Edi Rama në pasiguri e panik...!

Opinione

Edi Rama në pasiguri e panik...!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 25 mars 2025 Në ora: 09:33
Xhevat Mustafa

Gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit 2025, ndoshta nga "kujtesa e dobët" apo "shterpësia e fantazisë" për të sajuar premtime të reja me garanci të madhe përmbushjeje, Edi Rama ose po përsërit premtime të harruara nga zgjedhjet parlamentare apo për pushtetin qendror më 2013, 2017, 2021 dhe nga zgjedhjet për pushtetin vendor mes tyre, ose po kapet nga premtime si në degë shelgjesh buzë përrenjve, sidomos tek ato me lidhje me afatin dhe përfitimet nga anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në BE! Falë njohjes së mirë të mendësisë dhe karakterit prej skllavi si dhe partishmërisë së verbër të “popullit” dhe të elektoratit 80 vjeçar “të majtë”, që lumturohet sa të puth duar e këmbë e të thur vjersha e këngë, kur e mashtron, edhe për mbi 80 vjet sy më sy, në mënyrë të qëllimshme abuzive apo manipuluese, Rama i reklamon këto si suksese e merita personale për atë si kryeministër e partiake për PS- në, duke u bërë edhe më shumë qesharak e i pabesueshëm!? E bën këtë mashtrim të trashë edhe pse është në dijeni të plotë se në Bruksel e Tiranë, drejtues e misionarë politikë të BE- së, e kanë bërë të qartë në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht... dhe shqip se përfitimet nga anëtarësimi i plotë në BE, nuk kanë si kusht ekskluziv se cila parti apo cili lider është në pushtet! Pra, se nuk janë shprehje mëshire e tolerance apo dhurata personale e partiake për Edi Ramën e PS- në ose për Sali Berishën dhe PD- në e tij, por për Shqipërinë dhe popullin shqiptar!

Të shtrembërosh këtë të vërtetë për demagogji e mashtrim nënkupton dhe shpreh se Edi Rama i pandeh shumicën e shqiptarëve mbi 18 vjeç ose fëmijë, ose naivë, ose budallallenj, sa mund t’i mashtrojë fare lehtë si gjatë 47 viteve Enveri dhe Ramizi dhe t’ua bëjë mendjet apo trutë si ato të vet...!? Këtë ai e shpreh edhe në emisionet e lajmeve të televizioneve, de jure publike e të pavarura dhe de facto të varura nga firmat dhe mesazhe-urdhërat e tij ose nga dikush tjetër pranë tij, i autorizuar që të përcjellë poshtë “fermanët” apo “direktivat” kryeministrore. Për ditë kryeministri del me zë e figurë rreth 15', në 4- 5 kronika e video, sa këto televizione mund të emërtohen edhe ERTV 2, 3, 4...!? Nëpër to ai flet apo përrallis si t’ia thotë truri, pa frerë në gojë dhe fjalor, pa u merakosur se e dëgjojnë jo vetëm tufa e turma nga anëtarësia dhe elektorati “i majtë”, por edhe fëmijë dhe femra, nga 10 deri 80 vjeç!? Për të krijuar imazhin se fjalimet e tij priten jo vetëm me vëmendje dhe interesim, por edhe me të qeshura, nga operatorët televizivë, “peshkohen” disa të pranishëm, sidomos femra të reja, "duke qeshur" si kukulla të telekomanduara apo duke e filmuar me kamerat e celularëve për ta ruajtur figurën e tij përjetësisht në arkivat personale, për kujtim e nostalgji për Skënderbeun e gjallë apo të shekullit 21 e për liderin global, që nuk gjendet në Tiranë as edhe në një mëhallë...!?

E pra, "të qeshësh" me batutat apo budallallëqet e Edi Ramës kjo ndodh disa herë në ditë nga turma e partiakëve, administrativistëve, patronazhistëve... të përzgjedhur, për të bërë spektatorët dhe duartrokitësit, si të telekomanduar, të monologëve, skeçeve dhe parodive" të tij të rradhës! Ata sforcohen ose aktrojnë të qeshin e buzëqeshin, edhe pse e kuptojnë se jo rrallë herë ai flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës apo si një aktor mediokër estrade amatore të kohë së Enverit...!? Por, nuk kanë edhe faj! Duhet të bëjnë sikur qeshin dhe miratojnë gjithçka që del nga goja e tij, që të ruajnë vendin e punës ose emrin në disa bordero e në listën e mbyllur ose të hapur, për zgjedhjet e 11 majit 2025! Përndryshe: të nesërmen, derën e zyrës për të ikur përfundimisht e për t’i humbur këto përfitime, e kanë të hapur...! Të duartrokasësh Ramën kur "rrëfehet" se "është martuar disa herë për të gjetur shpëtim", kur shumica e shqiptarëve e dinë mirë se në të kundërtën, kanë gjetur shpëtim prej tij femrat që ai i ka masakruar fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht, shpreh jo vetëm miratim të gënjeshtrës së tij, por edhe të veprimeve të tij të dhunshme! Njëherazi, shpreh edhe militantizëm partiak dhe servilizëm në karakter, deri në sy e gojëmbyllje ndaj të këqijave, që nuk janë sajime e thashetheme, por ngjarje të ndodhura e të përjetuara...!!!

Në lajmet e dt.18 mars Edi Rama këputi një kumbull fare të papjekur, edhe më të madhe se më parë . Duke e pandehur dhe reklamuar veten si të vetmin më të mençur ndër klasën politike shqiptare, si shpëtimtar e ZOT për Shqipërinë dhe shqiptarët mashtroi vetëm vetveten se objektivin e anëtarësimit në BE më 2030, pra në mandatin e tij të pestë, mund ta përmbushte vetëm ai individualisht dhe, nënkuptueshëm, kryeministërlleku i tij 20, 25, 30 vjeçar...! Domethënë, duke shtuar dozën e humorit, se ky objektiv mund të arrihej vetëm nën udhëheqjen e tij largpamëse dhe mendjendritur!? Natyrisht, shumica e atyre që e kanë parë dhe dëgjuar nga ekranet e televizorëve, edhe nga ky deklarim qesharak e i pasinqertë, edhe nga fytyra, sidomos nga sytë dhe gjestet e kryeministrit e nga fjalori i tij i padenjë për postin, kanë kuptuar se ai po përjeton ditë e netë të vështira apo dramatike, për deri sa flet si përçart, si një i dehur apo i droguar nga një dozë e fortë...! Si për t’iu kundërvënë “optimizmit paraelektoral ” të Edi Ramës për mundësinë teorike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE në afatin e përfolur më shumë, 2027-2030, në mes mars 2025 nga Brukseli erdhën zëra të mirinformuar se shqiptarët bëjnë mirë të mos e marrin si të sigurt apo të padiskutueshëm këtë afat fillestar! Domethënë, se dita e anëtarësimit mund të vijë në një afat më të largët, kuptohet në vartësi të përmbushjes së kushteve nga qeveritë e Tiranës e të ndryshimeve në planifikime nga vetë BE...!

Gjendja e brendshme e Edi Ramës, që nuk fshihet nga dozat e humorit, kuptohet më mirë nëse kujtojmë se ndryshe nga marsi 2021 ai nuk ka në mars 2025 praninë dhe mbështetjen e fortë nga "kukulla", ambasadorja Yuri Kim si dhe nga misioni i BE në Tiranë. Sidomos Yuri Kim, nënkuptueshëm pas saj Soros, Blinken, Biden ishin paracaktues për rezultatin zgjedhor më 2021. Ambasadorja “harroi” se çfarë detyre kishte dhe cilin shtet përfaqësonte, kur arriti ta uronte Rama-partinë për “fitoren” edhe kur ishte tek gjysma e punës procesi i numërimit të votave dhe kur e dinte fort mirë se në shumicën e qendrave të votimit në Shkodër, Durrës, Elbasan, Dibër..., kishin vendosur më shumë se votat e votuesve milionat e Çyrbeve, Dakove, Lul Berishave, Gjicëve, Doshëve, Ballave...Prej Amerikës Soros, merret me mend se Edi Rama kishte të pashkruar mesazhin e fortë në anglisht e shqip: "bëj ç'të duash dhe fito me çdo rrugë, mënyrë, faturë...!" Krahas këtij faktori ndërkombëtar Rama- parti- qeveria nuk do ta kenë si më 2021 edhe sy e gojëmbylljen e plotë nga SPAK, bile as nga KQZ, sepse këtë herë këto institucione nuk e kanë të lehtë të pranojnë bashkautorësinë dhe bashkëfajësinë në një "fitore" të re të pistë, si të mëparshmet...!?Nuk kërkohet vramendje e fortë për të kuptuar se kjo gjendje pasigurie e paniku e Edi Ramës mund të ketë lidhje edhe me informacionet e freskët nga Uashingtoni e nga Tirana, nga Shtëpia e Bardhë, DASH, nga Dhoma e Përfaqësuesve e Senati Amerikan për rihapjen e dosjes Xhorxh Soros - Charles McGonigal-Albania dhe për fatin e keq të mikut të tij Donald Lu e të mikeshës Yuri Kim, nxjerrë e lënë jashtë derës së DASH-it të Marco Rubios..

.Mund të mendohet se më shumë se keqardhje për fatin e mikeshës Yuri Kim në Uashington, miqtë dhe mikeshat e saj në Tiranë, mund të ndjejnë pasiguri e frikë. Ndoshta ajo, për të qëndruar sa më gjatë në detyrën e re, në sektorin e eficencës dhe përgjegjësisë, funksion tejet i padenjë për një ish ambasadore, ish zv. Sekretare në DASH, ish diplomate karriere me gradë të lartë diplomatike...si dhe për të shmangur një dënim të rëndë pas hetimit për çështje penale, bën kompromis me prokurorët. Domethënë, si një e penduar, mund të gjykojë si më të leverdishme të rrëfehet për punët dhe lidhjet gjatë mbi 3 viteve në Tiranë, me takime të shpeshta e miqësore me Edi Ramën, Erion Veliajn, Olta Xhaçkën, Linda Ballukun, Elisa Spiropalin, Taulant Ballën, Delina Ficon...! Nuk përjashtohet edhe mundësia që humbja e vetëpërmbajtjes në deklarime, premtime, frazeologji dhe gjeste e Edi Ramës ta ketë burimin edhe nga "ftesat" e pritshme të SPAK- ut, “jo për kafe miqësore”, për të tjerë e të tjera nga krahët e tij të djathtë e të majtë, aq të shumtë, ngjashëm me tentakula oktapodi...!? Truri i Edi Ramës mund të llogarisë si një rrezik i mundshëm dhe i pritshëm edhe fillimin e serialit të intervistave të modelit Arben Ahmetaj edhe nga viktima më e freskët e tij, Erion Veliaj..! Eh, sa shumë rrufe në ditë me diell pranveror i kanë rënë në prag zgjedhjet e 11 majit 2025 Edi Ramës të gjorë dhe ekipit të tij ministror, nga dita në ditë njeri më shumë se tjetri më i pasigurtë në se do të arrijnë në fund të mandatit në shtëpi apo në ndonjë...qeli!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat