Në cilën anë do të jetë Britania e Madhe?!

Opinione

Në cilën anë do të jetë Britania e Madhe?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 2 mars 2025 Në ora: 13:41
Donald Trump mban një letër nga Mbreti Charles III i Britanisë gjatë një takimi dypalësh me Kryeministrin Britanik Keir Starmer në Zyrën Ovale © Jim WATSON / AFP

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ishte për bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump. Vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë erdhi pas disa përplasjeve sidomos midis Starmer dhe Elon Musk. Megjithatë kreu i ekzekutivit britanik e surprizoi presidentin amerikan me një letër të mbretit Charls. Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar i kishte dhënë një letër shefit të ekzekutivit për t’ia dorëzuar dorazi presidentit Trump.

Ndërkaq vlerësohet se gjesti i Mbretit anglez është i pazakontë. Për herë të parë një mbret anglez thyen rregullin dhe e fton presidentin amerikan për vizitë, madje duke i lënë mundësinë që të zgjedhë një prej dy vendtakimeve, përkatësisht në Herrenhaus Dumfries House ose në Schloss Balmoral, afër fushës së golfit të Donald Trump në Skoci. Për herë të parë në histori ndodh që një president amerikan të ftohet zyrtarisht me nderime në mandatin e tij të dytë. George W. Bush dhe Barak Obama janë të vetmit presidentë të ftuar nga Mbretëria e Bashkuar në mandatin e dytë, por për një çaj ose pritje të rastit. Donald Trump u ftua kësaj radhe me të njëjtën ceremoni si në mandatin e parë të tij nga ana e Mbretëreshës Elisabeth e Dytë.

Presidenti Trump e hapi letrën e ftesës së Mbretit Charls në sy të kamerave. Madje me një kënaqësi të pazakontë. I entuziasmuar dhe me një lloj krenarie. Në letër shkruhej se “Në të dy vendtakimet e propozuara ne kemi shumëçka për të parë dhe për të shijuar”! Ndërkaq letra i bën me dije presidentit amerikan se gjatë kësaj vizite të dytë shtetërore ata do të kishin rastin që të bisedonin për interesat e përbashkëta. Mbreti Charles e konsideron vizitën e presidentit Trump si një ngjarje historike. Dhe në mbyllje ai shkruan: “Nëse ne do të bashkëpunojmë, jam i bindur se ne marrëdhëniet midis dy vendeve tona do t’i forcojmë edhe më tej”! Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin e Mbreti i Anglisë këtë vizitë e konsideron si një “hap të pashembullt” dhe e mbyll me urimin “Përzemërsisht Charls”! Ndërkaq Trump nuk e fshehu kënaqësinë për një ftesë të tillë. Ai e konsideroi atë një nder të madh për të dhe tha se “në të ardhmen e afërt do të udhëtojë për në Britaninë e Madhe”!

I citova këto të dhëna për të theksuar se tronditja që ka shkaktuar në Europë dhe Britani ndryshimi i kursit amerikan në marrëdhëniet dhe aleancat ndërkombëtare është e jashtëzakonshme. Ndaj dhe ftesa për Donald Trump është gjithashtu krejt e pazakontë. Angazhimi direkt i Mbretit Charls dëshmon se sa jetike është aleanca e të dy vendeve tradicionalisht në miqësi të ngushtë. Ne ishim mësuar me faktin se çdo president amerikan të parin vizitor në Shtëpinë e Bardhë të ketë pritur kryeministrin britanik, pavarësisht ngjyrave të tij. Kësaj radhe Starmer u prit pas disa kryetarëve të shteteve. Të parët ishin Netanjahu, Mbreti Abdullah i Jordanisë, princi saudit, presidenti Macron e ku e di se kush tjetër. Pastaj erdhi në radhë kryeministri britanik. Dhe pas Starmer ndodhi ajo që ndodhi të premten e shkuar me Volodimir Zelensky.

Bota është në prag katastrofe. Presidenti amerikan ka vënë Amerikën të parën. Kjo e detyron atë të ri dimensionojë aleancat e shtetit më të fuqishëm të botës. Por kjo ka shkaktuar “kataklizmin” evropiane. Vendet e Evropës nuk u përgatitën për një kthesë si kjo, për një aleancë amerikano-ruse, e cila ve në rrezik sigurinë e kontinentit të vjetër. Në këto kushte Britania e Madhe nuk ka interes të humbasë aleatin e saj më të rëndësishëm, SHBA-të. Ndaj dhe Mbreti Charls po bën të pamundurën për ta rikthyer këtë aleancë shekullore. Por çdo të thotë për Evropën kjo? Ajo do të ndjehej krejt e vetme përballë “ariut rus”! Ukraina është prova e zjarrit. Ajo dukert se do të shërbejë për të rivendosur ekuilibra të rinj në aleancat e Fuqive të Mëdha tradicionale dhe jo tradicionale. Evropa nuk bën dot për një kohë të gjatë pa Amerikën. Aq më pak edhe pa Britaninë e Madhe. Cili do të jetë fati i saj! Evropa ka nevojë për një lider, për një vijë unike politike, për një aleancë sigurie të pacenueshme. Bla bla bla-të pa veprim tashmë nuk e ndihmojnë atë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat