolët, që patën pushtuar territoret ruse, patën ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në formimin e psikologjisë rusomadhe, në të cilën lanë gjurmët e instinktit të pushtuesit, të despotit, që ka si qëllim kryesor të komandojë gjithë botën. Në këtë mënyrë, në shek. XVI, erdhi e u krijuar tipi i njeriut-pushtues, të tmerrshëm në injorancën, tërbimin dhe egërsinë e vet. Këta njerëz nuk kishin nevojë për kulturën dhe shkencën evropiane, për ta ishin krejtësisht të huaja kategori të tilla, si morali, ndershmëria, ndjenja e turpit, e vërteta, dinjiteti njerëzor, kujtesa historike etj.” (Citohet sipas: Jarosllav Dashkjeviç. “Ja se si Moskovia e ka vjedhur historinë e Ukrainës”. Referat i doktorit të shkencave historike. Faqja e internetit “Uainfo”. 20 shtator 2014).

Pra, psikologjia e pushtuesit ka qenë karakteristike jo vetëm për kryesundimtarët, por edhe për mbarë popullin rus, duke filluar që nga Ivani i Tmerrshëm (1530-1583), i cili, në vitin 1552 pushtoi Tartarstanin. Dhe pushtimet vazhduan pa ndërprerje. Me kalimin e shekujve, në hartën gjeografike, kufijtë e Rusisë, deri në Revolucionin e Tetorit 1917, u shtrinë gjer në Oqeanin e ngrirë të Veriut, në Detin Balltik dhe në Karpate në perëndim, në Kaukaz dhe në Pamir në jug, në Amur dhe në Oqeanin paqësor në lindje. Në fund të shek. X, popullsia numëronte 5 milionë banorë, kurse pas pushtimit të territoreve të huaja, më 1917 arriti në 180 milionë.

Pjetri I (1672-1725), në Testamentin e vet, u la porosi brezave pasardhës të pushtojnë Evropën. Lenini propagandonte idenë e revolucionit komunist në mbarë botën, me në krye Rusinë. Stalini, në fjalimin e vet në Byronë politike në vitin 1937, iu kthye Testamentit të Pjetrit I për pushtimin e Evropës.

Në ditët e para të janarit të vitit 1951, në Moskë u zhvillua një konferencë e zgjeruar, në të cilën morën pjesë pothuajse të gjithë udhëheqësit e vendeve të bllokut socialist. Në atë konferencë, Stalini pati shtruar si detyrë të fillonin përgatitjet për pushtimin e gjithë Evropës Perëndimore. Ai pati udhëzuar që brenda 3 vjetëve, në secilin vend të bllokut sovjetik, të krijoheshin forca të armatosura me kapacitete të fuqishme ushtarake. Sulmi kundër Evropës Perëndimore qe parashikuar të fillonte në verën e vitit 1954.

Kreu i bandës së Kremlinit dhe kryekrimineli i popullit ukrainas, Putini, ka deklaruar se Rusia nuk ka kufij. Pra, në Rusi, si një shtet me kryepolitikanë dhe me një popull, të edukuar me psikologji shoviniste, agresive ndaj shteteve të tjera, ka një traditë shumëshekullore për luftëra pushtuese. Madje edhe tani, kur Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka lëshuar një urdhër arresti për kryekriminelin Putin për krime kundër njerëzimit, populli rus vazhdon t’i falet dhe të tërhiqet zvarrë para tij, pikërisht si bujkrobërit e frymëve të vdekura të Gogolit para çifligarit.

Kaloi më shumë se një vit që kur ushtria fashiste ruse, me urdhër të kryebanditit të Kremlinit Putin, filloi agresionin kundër Ukrainës, një vendi demokratik, të pavarur dhe sovran. Nuk ishin të paktë në Perëndim ata që patën shprehur bindjen se Ukraina nuk do të mund t’i rezistonte dot atij agresioni dhe brenda 3-4 ditëve ajo do të përfundonte nën çizmen ruse.

Më 24 shkurt 2022, pikërisht atë ditë kur pati filluar sulmi fashist rus, ambasadori ukrainas në Gjermani, Andrea Melnjik, jepte njoftimin në vijim:

“Ministri gjerman i financave deklaroi se “Ukrainës i kanë mbetur për mbijetesë disa orë pas sulmit të ushtrisë ruse. Juve ju kanë mbetur disa orë. Furnizimet me armë për Ukrainën dhe shkyçja e Rusisë nga SWIFT-i janë të pakuptimta” (Citohet sipas Youtube kanalit “FreeDom”. 02 mars 2023).

William Scott Ritter Jr., ish-oficer i inteligjencës së trupave detare të Shteteve të Bashkuara, më 09 shkurt 2022, pati deklaruar:

“Ky është avancimi më i madh i trupave në histori! Ushtarakët ukrainas do të pësojnë disfatë në mënyrë të pashpresë. Së shpejti do të shikojmë se si ata do të dorëzohen në shkallë të gjerë, pasi t’u mbarojnë ushqimet, uji dhe lënda djegëse. Dhe do të gjenden para alternativës: rezistencë e kotë ose vdekje”.

Gjatë 35 vjetëve ai ka pasë studiuar konfliktet e ndryshme ushtarake. Ai e pati vlerësuar lart shpejtësinë e avancimit të trupave ruse, qëndrimin human dhe taktikën e forcave të armatosura ruse. Veç kësaj, ai pati nëvizuar epërsinë operative të trupave ruse. Sipas tij, rusët qenë përpjekur të merreshin vesh me të gjithë ata ushtarakë ukrainas që kishin zënë pozicione mbrojtëse, me qëllim që të reduktoheshin në minimum viktimat në radhët e popullsisë civile. Madje ai pati theksuar:

“Për arsye humanitare, trupat ruse u rezervuan të demonstronin epërsinë e tyre vendimtare në fuqinë e armëve të zjarrit” (Citohet sipas: “Ky është avancimi më i shpejtë në histori”. Youtube kanal “Hayasa Live”. 03 mars 2023).

E kam theksuar edhe në njërën nga analizat e mëparshme se Perëndimi evropian, deri edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishin hipnotizuar nga paradat “madhështore” ushtarake të trupave të zgjedhura ruse çdo 09 maj në Sheshin e Kuq dhe kishin krijuar bindjen e plotë se Rusia na qenkej një shtet me një potencial “të jashtëzakonshëm ushtarak”.

Por e vërteta rezultoi ndryshe. Më 28 shkurt 2023, në youtube kanalin ukrainas “NewsMix Production”, u transmetua njoftimi në vijim:

“Në Shtabin e përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës, në mëngjesin e 27 shkurtit 2023, u lëshua një deklaratë, ku theksohej se, në kuadrin sukseseve luftarake të Ukrainës në frontin e luftimeve, në radhët e ushtrisë agresive ruse vihet re një dezertim masiv. Duke pasur parasysh një dukuri të tillë, zëvendëskomandantët rusë që mbulojnë punën politike me ushtarët, po mundohen së tepërmi për të bërë sqarimet përkatëse për parandalimin e dezertimeve. Ushtarëve mundohen t’u bëjnë të ditur nenet e kodit penal për ndëshkimet përkatëse në rast dezertimi. Konkretisht, të gjithë ushtarët i kërcënojnë, duke ju thënë se të gjithë ata, të cilët, që prej vitit 2017, kanë statusin e dezertuesit të repartit ushtarak, janë dënuar me burgim nga 4 deri në 12 vjet”.

Katër ditë më vonë u dha një tjetër informacion:

“Forcat e armatosura të Ukrainës, gjatë luftës më shumë se njëvjeçare kundër ushtrisë fashiste ruse, kanë vrarë 11 gjeneralë dhe 59 kolonelë rusë. Gjenerali i parë është vrarë më 01 mars 2022, kurse i njëmbëdhjeti - më 06 shkurt 2023. Në ministrinë ruse të mbrojtjes, këto humbje të rënda janë anashkaluar në heshtje” (Citohet sipas: Forcat e armatosura të Ukrainës u japin dërrmën gjeneralëve rusë! Fakte të tilla televizioni rashist nuk i transmeton”. Youtube kanal “FreeDom”. 04 mars 2023).

Më 17 janar 2023, në kanalin televiziv ukrainas “24”, u transmetua emisioni me titull:

“Cila është arsyeja që rusët e urrejnë kaq shumë Ukrainën”.

I ftuar në atë emision ishte politologu i njohur Vitali Dimov (1964). Gjatë bisedës në studio, ai theksoi se “nuk është Vladimir Putini ai që ka krijuar Rusinë e ditëve tona, por janë vetë rusët ata, të cilët kanë krijuar vazhdimisht “putinë”, ashtu si Ekaterinën II, Josif Stalinin dhe idhuj të tjerë”. Ai u shpreh se asnjëherë nuk ka pasë shpresuar se do të fillojnë ndonjëherë turbullira në Rusi, sepse çdo alternativë politike përballë Putinit, do të nxirrte në skenë dikë, që do të ishte më shumë se Putin. Krimet barbare që ushtria fashiste ruse kryen ndaj infrastrukturës dhe popullsisë civile në Ukrainë, dëshmojnë, sipas tij, se “kërkesa për “putinë” është në rritje në Rusi. Kjo ndodh, për arsye se në Rusi, populli i ngre në rangun e heronjve ata kryepolitikanë që e kanë urryer dhe vazhdojnë ta urrejnë Perëndimin dhe Ukrainën, e cila është nëna e gjithçkaje ruse”.

Politologu zbuloi temën e trillimeve ruse për të ashtuquajturin popull unik ukrainas dhe rus. Në këndvështrimin e tij, “në themel të këtij trillimi qëndron zilia e rusëve, sepse, gjatë tërë historisë së tyre, ata e kanë ditur se diku, përtej kufijve të Rusisë, njerëzit jetojnë më mirë, kanë pasë lexuar për gjëra të tilla dhe kanë bërë krahasime me jetën e vet. Mendimi se fqinji, në dukje pa ndonjë ndryshim prej tij, jeton më mirë, rusëve u ka pasë krijuar shumë shqetësime. Dhe fakti që këta njerëz, me jetesë më të mirë, ndodheshin matanë kufijve të tyre perëndimorë, ka pasë shërbyer si burim smire, zilie dhe urrejtjeje për Ukrainën dhe për Perëndimin”.

Pra, nga biseda në studio, tërthorazi, doli në pah vetvetiu se Rusia qenka shtrati i njerëzve të sëmurë nga trutë, të cilët kanë në krye politikanë edhe më shumë të sëmurë nga trutë.

Miopia politike rreth vlerësimit të “fuqisë ushtarake” ruse në Perëndim, kishte arritur deri në atë shkallë, saqë të trulloste mbarë opinionin publik. Prandaj ato deklaratat naive të ministrit gjerman të financave dhe të atij ish-oficerit të inteligjencës së trupave detare të Shteteve të Bashkuara, zbulojnë mangësitë e tyre të theksuara në njohjen e realitetit konkret në Rusi, pasojë kjo e ndikimit të propagandës mashtruese të kopesë së gazetarëve servilë të Kremlinit në botën perëndimore. Njëri prej atyre kryeservilëve të Putinit, siç e kam theksuar edhe herë tjetër, është Dmitri Kiselov, që njihet si mbreti i mashtrimit dhe i traditave më të pahijshme të gazetarisë ruse, i cili, më shumë se kushdo tjetër, në televizionin shtetëror “Rusia 1”, vjell vetëm vrer kundër Ukrainës.

Është me të vërtetë e habitshme se si është e mundur që ish-oficeri amerikan të flasë për “humanizëm” të ushtrisë fashiste ruse, kur dihet botërisht se me ç’egërsi shtazarake është sjellë ajo në territore të pushtuara. Vetëm në dy agresionet fashiste që pati ndërmarrë kundër Çeçenisë, ushtria e egërsirave ruse pati vrarë 300 mijë njerëz nga radhët e popullsisë civile, nga të cilët 42 mijë ishin fëmijë. Me sa duket, ky ish-ushtarak i lartë amerikan ose paska rënë keq në dashuri me Rusinë, ose paska qenë në ndonjë planet tjetër, kur banditizmi i asaj ushtrie gjatë pushtimit të Çeçenisë, pati rënë në sy të mbarë opinionit publik ndërkombëtar.

Me sa duket, në Perëndim nuk ia kanë haberin traditës së mashtrimit të politikës ruse. Ato paradat e përvitshme në Sheshin e Kuq, nuk janë gjë tjetër, veçse fasadë për fshehjen e së vërtetës për mjerimin ekonomik, në të cilin e ngrys jetën shumica dërrmuese e popullit rus. Parada të tilla të kujtojnë periudhën e sundimit të perandoreshës Ekaterina II. Në gjuhën ruse haset shprehja frazeologjike “fshatrat e Potjomkinit”. Ajo përdoret për të karakterizuar diçka butaforike, të ndërtuar posaçërisht për të krijuar një pamje të rreme mirëqenieje. Shprehja lidhet me historinë e zbukurimeve dhe të festimeve që pati organizuar Grigor Potjomkini (1739-1791), themeluesi i flotës ushtarake ruse të Detit të Zi, gjeneral-feldmareshal, me qëllim përftimin e një efekti thjesht të jashtëm, për të befasuar perandoreshën Ekaterina II (1729-1796), si i adhuruari i saj, dhe shoqëruesit e huaj, gjatë udhëtimit që ajo bëri nëpër Krime në vitin 1787. Me gjithë atë fasadë, me gjithë ato pamje mashtruese, Potjomkini mundohej t’i tregonte perandoreshës se ja “sa mirë” jeton populli rus në periudhën e sundimit të së saj, çka ajo po e shikonte me sytë e vet.

Paradat, që filluan të zhvillohen menjëherë pas përfundimit të Luftës në vitin 1945, sigurisht që kanë luajtur një rol shumë të madh në psikologjinë e mbarë popullit rus për “madhështinë” e Rusisë, si “kombi i parë në botë”, çka ka ndikuar jashtë mase që atij t’i rritet mendja dhe të bjerë në dashuri me vetveten, duke filluar nga krerët e politikës deri te qytetari më i thjeshtë. Me këtë rast, duhet theksuar se në nxitjen e mendjemadhësisë së tij kanë ndikuar edhe “mendimtarë” rusë të shekujve të kaluar, deri edhe të ditëve tona. Njëri nga “mendimtarët” rusë të shek. XIX, Pjetër Çaadajevi (1794-1856), ja çfarë shkruan në njërën nga letrat e veta “filozofike” të datës 01 dhjetor 1829:

“Ne, në njëfarë mënyre, mund të themi se jemi një popull i jashtëzakonshëm. Ne u përkasim atyre kombeve, të cilat sikur nuk përfshihen në përbërjen e njerëzimit, por ekzistojnë me të vetmin qëllim që t’i japin botës një mësim të rëndësishëm… Madhështia jonë e bën botën të dridhet, vendi ynë zë një sipërfaqe sa një e pesta e rruzullit tokësor, por, për të gjitha këto, duhet pranuar, ne i detyrohemi vetëm vullnetit energjik të kryeshtetarëve tanë për shkak të kushteve fizike të territorit që popullojmë. Të formësuar, të kalitur, të krijuar prej kryeshtetarëve tanë dhe për shkak të klimës, vetëm falë natyrës sonë prej njerëzish të bindur, ne u bëmë popull i madh.” (Citohet sipas: Pjetër Çaadajev. “Letra filozofike. Letra e parë” Faqja e internetit “Eksmo”. 18 mars 2022).

Konstantin Theofanov, doktor i shkencave politike, profesor i katedrës së marrëdhënieve ndërkombëtare të Akademisë diplomatike të Ministrisë së jashtme të Federаtës Ruse, ja çfarë xhevahiri shkruan në studimin me titull “Shpëtimi i njerëzimit, si mision i Rusisë: midis mesianizmit dhe teorisë qytetëruese”:

“Ideja e rolit të madh, të jashtëzakonshëm dhe shpëtimtar të Rusisë, si e zgjedhura e Hyjnisë, në historinë e njerëzimit, gjatë disa shekujve, përbën themelin e vlerave botëkuptimore ruse, vlera këto politike, fetare, humanitare, edukative, administrative dhe të jetës së përditshme” (Citohet sipas: “Krestomaci për historinë e Bashkimit Sovjetik”. Hartues V.I. Lebedjev etj. Botim i katërt. Moskë 1951. Vëll 1, f. 82).

Ja çfarë xhevahiresh të tjera hedh në qarkullim një tjetër “mendimtar i madh” rus:

“Rusia qe shumë afër për t’u bërë një drejtuese absolute e njerëzimit. Një gjë e tillë po e çonte qytetërimin perëndimor drejt katastrofës dhe shuarjes. Në kohën e Stalinit u vu re një bum kaq i madh i zhvillimit kulturor të popullit sovjetik, saqë mund flitej për një revolucion kulturor dhe për fillimin e formimit të një kulture të re të njerëzimit që po e çonte drejt së ardhmes, drejt yjeve. Në të njëjtën kohë, po vazhdonte rritja e vrullshme e potencialit intelektual, shkencor të popullit sovjetik, po përhapej në masë fizkultura dhe sporti, çka

ndikonte që populli rus të ishte më i zgjuari dhe më i shëndetshmi në planetin tonë. Ende në fillim të viteve ’50, në Perëndim kishin filluar ta shikonin me frikë zhvillimin ekonomik të Bashkimit Sovjetik. Epërsia e tij ekonomike çonte drejt epërsisë ushtarako-politike, gjë që e detyronte Perëndimin, në një perspektivë të afërt, të mbetej në mëshirën e socializmit fitimtar” (Citohet sipas: Aleksandër Samsonov. “Pse e vranë Stalinin”. Faqja e internetit “Vojennoje obozrenjije”. 05 mars 2013).

Këtë natyrë të rusëve, si njerëz me hundën në lis, e ka nxjerrë bukur në pah filozofi Nikollaj Berdjajev (1874-1948), i cili ka thënë:

“Rusët janë fodullë në paraqitjen e jashtme, por përbrenda janë skllevër të bindur”.

Me xhevahire të tilla “mendimtarësh” rusë, dhe me paradat ushtarake butaforike në Sheshin e Kuq, banda e Kremlinit, siç u theksua më lart, ka për qëllim të maskojë para opinionit ndërkombëtar mjerimin që ka pllakosur shumicën dërrmuese të popullit, i cili ndien kënaqësi nga varfëria për hir të “madhështisë” së Rusisë.

Kinoaktorja polake, Barbara Brilskaja (1941), laureate e Çmimit Shtetëror të Bashkimit Sovjetik dhe yll i filmit televiziv“Ironia e fatit” të vitit 1975, me autor regjisorin rus Eldar Rjazanov (1918-2015), në njërën nga intervistat e saj të kohëve të fundit, ka deklaruar:

“Njerëzit e thjeshtë në Rusi vuajnë nga njerëz që janë kapur me thonj e me dhëmbë pas pushtetit, si burim parash, për të cilat i kapin të dridhurat. Rusët duhet ta kuptojnë se është e pamundur ta ngrysësh jetën mes fekaleve ku ata jetojnë” (Citohet sipas: “Artisten Barbara Brilskaja do ta fshijnë nga filmi “Ironia e fatit” për shkak të qëndrimit të saj kundër luftës dhe Putinit”. Reportazh i transmetuar në kanalin televiziv ukrainas “FreeDom”. 21 shkurt 2023).

Kinoaktorja është e bindur se në qytetet e Rusisë, me përjashtim të Sankt Peterburgut dhe Moskës, jetesa është e pamundur. Në vazhdim të intervistës, ajo thotë:

“Shikoni pjesën tjetër të popullit, se ç’jetë bën, fjala vjen, në qytetin e Omskut apo të Novosibirskut. Ne po fluturojmë për atje dhe unë kam tmerr kur zbres nga aeroplani. Atje njerëzit i ka pllakosur mjerimi, atje jetesa është e pamundur” (po aty).

Më herët, Barbara Brilskaja qe shprehur në përkrahje të aktores Liya Akhedzhakova (1938), së cilës nuk i jepnin më role në teatrin “Sovremennjik” të Moskës, sepse ka demaskuar agresionin e ushtrisë fashiste ruse kundër Ukrainës dhe ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj Putinit. Atë e pushuan nga puna më 08 shkurt 2023. Barbara deklaroi se një atdhe i tillë, ku një artiste të shquar e kanë pushuar nga puna, është i padenjë për kolegen e saj, se ka fituar antipatinë e shtetit dhe e këshilloi të largohet nga Rusia, përndryshe komunistët, njerëzit e mallkuar nga Zoti, jetën kanë për t’ia nxirë. Aktivistët e jetës shoqërore u revoltuan nga komentet e saj dhe i kërkuan Kryetarit të Komitetit Hetimor të Federatës Ruse, Aleksandër Bastrikinit (1953), t’ia ndalojë përgjithmonë hyrjen në territorin e Rusisë.

Kritikën e ashpër jo vetëm ndaj bandës së Kremlinit, me Putinin në krye, por edhe në adresë të opinionit publik rus, Barbara Brilskaja e pati nisur që në vitin 2014, fill pas pushtimit të Krimesë. Që asokohe ajo qe shprehur kundër propagandës retorike të kolegeve të saj ruse, artiste të teatrit dhe të kinemasë. Njëra prej tyre është artistja e njohur Valentina Tallizina (1935), artiste e popullit e Federatës Ruse, përkrahëse e zellshme e kryebanditit Putin, e cila jo vetëm e dënoi Barbarën për qëndrimin e saj, por edhe e ofendoi publikisht:

“Ajo është një plakë e gjorë, e sëmurë. Me siguri që autoritetet polake i kanë dhënë të kuptojë se duhet të deklarohet kundër Rusisë… Me sa duket, qe e detyruar të mbante një qëndrim të tillë. Atë duhet ta falim Ajo është shumë e moshuar dhe e sëmurë” (po aty).

Autoritetet ruse vendosën që, përmes nejrorrjetit, ta fshijnë artisten polake nga filmi “Ironia e fatit”. Kjo për faktin se ajo është deklaruar publikisht kundër agresionit fashist rus në Ukrainë dhe fajtorit kryesor - Putinit.

Disa fakte nga jeta e qytetarëve rusë në qytetet Omsk dhe Novosibirsk, të pasqyruara në reportazh, vërtetojnë konkretisht se në ç’gjendje të mjeruar jetojnë njerëzit e thjeshtë në brendësi të Rusisë, siç është shprehur artistja polake.

Gazetarja, e shoqëruar nga kameramani, e ka vazhduar reportazhin në qytetin e Omskut, që ndodhet 2720 km larg Moskës, në rrugë automobilistike.

Njëra nga qytetaret ruse, që banon në Omsk, ja si iu shpreh gazetares para kameras:

“Pushtetarët e këtushëm deklarojnë se furnizimi me ujë është siguruar për çdo familje, edhe në zonat fshatare, por kjo nuk është e vërtetë”.

Paskëtaj vijojnë pamjet nga një pallat me pesë kate në qytetin e Omskut: suvaja ka rënë gjithandej dhe tullat me lagështirë flasin vetë për “mirëqenien” që mbretëron aty. Gazetarja dhe kameramani ngjiten në katin e pestë dhe trokasin në një apartament. Kryefamiljari i atij apartamenti i shoqëron në çdo dhomë. Pamjet janë tmerrësisht dëshpëruese. Tarraca pikon gjithandej. Tavanin dhe muret i ka pllakosur myku Ai rrëfen:

”Sapo fillon shiu, nëpër dysheme jemi të detyruar të vendosim kova për grumbullimin e ujit që pikon, se për ndryshe do të vazhdojë t’i pikojë tavani familjes që banon poshtë nesh”.

Në bisedë e sipër, ndërhyn bashkëshortja e kryefamiljarit:

“Kemi shqetësime se nuk furnizohemi rregullisht me ujë dhe me energji elektrike. Detyrohemi të mbushim ujë kur na vjen me orar shumë të shkurtuar, e përdorim për të pastruar banjën dhe e ngrohim për t’u larë”.

Guvernatori i qarkut të Omskut, - thotë gazetarja, - Aleksandër Burkov (1967), - reagoi me ironi ndaj kritikave të ashpëra të artistes polake për gjendjen e qytetit. Por Burkovi u hodhi një plaf përsipër fakteve konkrete, të cilave nuk guxon t’u dalë përballë.

Kryetari i Bashkisë së qytetit të Novosibirskut (3379 km larg nga Moska, me rrugë automobilistike), Anatoli Llokot (1969), - sipas rrëfimit të gazetares, - i hodhi poshtë deklaratat e artistes polake, duke i vlerësuar ato si antiruse, se “nuk përputhen” me realitetin në Rusi. Nërkohë, gazetarja, në shoqërimin e kameramanit, vazhdon të pasqyrojë me vërtetësi ato gjëra që duken konkretisht.

Gazetarja vazhdon reportazhin në apartamentin e një pallati po pesëkatësh edhe në Novosibirsk. Në kamera shfaqen menjëherë muret e ciflosura nga lagështira. Familja që banon aty ka shtatë vjet që i kërkon Bashkisë së qytetit të riparojë tarracën që pikon, por më kot. Kryetari bën të paditurin. Tarraca pikon në të gjitha dhomat. Shtresa e mykut në tavanin dhe në muret e banjës është kaq të trashë, saqë gazetarja tmerrohet.

Marksi ishte i prerë në qëndrimin e vet ndaj Rusisë, si ndaj një shteti të barbarisë lindore, në të cilin mbizotëron fryma reaksionare aziatike që kërcënon zhvillimin politik dhe kulturor të Perëndimit. Marksi dhe Engelsi e vlerësonin Rusinë si kështjellë të forcave reaksionare të mbarë Evropës, dhe politikën e saj të jashtme e konsideronin si njërën nga pengesat kryesore në rrugën drejt transformimit social të botës. Me këtë rast, ata patën nxjerrë në pah vazhdimisht “mongolizmin” dhe pikësynimin e përhershëm të saj për të sunduar botën në frymën e Çingis Khanit.

Duke pasur parasysh sundimin komunist në Rusi, Çurçilli (1874-1965) është shprehur:

“Komunistët zhvillojnë një luftë të pandërprerë kundër qytetërimit, me qëllim që të shfarosin të gjitha institutet e pushtetit, të gjitha qeveritë, të gjitha shtetet në botë. Ata kanë si pikësynim të krijojnë një aleancë varfanjakësh, kriminelësh, injorantësh, rebelësh, të sëmurësh, debilësh dhe budallenjsh, aleancë kjo që duhet të zaptojë mbarë botën”.

Normalisht, që bota të gjejë qetësi një herë e mirë nga ethet e Rusisë për pushtime territoresh të huaja, do të duhet që ajo të shpërbëhet në disa shtete të pavarura. Me agresionin fashist që Putini ndërmori kundër Ukrainës, shënoi fillimin e shpërbërjes së Rusisë, shpërbërje që ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme.

Në qytetin Helsingborg të Suedisë, prej 7 deri më 11 dhjetor 2022, zhvilloi punimet Konferenca ndërkombëtare për dekolonizimin e Rusisë - Forumi IV i popujve të lirë pas shpërbërjes së Rusisë.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të lëvizjeve së popujve rrënjës dhe të rajoneve të kolonizuara të Federatës Ruse - udhëheqës të shteteve të ardhshme të pavarura pas shpërbërjes së Rusisë. Ishin të pranishëm politikanë, diplomatë dhe gazetarë nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe, të Ukrainës etj.

Pjesëmarrësit erdhën në këtë përfundim:

“Përderisa Rusia vazhdon të mbetet si shtet më vete, i komanduar nga një qendër perandorake, ajo, me të gjitha mënyrat, edhe me agresion ushtarak, do të vazhdojë t’i mbajë të skllavëruar qytetarët e vet dhe do të kërcënojë përherë gjithë fqinjët dhe mbarë botën”.

Shpërbërja e asaj ngrehine të sëmurë euroaziatike, është bërë temë e ditës për të gjitha kombësitë që përfshihen në përbërje të saj. Prandaj, për shkak të revanshizmi perandorak të Rusisë, siç u theksua në Forum, shtrohet problemi i dekolonizimit të vetë Rusisë. Aq më tepër kur dihet që trashëgimia imperialiste e Rusisë nuk qe e mundur të kapërcehej as me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1917, as me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991

Le të shpresojmë që shpërbërja e gërmadhinës rusomadhe euroaziatike të realizohet, duke ndjekur një rrugë “të mëndafshtë”.

Kaliforni, 21 Mars 2023

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat