Perëndimi përmes pesë vendeve të QUINT-it në Prishtinë dhe NATO përmes KFOR-it në Kosovë doli kategorikisht kundër, Kurti dhe Qeveria e Kosovës "lundrojnë" në të njëjtat valë me interesat sllavo-ruso-ortodokse në Gadishullin Ilirik, derisa "Bota serbe" dhe Vučiçi ferkojnë duart.
Urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik e hap ai që e ka mbyllur për arsye sigurie, dhe kjo ndodh derisa të ekzistojnë ato në vlerësimin e tyre, dhe ai është Amerika, në krye të NATO-s, padroni i vetëm dhe i padiskutueshëm i sigurisë, paqes dhe lëvizjes së lirë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, të çliruar prej saj nga Serbia më 12 qershor 1999.
Urën mund ta hapë NATO dhe jo Kurti!
Kurti nuk e ka hallin e hapjes së Urës, por të rejtingut të pushtetit, dhe përmes saj e do Veriun e Kosovës në tension si kartë profitabile populiste për ruajtjen e pushtetit, përmes së cilës zhvendos vëmendjen e turmave trushpërlara nga mosmbajtja e premtimeve elektorale dhe dështimeve në qeverisje, që nga kolapsi në ekonomi, izolimin ndërkombëtar të vendit dhe deri te sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Kosovës.
Kurti dhe "kauza" e Urës!
Kurti, për kauzat e rreme, ka "vrarë" Monin dhe Arbenin, madje për kauza anti-kombëtare dhe anti-shtetërore, ka "vrarë" (duke e quajtur drejtë vetëvrasjes) edhe Astritin, pa përjashtuar këtu edhe rënien në detyrë të heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator të vitit të kaluar, si pasojë e diskursit sovranist, agresiv, përplasës dhe të pa koordinuar me aleatët perëndimorë dhe partnerët tanë strategjikë, siç janë BE dhe SHBA-të në krye të Aleancës Veri-atlantike-NATO!
Ura mbi Ibër është e Kosovës dhe në Kosovë, dhe është interes jetik i yni; hapja e saj edhe për trafik është e rëndësishme, por jo pa miratimin e KFOR-it dhe me çmimin e përplasjes së kokës për muri, përkatësisht e konfrontimit me përgjegjësit e sigurisë në Urë dhe në të gjithë Kosovën - NATO.
Përplasja eventuale me NATO-n, jo vetëm që nuk do të hapte Urën mbi Ibër për trafik, por do të detyronte Amerikën të rishqyrtonte kredencialet e dhëna falas Kosovës dhe qytetarëve të saj, sidomos pas Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Në një rast të tillë fatkeq, Republika e Kosovës do të urdhërohej dhe detyrohej të tërhiqte njësitë e Policisë së Kosovës nga Veriu i vendit, dhe kështu do të largohej nga Veriu i vendit, duke lënë pas vetëm institucionin legal të sovranitetit shtetëror atje, duke pësuar fatin e pushtetit lokal, organeve të rendit e ligjit, si dhe të Sistemit të Drejtësisë (Prokuroritë dhe Gjykatat). Një skenar i tillë do të ishte preludi i implementimit të autonomisë serbe në Veri, të cilën ia dha Kurti me Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit, dhe një akt i tillë nuk mund të lexohet ndryshe, përveçse realizim në praktikë i agjendës së "botës serbe" për Kosovën.
Kurti do të justifikohej kështu:
"Provova të gjitha mundësitë për shtrirjen e sovranitetit, por pa sukses, sepse përballë nesh, përveç Serbisë armike, kishim Opozitën dhe Perëndimin, por pavarësisht kësaj, dëmi i shkaktuar do të ishte i pariparueshëm për të sotmen dhe të ardhmen e brezave."
PS.
Albin, mos ia bëni sikur me "Bashkimin Kombëtar", për të cilin pas ardhjes në pushtet dhe tërheqjes nga kjo kauzë populiste, deklaruat: "Nuk e lejojnë Kushtetuta", dhe për targat, kur e tërhoqët vendimin për implementim, me arsyetimin: "KFOR-i kishte informata më shumë se sa ne për sigurinë në Kosovë!"