Cilët e duan më shumë Amerikën?

Opinione

Cilët e duan më shumë Amerikën?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 30 maj 2023 Në ora: 09:44
Xhevat Mustafa

Deklarata e ashpra amerikane, shprehur nëpërmjet një deklarate të re të Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, saktësisht më 26 maj 2023 ndaj Prishtinës dhe ato nga misionarë diplomatikë të BE-së, kanë nxitur komente pro e kundra apo një debat jo vetëm nga politikanë, analistë politikë dhe qytetarë të thjeshtë shqiptarë, në Kosovë, Shqipëri, MV, diasporë, por edhe nga disa analistë politikë ndërkombëtarë, shumica amerikanë. Shprehet qartë se deklarata e re e Sekretarit Amerikan të Shteetit, Antony Blinken, është pritur më masivisht me befasi, qejfmbetje, zhgënjime, kundërshtime.

Sipas atyre që kanë rezerva dhe kritika ndaj kësaj deklarate të njëanshme, nga Uashingtoni dhe Brukseli, po ushtrohet më shumë presione ndaj Kosovës dhe qeverisë së Albin Kurtit se sa ndaj Serbisë, edhe pse ajo ka vite që tallet edhe me Uashingtonin dhe Brukselin, duke mos ua fshehur se ka si qëllim dhe përpiqet “të ulet në dy karrige” apo “të hajë njëherazi në dy tavolina e me dy lugë, pirunj e thika”. Ndërsa prej mbi 2 vjet e deri më sot kanë qenë të shpeshta e fare të qarta në anglisht dhe shqip deklaratat, kritikat, “tërheqjet e vëmendjes apo të veshëve”, presionet...ndaj qeverisë së Albin Kurtit dhe përgjithësisht ndaj qeverisë së Kosovës dhe presidentes Vjosa Osmani, nga ana tjetër, nuk është shprehur dhe nuk është vënë re e njejta gjë, po kaq publikisht, ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministres Brnabiç. Po kujtesa dhe arkivi na ndihmojnë të kujtojmë se vetëm 5 javë më parë, më 23 prill 2023 DASH dhe BE deklaruan mbështetjen për mbajtjen e zgjedhjeve në 4 komunat me shumicë serbe, pavarësisht mungesës me kandidatë të Listës Serbe dhe pjesëmarrjes së pakët të votuesve serbë në to. Sipas mediave, më 22 prill 2023, pra vetëm 1 ditë para zgjedhjeve, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, deklaroi se “vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrim për mbajtjen e zgjedhjeve...”Po atë ditë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, bëri thirrje që “zgjedhjet për kryetar të katër komunave veriore me shumicë serbe të mbahen në mënyrë të qetë...”. Kjo nënkuptonte se kjo pjesëmarrje e pakët nga komuniteti serb do të sillte fitoren e sigurt të kandidatëve shqiptarë. Atëherë, logjikshëm mund të shtrohet pyetja: përse SHBA dhe BE, deri 1 ditë para zgjedhjeve në 4 komunat e Veriut të Kosovës me shumicë serbe, i shprehën qeverisë Kurti mbështetje për zhvillimin e tyre, kur e merrnin me mend apo e parashikonin se do të fitonin kandidatët shqiptarë, të cilët nuk do të pranoheshin nga komuniteti serb?

A nuk lejon kjo të çohet ndërmend edhe se individë në DASH e në BE mund të kenë pasur dëshirë e qëllim t’u jepnin krerëve politikë serbë në Veriun e Kosovës dhe Vuçiçit në Beograd një kartë e rast, apo, në mënyrë figurative, një shishe me benzinë, për ta hedhur mbi thëngjinjtë e pashueshëm nga krizat dhe konfliktimet e mëparshme, prej afro 24 vitesh në Veri të Mitrovicës? E pra, pas 1 muaji nga përfundimi i zgjedhjeve, policia e Kosovës, pa forcë, por sipas detyrës që ka, u angazhua për zbatimin e ligjeve të Kushtetutës së Kosovës, fillimin e detyrave nga fituesit shqiptarë. Shumë serbë nga këto 4 komuna iu kundërvunë zbatimit të një detyrimi ligjor dhe provokuan me akte dhune zbatimin e ligjit! Nga ana e përtej kufirit, në territorin e Serbisë, nënkuptohet me urdhër nga Vuçiçi dhe sipas traditës mbi 23 vjeçare, u ofruan forca policore dhe ushtarake serbe! Kuptohet, me qëllim që të trimërohen dhe egërsohen edhe më shumë serbët kosovarë për të mos lejuar zbatimin e ligjit dhe të rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit 2023! Mund të mendohet se viktimë e opinionit apo qëndrimit të Blinkenit dhe të Borrelit ra edhe Komandanti i Përgjithshëm i NATO- s, Jan Stoltenberg. Edhe ky, në komunikimin me Borrelin kritikoi vetëm qeverinë e Kosovës si provokuese dhe shkaktare të kësaj krize të re dhe i bëri thirje për vullnet, domethënë tërheqje dhe nënshtrim, për të arritur me qeverinë e Serbisë marrëveshjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës, nënkuptohet siç ka kërkuar ajo, me kompetenca administrative dhe vetadminstruese! Dhe sa muaj duhet të pritet nga pushtetarët lokalë fitues në zgjedhjet e 23 prillit 2023? Sa t’u teket dhe mbueshet mendja liderëve lokalë serbë apo Vuçiçit, me shokë e shoqe në Beograd??? Po atëherë: përse u nxitua dhe u bënë ato zgjedhje të pjesëshme? Për t’i lënë ato 4 komuna veriore me shumicë serbe pa qeverisje legjetime dhe normale e në gjendje konfliktimi të pafund, siç i intereson Serbisë? Edhe pse janë të zakonshme, brenda natyrës apo karakterit të politikës dhe diplomacisë, ndryshime të tilla brenda 4-5 javëve, dëmtojnë shumë Kosovën, por mbartin edhe zhgënjime ndaj SHBA- së dhe BE- së dhe ulje të bindjes se këto janë aleatët më të mëdhenj dhe më besnikë të Kosovës, ashtu siç i vlerësojmë e respektojmë, besojmë apo pandehim ne shqiptarët!

Edhe më lakuriqësuese për njëanshmërinë e SHBA- së dhe BE- së lidhur me këtë krizë të paramenduar dhe të parapërgatitur në Beograd, por që “sikur ka gjetur në gjumë” Blinken dhe Borrelin, janë deklaratat kontradiktore dhe me një dozë të ndjeshme amatorizmi në diplomaci dhe politikë, të eurodeputetes Viola von Cramon, raportuese e BE- së për Kosovën. Edhe pse ishte e pranishme në kulmin e krizës apo konfliktit dhe duhet të ketë parë se cilët ishin autorët apo aktorët e dhunës, përsëri ajo iu vërsul policisë së Kosovës dhe qeverisë së Albin Kurtit, që dëshirojnë dhe përpiqen të përmbushin sa më demokratikisht detyrimet ligjore, kushtetuese!Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian, të njohura edhe me emërtimin Shtetet e QUINT-it dhe BE-ja, ndryshe nga Blinken, Stoltenberg, Cramon..., në deklaratën e tyre ishin më të matur dhe më të ekuilibruar. Saktësisht ata u shprehen se “ne i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera...që mund të nxisin tensionet ose konfliktin....” Për të pasur një bindje më të plotë për tolerancën e tepruar të SHBA-BE ndaj protestuesve kafshërorë serbë të Kosovës, si dhe të ardhur edhe përtej kufirit të saj, shpreh shumë edhe deklarata e 29 majit e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier. Sipas tij, “ne i propozuam Kurtit që kryetarët e komunave të ushtrojnë detyrën jashtë objekteve komunale”!

Këto qëndrime dhe deklarime kontradiktore, mëdyshëse apo të mjegulluara mund të shtyjnë plot përjetues shqiptarë e ndërkombëtarë të kësaj krize të re në Veriun e Kosovës të mendojnë se edhe pas afro 24 vitesh, ka zyrtarë dhe diplomatë të lartë në DASH dhe në BE që nuk janë bindur se fantazia milosheviçiane e Vuçiçit fantazon dhe inskenon kriza e konflikte në komunat e Veriut të Kosovës për të marrë nga Kosova sa më shumë nga sa dëshiron, nënkuptueshëm, favorizuar edhe nga jo pak "tifozë serbë" në Uashington dhe Bruksel! Është fakt se nuk janë të paktë ata politikanë, analistë politikë dhe qytetarë, mes këtyre të fundit militantë fanatikë të PDK-së dhe LDK-së si dhe edramistë në Shqipëri, që duke u reklamuar si filoamerikanë të flaktë, i interpretojnë kundërshtimet e grupit të kritikuesve të Blinkenit dhe të deklarimit në sinkron me atë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier apo të Borrelit, Viola von Cramonit, Lajçakut..., si shprehje antiamerikanizmi dhe antieuropianizmi. Të mos jesh dakord me disa qendrime, veprime, deklarime të presidentëve, ambasadorëve, misionarëve politikë të SHBA- së, BE-së e të shprehësh zhgënjime, rezerva, kundërshtime publikisht ndaj tyre nuk duhen përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht apo të interpretohen në shqip si shprehje të hapura armiqësie për AMERIKËN dhe BE! Në të kundërtën, të bësh vërejtje dhe kritika publike ndaj presidentëve dhe diplomatëve amerikanë shpreh sinqeritet, kurajo, dëshirë për të ndihmuar, me aq sa mundesh, për të ulur në minimum veprime që cënojnë reputacionin, imazhin, emrin e SHBA-së dhe shkaktojnë zhgënjime ndaj këtij vendi! Ndërsa të heshtësh ndaj veprimeve dhe qëndrimeve të gabuara të disa pushtetarëve dhe politikanëve amerikanë, të cilët pa dashje apo pa vullnet, por nga “fije të padukshme tërhiqen nga ana e Beogradit”, shpreh mungesë sinqeriteti dhe dashurie të vërtetë, por thjeshtë me fjalë të bukura, me deklarata idealizuese apo hymnizuese ndaj AMERIKËS!

Sinjale, shenja, hapa mëdyshës apo të vullnetshëm nga Uashingtoni, për ndryshim qëndrimi ndaj Kosovës dhe për njëanashmëri favorizuese ndaj Kosovës ka pasur qysh gjatë presidencës Trump. Kujtesa dhe arkivi na ndihmon t’i referohemi një deklarate më 7 mars 2020 të analistit amerikan, profesorit universitar Edward Joseph. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, atë ditë, ndër të tjera ai tha se në Uashington po diskutohet edhe ndarja e Kosovës. “Qëllimi i vërtetë” i ambasadorit Richard Grenell, i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, “ishte të arrihet marrëveshja”, duke iu referuar takimit të treshes në Shtëpinë e Bardhë. Po sipas tij, “... unë besoj se bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje apo të ngjashme për të cilën ishin dakorduar gjatë mandatit të Mogherinit. Dhe kjo nënkupton ndarjen e Kosovës, që dikur quhej shkëmbimi i territoreve, por në thelb bëhet fjalë për ndarje, sepse nuk e dimë se sa territor të Serbisë do të përfitonte Kosova. Sipas të gjitha gjasave diçka minimale”! Ashtu siç mund të mbahet mend apo siç mund të gjendet lehtësisht në arkiva, këtë deklaratë të Edward Joseph e hodhi poshtë i dërguari i Amerikës për dialog, Richard Grenell dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Por, sot mund të thuhet më me siguri se koha ka vërtetuar deklaratën e Edwards Joseph për tendencë favorizuese ndaj Serbisë edhe nga SHBA dhe BE-ja dhe jo përgënjeshtrimet e Grenellit dhe të Hashim Thaçit. Në një linjë me Edwards Joseph kanë qenë dhe janë edhe analistët e tjerë të mirënjohur amerikanë Daniel Serwer, Janus Bugajski, David Kanin...Presionit të ri nga sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ndaj kryeministrit të Kosovës lidhur me konfliktin e ri në katër komunat e Veriut të Kosovës, provokuar për kamera nga krerë dhe militantë ultrashovinistë të komunitetet serb, ndërsa e kanë ideimin apo regjisorin e skenarit në kabinetin presidencial të Alekssandër Vuçiçit, këto tri ditë i janë kundërvënë fare hapur, siç e kanë traditë e praktikë profesionale, analistët Jonus Bugajski dhe kongresmeni amerikan Richie Torres.

Ndërsa rishpërndante dhe komentonte deklaratën e Blinkenit drejtuar qeverisë së Kosovës, kongresmeni Torres u shpreh se “Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së”, domethënë Kosovën. Analisti i mirënjohur Jonus Bugajski ishte edhe më i ashpër dhe i drejtpërdrejtë në opinionin e tij. Sipas Bugajskit, shprehur më 26 maj 2023 në Twitter, “Mbështetja e SHBA për Vuçiqin po destabilizon rajonin...Është koha për të mbështetur një revolucion demokratik në Serbi dhe njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet evropiane”! Duke e përmbyllur, logjikshëm shprehet pyetja: po kongresmeni Torres, analistët e mirënjohur Jonus Bugajski, Daniel Serwer, David Kanin, Eduard Joseph..., që prej shumë vitesh i janë kundërvënë në mbrojtje të Kosovës paraardhësve dhe vetë Antony Blinkenit, çfarë mbeten të jenë? Edhe këta duhen akuzuar, damkosur dhe ndëshkuar si antiamerikanë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat