Një opozitë servile fund e krye me hile

Opinione

Një opozitë servile fund e krye me hile

Nga: Dedë Preqi Më: 1 qershor 2023 Në ora: 16:35
Autori Dedë Preqi

Si duket po i përshtatet opozitës së vendit tonë ky lloj tensionimi në veriun e Kosovës, dhe nuk po u bënë përshtypje shteti, por vetëm pushteti, dhe sipas tyre veprimet e qeverisë Kurti, janë vërejtur si të pa arsyeshme në mbrojtjen e Institucioneve dhe shtrirjen e sovranitetit të vendit, duke marrë shkas se janë nxitur grupet e bandave kriminale serbe, të cilët po e kërcënojnë, jo vetëm policinë e Kosovës, por edhe KFOR-in, që kujdeset për sigurinë e këtij vendi.

Nuk është fare lehtë të përshkruash situatën aktuale në veri të Kosovës, ku bandat kriminale serbe qëndrojnë në ballë të kësaj rrëmuje e cila mund të qon në nxitjen e një situate më të rrezikshme, kur qohet peshë një popull i tërë në formën më brutale dhe çnjerëzore, që nuk rrjedh nga prirje normale, por nga prirje të veçanta dhe të planifikuara për të krijuar situata të tilla, duke sulmuar policinë e rendit dhe sigurisë së Kosovës, ushtarët e KFOR-it, nga misioni i NATO-s, dhe mediumet në veçanti ato shqiptare.

Në botën njerëzore nuk mund të lidhet diçka e veçantë ku ndjesia e njeriut e ka parasysh vetëm qenien e vet dhe asnjë një botë tjetër, që do bëhet dhe themeli e çdo sjellje shoqërore, sepse atëherë njerëzit do të trajtohen vetëm si objekte të grupeve dhe pse jo edhe të popujve të nënshtruar, dhe kjo nuk haset vetëm ndër kriza e shpërthime të konflikteve dhe luftërave, por edhe më keq, deri në zhdukje e shfarosje të tyre, ku të njëjtin plan dhe qëllim e kishte dikur Serbia, me regjimin e saj ndaj shqiptarëve në Kosovë, e cila edhe sot po e vazhdon të njëjtën linjë.

Situata tensionuese dhe trazira në veriun e Kosovës, ka pasur që pas luftës në Kosovë, por me këto përshkallëzime të tepruara nga bandat kriminale të Vuçiqit, që po e tregojnë fytyrën e tyre para botës se çfarë është edhe vetë fytyra e Serbisë, prandaj këtu është në pikëpyetje shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, dhe nuk është në pikëpyetje udhëheqja dhe rroli i kryeministrit Kurti, të cilin po e bëjnë fajtor opozita barazi me Vuçiqin dhe në favor të këtyre grupeve kriminale.

Sipas reagimeve të opozitës në lidhje me situatën në veri, sikur po e presin «hasret» që kryeministri Kurti, të zihet në një kurthë, dhe në një mënyrë të shfrytëzohen këto situata që të rrëzohet sa më parë ky pushtet, pa u interesuar se krizat e tilla nuk na dallojnë dhe diferencojnë nga partitë, apo grupet tona shoqërore në këtë vend.

Propaganda dhe shpifje janë fjalimet e opozitës dhe atyre që thonë se Albin Kurti, po na i përkeqëson marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti me SHBA-të, nëse bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA-të, e kanë këtë përshtypje që përmes bandave kriminale dhe politikave fashiste të Vuçiqit, do i përmirësojnë marrëdhëniet dhe do e stabilizojnë Kosovën dhe rajonin në këtë mënyrë përmes kësaj forme çnjerëzore, duke gjuajtur me gur, shkopinj dhe armë automatike ndaj policëve të rendit, ushtarëve të KFOR-it, dhe gazetarëve shqiptarë, dhe nuk bëhet fjalë për kritika dhe as qortime nga qarqet ndërkombëtare, atëherë Kosovës, është duke iu kurdisur diçka tjetër, apo e ngjashme sikur me Bosnjën.

Duhet të thjeshtëson fjalët e kryekuvendarit të Parlamentit të Kosovës, z.Konjufca, i cili thotë se, Kosova dhe populli i këtij vendi nuk është kundër SHBA-ve, por edhe as kundër asnjë populli, por si duket nuk jemi duke u kuptuar mirë apo jemi duke u keqkuptuar me bashkësinë ndërkombëtare, duke ditur se sulmet e bandave kriminale serbe dhe prania e grupeve pro-ruse, paraqesin rrezik për Kosovën si edhe për rajonin dhe kjo situatë kërkon vëmendje edhe për ndërkombëtarët.

Bashkësia Ndërkombëtare si edhe SHBA-të, nuk e kanë vështirë ta sanksionojnë Kosovën, apo ti japin kritika të vazhdueshme kryeministrit të saj z.Albin Kurti, ndonëse mendon dhe vepron ndryshe në favor të vendit të vet, dhe fuqia e tij nuk matet përmes forcës dhe as dhunës, por përmes proceseve demokratike parimore dhe zhvillimore, si dhe duke hedhur dritë mbi faktet themelore dhe të drejtat kushtetutare të këtij vendi në shtrirjen e sovranitetit në tërësinë e Kosovës.

Ndërsa opozita e Kosovës, e ka shumë gabim, e cila po e luan rrolin e servilëve dhe me hile, që po tregohet as mish dhe as peshk, duke menduar se Albinin do e zëmë tani në një grackë, sepse iu ka revanshua edhe bashkësia ndërkombëtare, dhe nuk ka rrugëdalje tjetër, që t’ia marrim pushtetin, dhe përmes reagimeve të tyre më shumë po përkrahen bandat kriminale të Vuçiqit, se po përkrahet shteti dhe qeveria e Kosovës.

Dhe komentet e disa liderëve të opozitës janë aq të çmendura, që mbetën në vëmendjen e opinionit si elemente të tilla të ndonjë përkatësie tjetër dhe jo shqiptare, që burojnë nga emocionet e prishura apo nga pa aftësia për të logjikuar në mënyrë të shëndetshme dhe njerëzore, por pse jo edhe vëllazërore, nëse kryeministrin e vendit tënd që është duke u përpjekur dhe duke e udhëhequr vendin në mënyrën më serioze dhe konstruktive, dikush e quan edhe psikopat apo manjak, që në realitet është dikush tjetër, që nuk dorëzohet dhe nuk i nënshtrohet armikut dhe as servilëve të tij, i cili e merr përgjegjësinë edhe për gabimet e të tjerëve, që i kanë bërë dëm këtij populli dhe shteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat