Kuvendi i një mashtrimi social

Opinione

Kuvendi i një mashtrimi social

Ilir Levonja Nga Ilir Levonja Më 2 nëntor 2023 Në ora: 12:48
Kuvendi i Shqipërisë

Kaosi i Kuvendit nuk është asgjë tjetër veçse kaosi i jetës së shqiptarëve. Nuk ka asnjë lloj morali tjetër veç atë të fundit të një epoke nga më të dëmshet në këto 33 vjet demokraci, epokën Edi Rama. Karriket e përmbysura nuk bëjnë pis realitetin shqiptar, përkundrazi e qartësojnë atë, karriket apo tymueset po bëjnë pis kostumet firmato, makiazhet, botokset e mollzave të zonjave apo zotërinjëve, mashtrimit social a epokal të demokracisë sonë të brishtë. Kushedi sa syresh janë më të pasur se shenjestrat e tyre, megjithatë janë kaq të aftë sa vëmendjen sociale ta mbajnë mbi dy emra, Sali Berisha a Ilir Meta.

Ka marrë fund dhe kthejeni si të doni, uji që nuk qarkullon, qelbet. Zonjat apo zotërinjtë e Kuvendit janë mashtrimi total social i yni pasi nuk janë intelektualë që janë prodhim i kolegjialitetit, por i emërimeve, i rryshfetit investim për një diplomë apo një vend në Kuvendin e shqiptarëve. Kur dëgjoni një kryeparlamentare që flet në emrin tuaj, për interesa non gratash, kthejuni memories dhe mos u mashtroni nga makiazhi i saj i shtrenjtë. Mos u shkumosni me Berishën etj., madje injoroni totalisht ata që merren me atë. Pasi kanë një qëllim, të heqin vëmendjen nga dështimi i tyre. I kanë brenda vetes të gjitha modelet, nongratën me përfaqësues PSD dhe kryetarin e saj. Krimin, qoftë ekonomik, qoftë politik, zgjedhor dhe krimin e përditshëm të vrasjeve, grabitjes së pronave, të fadromave shtetërore.

Për më tepër, të grbaitjes së pronave tuaja me gjoja investime strategjike. Por krimin më të madh social e kanë karshi popullit opozitar. Sot Kuvendi i vendit tonë nuk ka asnjë hallkë opozitare e cila mund të përfaqësoj dhe balancoj pushtetin, kushti bazë në funksionimin e një demokracie. Kryeministri është po aq president, po aq kryetar Kuvendi, po aq shef gjykate, po aq komisioner zgjedhor, shkurt një diktator. Sot televizionet dhe gazetat, janë totatilsht të blera. Vetëm në qeverisjen Rama opozitarizmi apo balanca e pushtetit mbahet nga një apo dy kanale televizive publike. Po ta vini re, shumë syresh e kishin si lajm të parë një draft propozim me gjoja arkitektin Rama për të zgjidhur konfliktin Kosovë Serbi. Janë bullshite propagande pasi askush tjetër veç qytetarëve të Kosovës martire nuk i takon të flasi për fatin e dheut të Dardanisë. Edi Rama bridhte rrugëve të Parisit kur djemtë e Kosovës luftonin për lirinë.

Në gjithë qeverisjen e tij, nuk u mor kurrë me fatin e shqiptarëve në luginën e Preshevës, merret me drafte propozime për Kosovën dhe Serbinë. Eshtë propagandë dhe asgjë tjetër, pasi Kosova po luan vet dhe po luan shkëlqyer, Shqipëria asesi nuk i takon të flasë me kokën e Edi Ramës, por me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës. Ato që thotë ai janë shplarje truri. Dhëntë Zoti dhe opozita e ka marrë serioziht si duhet, pasi Edi Ramës i ka ardhur fundi. Kjo është një beteje që do këllqe dhe jo vetëm ca shashka tymuese, do vazhdimësi pasi askush tjetër nuk mund ta ndezi fatin e transformimit të Shqipërisë nga një republikë diktatoriale, në atë parlamentare, veçse opozita. Nuk bëhet më fjalë për një komision hetimor, asesi. Por për shpërndarjen e Kuvendit, për zgjedhje të reja.

Nuk zgjidhen hallet e Shqipërisë me komisione hetimore, me opozitë byrekësh, me opozitë prit dhe pak nga gjykata, nga kjo apo ajo. Një shtetar që nuk ka limite, që nuk i njeh ato, është diktator dhe jo qeveritar demokrat. Nëse Shqipëria kthehet nesër në monarki, nuk është faji i shqiptarëve, është i opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat