Pse nuk shkove Lumir!?

Opinione

Pse nuk shkove Lumir!?

Mimozë Lakna Rogova Nga Mimozë Lakna Rogova Më 9 prill 2025 Në ora: 14:14
Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Ndonëse zgjati më shumë se një muaj, fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit si duket nuk qe e mjaftueshme që qytetarët t’ia besojnë shumicën e votave njërit apo tjetrit krah politik. Gjatë fushatës zgjedhore qytetarët ishin të ndarë në dy grupe, ata që ishin pro Lëvizjes Vetëvendosje dhe të tjerët që ishin pro partive opozitare. Kjo ndarje nuk është e re, pasi në vitet e kaluara, politikat e tensionuara dhe përplasjet mes grupeve të ndryshme politike kanë ndihmuar në krijimin e një polarizimi të thellë të shoqërisë sonë.

Vetëvendosja doli si partia e parë me më së shumti vota nga zgjedhjet e 9 shkurtit, me 396,022 vota, apo 42.27% – duke siguruar kështu 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Kjo është një fitore e rëndësishme, por, ndonëse ka shumicën parlamentare, LVV po has në vështirësi për të krijuar qeverinë dhe institucionet e reja.

Këtë pengesë duket t’ia ketë shkaktuar diskursi "arrogant" gjatë fushatës zgjedhore, ku kjo parti nuk hezitoi të hidhte “vrer” ndaj partive opozitare, PDK, LDK e AAK, pa kursyer të paktën njërën prej tyre!

Kjo ka revoltuar opozitarët.

LVV, siç e tha edhe nënkryetari i saj, Glauk Konjufca kishte bindjen se do t’i fitonte 500 mijë vota.

Megjithatë, ky qëllim mbeti i pa realizuar, duke kaluar në "planin B."

Në këtë situatë të tensionuar, kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ftoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për diskutime rreth formimit të institucioneve të reja para mbajtjes së mbledhjes konstituese më 15 prill. Por, Abdixhiku refuzoi kërkesën e Kurtit, duke ia kujtuar pikërisht fushatën zgjedhore dhe deklaratën e bujshme kundër opozitës që e kishte bërë gjatë natës së shpalljes së fitores në kryeqytet.

Përkrahësit e LDK-së duket se e mbështetën Abdixhikun në këtë refuzim, por gjithashtu pati nga ata që e panë këtë si një hap të ngurtë dhe të dëmshëm për interesin afatgjatë të Kosovës.

Në arsyetimin e tij, Abdixhiku përmendi të kaluarën e LDK-së, e cila ka qenë vazhdimisht e akuzuar për koalicionet me PDK-në, edhe pse shpeshherë këto koalicione ishin të imponuara nga rrethanat politike.

Për shumëkë, ky refuzim ngre pyetje mbi mundësinë e një bashkëpunimi të mundshëm mes LDK-së dhe LVV-së, edhe pse të dyja partitë kanë luajtur role të ndryshme në procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. LDK, si një parti që ka qenë pjesë e momenteve kyçe të ndërtimit të shtetit, që nga periudha e presidentit Rugova, ka një përgjegjësi të veçantë në procesin e konsolidimit të institucioneve dhe ndihmës për stabilizimin politik të Kosovës.  Prandaj, shumë besojnë se një bashkëpunim i mundshëm me LVV-në do të ishte në interes të Kosovës, që tashmë nuk ka luksin të humbë kohë dhe të futet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Kosova ndodhet gjithashtu përballë një sfide të jashtme. Serbia vazhdon të kërcënojë me veprime destabilizuese, ndërsa presioni ndërkombëtar mbetet i pranishëm. Ndërkombëtarët, përmes sanksioneve dhe angazhimeve diplomatike, kërkojnë nga Kosova që të ruajë stabilitetin politik dhe të avancojë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kuadër, një zgjidhje politike brenda vendit është urgjente për të shmangur një krizë të thelluar.

Nëse Abdixhiku do ta kishte pranuar ftesën e Kurtit dhe do t’i kishte paraqitur LVV-së një listë me kushte për koalicion, mund të kishim pasur tashmë diskutime për formimin e qeverisë së re. Një koalicion i mundshëm do të mundësonte jo vetëm formimin e institucioneve të reja, por gjithashtu një bashkëpunim të nevojshëm për stabilitetin politik dhe zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat