Nga po shkon Kosova?

Opinione

Nga po shkon Kosova?

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 25 mars 2023 Në ora: 13:47
Xhavit Kryeziu

Assesi nuk po e kuptoj opozitën kosovare!

Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshtonte SHBA-të, të cilat i kërkonin atij formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, opozita kosovare “çirrej” kundër tij, duke e shpallur madje edhe antiamerikan dhe armik të Kosovës, i cili, sipas tyre, dashka t'i prishte marrëdhëniet me SHBA-të. Gjatë gjithë “rezistencës” së Kurtit ndaj presioneve amerikane, opozita kosovare vazhdonte “luftën” e fuqishme kundër kryeministrit, përderisa heshtte rreth këmbënguljes së amerikanëve për themelimin e Asociacionit.

Tani, që Albin Kurti “ndryshoi” dhe u bë mirë me amerikanët, pasi publikisht pranoi se do ta themelojë Asociacionin serb, opozita kosovare sërish vazhdoi me “llomotitjet” kundër z.Kurti, tani jo më për antiamerikanizmin e tij, por për shkak se ai kishte pranuar themelimin e Asociacionit, kundër të cilit deri dje kishte “luftuar” me “vendosmëri”. Tani, sipas opozitës kosovare, Asociacioni na qenka i papranueshëm dhe i rrezikshëm për Kosovën! Sa çudi! Vetëm pas 10 vitesh, opozita arriti ta “kuptojë” se Asociacioni është i rrezikshëm Kosovën!

Sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duket se opozita nuk është “mirë në kokë” ngase po “harron” se ishte vetë ajo që e kishte pranuar themelimin e Asociacionit. Të kujt ishin Thaçi e Mustafa: të LVV-së apo të LDK-PDK-së (të dyja i bëra bashkë me një vizë sepse përveç dallimit në shkronjat “L”, dhe “P”, dallim tjetër nuk kanë, as në statut, as në vepër, as në esencë).

Një gjë është e qartë: asnjë politikani dhe asnjë partie politike nuk i paska interesuar, as nuk i intereson Kosova! Që të gjithëve, kujt më pak e kujt më shumë, u intereson vetëm pushteti. Politikanët tanë janë në gjendje të japin çdo gjë, vetëm pushtetin jo. Përveç fjalimeve demagogjike, ata në realitet nuk janë as me popullin, as me Kosovën, dhe as me Amerikën, me të cilën e “duan” miqësinë aq shumë. Që të gjithë, si ata që flasin, si ata që heshtin, kanë dëshmuar se duan vetëm paranë. Nëse nuk është kështu, atëherë pse vetëm politikanët shqiptarë, kudo që janë, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, e në Mal të Zi, janë më të pasur se politikanët e çdo vendi tjetër? Si ka mundësi që Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat janë vendet më të varfra në rajon, ndërsa politikanët e këtyre vendeve të jenë më të pasurit në rajon e më gjerë?!

Unë e pranoj publikisht: në zgjedhjet e 14.2.2021, unë e kam mbështetur dhe kam votuar për Albin Kurtin. Kam votuar për të sepse i kam besuar shumë, dhe atë më shumë se çdokujt tjetër. Besimi në të ishte pasojë e zhgënjimit total të liderëve të deridjeshëm. I kam besuar Albin Kurtit sepse me t’u liruar nga burgu i Serbisë, ai zgjodhi rrugën e popullit, ndonëse e kishte mundësinë që edhe ai ta ndiqte rrugën e të tjerëve - të jetë i dëgjueshëm i ndërkombëtarëve dhe të “bashkëpunojë” me ta vetëm me “yes, sir”. I kam besuar Albin Kurtit sepse kam qenë i bindur se edhe ai ka mundur të mos ua prish ndërkombëtarëve “tymin e duhanit”, dhe të pasurohet brenda natës në dëm të popullit shqiptar, dhe në dëm të Kosovës sonë të mjerë e të të përvuajtur historikisht. I kam besuar Albin Kurtit sepse ai mbase ishte i vetmi, i ishte distancuar nga qëllimet nganjëherë antishqiptare të ndërkombëtarëve, të cilat për fat të keq mbështeteshin edhe nga vartësit e tyre shqipfolës. Duke qenë se liderët tanë u joshën nga pasuria e ndyrë brenda nate, ata shumë shpejt e harruan luftën, dhe me vetëdije apo pa vetëdije, shkelën mbi gjakun e qindra-mija shqiptarëve të pafajshëm, të cilët u flijuan për këtë dhe. Se Albin Kurti ishte alivanosur rreth 60 herë si pasojë e torturave çnjerëzore të gardianëve kanibalë serbë, ishte kjo një arsye tjetër për t’i besuar ardhjes së tij në krye të Kosovës. Fitores së LVV-së në zgjedhjet e 14.2.2021, i jam gëzuar shumë ngase isha i bindur se, më në fund, do të vinin ndryshimet, të cilat populli shqiptar i priste aq shumë. Nganjëherë nuk jam i sigurt nëse më shumë isha i gëzuar për fitoren e LVV-së, apo për shpalljen e shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17.2.2008. Pse?

Dimë se Pavarësia e Kosovës është shpallur mbi themelet e Planit të Ahtissarit. Sipas mendimit tim personal, Plani i Aftisaarit nuk është dashur të pranohej kështu siç është pranuar. Plani i Ahtisaarit nuk është i drejtë me Kosovën dhe me shqiptarët. Sipas atij plani, shqiptarët të cilët përbëjnë mbi 94 % të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës, detyrohen të jenë të barabartë me vetëm 6 % të popullsisë tjetër! Për më keq, të gjithë ne që jetojmë në Kosovë, si shqiptarët me 94 %, si të tjerët edhe më me pak se 1%, konsiderohemi komunitete! Shembull të tillë nuk ka askund në botë! Mbi të gjitha termi “komunitet” nuk është tjetër veçse “minoritet”! Shembull të këtillë nuk ka askund në rruzullin tokësor. Nëse dikur ka pasur në Afrikë, “apartheidi”, tani më nuk ka. Plani i Ahtisaarit, e më pas rrjedhimisht edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, popullit shqiptar i bën padrejtësi shumë të madhe sepse ia mohon të drejtën legjitime për të qenë si komb dhe bartës i vetëm i sovranitetit të Republikës së Kosovës, siç do të duhej të ishte në çdo shtet normal. Kushtetuta e Republikës së Kosovës i hyn në hak shqiptarëve sepse në kurrizin e shqiptarëve u jep të drejta të mëdha dhe të paimagjinueshme pakicave të tjera, në radhë të parë serbëve, e pastaj edhe të tjerëve: boshnjankëve, turqve, romëve, goranëve, ashkalinjve, egjiptasve etj. Të drejta dhe privilegje të tilla si në Kosovë, nuk ka asnjë pakicë tjetër në botë. Si ka mundësi që një pakice të caktuar, serbëve, t’i garantohen 10 deputetë në kuvendin shtetëror pa dalë fare në zgjedhje?! Këtë “drejtësi” e kanë bërë vetëm ndërkombëtarët, dhe atë në raport me vendorët mediokër dhe naivë. Nëse kjo qenka drejtësi, pse atëherë një praktikë e tillë nuk u aplikua edhe për shqiptarët e Maqedonisë të Veriut, të cilët nëse jo rreth 35 % sa janë realisht, atëherë janë mbi 25 % të popullsisë të gjithmbarshme, siç e njeh zyrtarisht edhe shteti i RMV-së?

Kur flas për besimin ndaj politikanëve të Kosovës, nuk do të thotë se në anën e tyre nuk kam qenë asnjëherë. Përkundrazi, i kam votuar që të gjithë derisa kam menduar se punojnë për popullin dhe Kosovën. Para luftës, kam votuar për LDK-në sepse ajo ishte e vetmja atëherë përballë partive të tjera serbe në Jugosllavinë e atëhershme. Pas luftës kam votuar për “krahun e luftës” sepse isha i vetëdijshëm se vetëm ata ishin më meritorët për çlirimin e Kosovës. Më 2021, kam votuar për LVV-në pasi 20 vite (keq)qeverisje kërkonin ndryshimin për të mirën e popullit dhe Kosovës. Kështu si unë kanë qenë shumica absolute e shqiptarëve, mirëpo jo të gjithë e flasin të vërtetën.

Të këqijat e shumta të liderëve tanë të pangopshëm, të gjithë me rend, më bëjnë të mos i besoj askujt. Edhe Albin Kurti, “patrioti” deri më 18.3.2023, në Ohër, zgjodhi rrugën e dashurisë për pushtetin, e jo për popullin dhe Kosovën. Nga një “luftëtar” dhe demagog si të gjithë të tjerët, edhe ai u pajtua të futet në historinë e turpit, i cili me shumë se “Zajednicën”, serbëve dhe Serbisë ia dhuroi autonominë territoriale politike.

Një gjë dihet: menjëherë sapo të shpallet “Zajednica”, ajo do ta shpallë shkëputjen nga Kosova dhe njëkohësisht bashkëngjitjen me Serbinë. Dhe, “miqtë” tanë ndërkombëtarë do ta zyrtarizojnë këtë fakt, ashtu siç e kanë pranuar që më 1999, gjë që ne nuk e kemi kuptuar as atëherë, e mbase as sot!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat