në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, shqiptarisht apo paradoksalisht, jemi të detyruar të zgjedhim mes dy të këqijave! Domethënë mes të keqes më të madhe, “të majtës” me 68 vjet të kobshëm apo të humbur në pushtet dhe mes “të keqes më të vogël”, “të djathtës”, me 12 vjet as të ferrshëm e as parajsor në pushtet! Jemi mes dy të këqijave e pa zgjedhje e zgjidhje shumë më të mirë se ato, edhe për konjiunkturën gjeopolitike evropiane, sidomos të marrëveshjeve të Fuqive të Mëdha fituese në Luftën e Dytë Botërore...! Por, edhe për mendt tona të kresë si popull; edhe për nivelet tona të ulët për nga emancipimi qytetar, kulturor, demokratik dhe të lartë për nga katundarizmi, fanatizni dhe militantizmi partiak, sidomos majtas, deri në shkuarjen pas partive dhe kryetarëve të zemrës, si kope apo si tufa...!
Më shumë se për fatin tonë të keq, për intriga të pas kulisave në vend e në botë, që e kanë bërë Shqipërinë një “kënetë korrupsioni” apo një “kombinat korruptimi”, edhe partitë e vogla, me kryetarët dhe kryesitë që kanë, mbush jo me engjëj dhe jo me të pa njolla të hershme e të freskëta, nuk mund të bëjnë dhe ofrojnë një alternativë të tretë, ndjeshëm më të mirë se dy të moçmet! Për të justifikuar situata kohore e shpirtërore të ngjashme, populli ka krijuar dhe ka përdorur shprehjen, me një dozë pragmatizmi dhe filozofizmi: “kur nuk ke pulën, je i detyruar të hash edhe sorrën”! Sipas kësaj logjike, edhe e mira dhe e keqja, si dukuri e koncepte, si mendësi dhe praktika..., ashtu si zgjuarsia e lindur, aftësia, profesionalizmi dhe intelektualizmi; si idealizmi dhe ndershmëria; si bukuria fizike e shpirtërore e njerëzve; si partishmëria e fanatizmi; si korrupsioni e kriminaliteti; si talenti dhe interpretimi në letërsi, muzikë, teatër, kinematografi...,kanë nivele apo shkallë...!
Duke “ia harruar”, “falur”, mos ia llogaritur 47 vitet e diktaturës komuniste, identifikuar me emrat e Enver Hoxhës e të Ramiz Alisë dhe 8 vitet me qeverisjet e Fatos Nanos, Ylli Bufit, Vilson Ahmetit, Pandeli Majkos, Ilir Metës, mund të thuhet edhe pa gabuar, edhe pa doza anshmërie djathtas se PSSH, edhe për vetëm rreth 12 vitet me Edi Ramën si kryetar e si kryeministër, me qeverisje shquar apo karakterizuar nga nivele të larta paaftësie profesionale dhe drejtuese; papërgjegjshmërie juridike e morale; pandjeshmërie njerëzore, sociale, kombëtare, korrupsioni..., është bërë me trutë, firmat, vulat, veprat e veta “e keqja më e madhe” për Shqipërinë dhe për shqiptarët si komb.
“E majta” apo Rama-parti-qeverisja janë bërë e keqja më e madhe, edhe për gjëmën se me ikjen në këta 34 vjet të rreth 1 milionë frymëve dhe në këta 12 vjet 1 milionë të tjerëve si emigrantë, kryesisht të moshave të reja dhe të arsimuar, nuk ka mbet më POPULL, që djeg Parisin dhe rrëzon presidentin Holand pse ju rrit çmimi i karburantit me 10- 20 cent! Po sipas meje, nuk janë POPULL ata qindra militantë partiakë, që kërcejnë si të droguar në takime elektorale me Edi Ramën, Linda Ballukun, Taulant Ballën, Elisa Spiropalin, Ogerta Manastirliun..., kur shumica e këtyre janë varfanjakë me 10.000- 15.000 lekë pension, ndërsa çmimet janë më të lartë rreth 50- 100% në krahasim me 2013 e rreth 30- 100% me Gjermaninë! Apo edhe më keq: kur plot prej këtyre e shesin votën për 100- 500 euro, për 1 qese me ushqime e 1 thes me veshje?!
A mund të vijë e pritet prej këtyre turmave me nivel të ulët formimi arsimor, kulturor, qytetar, politik, demokratik...votë e ndershme dhe e ndërgjegjshme popullore si dhe ndryshimi rrënjësor për të dalë nga kjo "humnerë septike"??? Në të kundërt, votat e këtyre të shitura, shumica fare lirë ose të hedhura verbërisht, mund ta mbajnë peng e në këtë gjendje vendin edhe një mandat tjetër..., na dashtë ZOTI e BOTA MIKE jo edhe më gjatë!? Këtu, në këtë vend, gënjeshtra apo mashtrimi, edhe në format më të trasha e qesharake, edhe kur njerëzit shikojnë të vërtetat me sytë e tyre të ballit, janë mendësi, traditë, praktikë rreth 80 vjeçare, Fatkeqësisht, duket, kuptohet, shprehet edhe se "populli i majtë" lumturohet sa harbohet, si në kohën e Enverit e të Ramizit me valle e këngë në farsa apo maskarada elektorale, kur e mashtrojnë dhe tallin sy më sy e krejt hashiqare, sikur shumica të ishin fëmijë çerdhesh e kopshtesh apo të viteve të para të shkollave fillore apo 9 vjeçare...!!!
Është bërë e kuptueshme qysh para shumë viteve se Enver Hoxha pati kohë të gjatë në dispozicion dhe ka investuar shumë, me skenar dhe synim antishqiptar, për trushplarjen e sa më shumë shqiptarëve! Sidomos, për ta majtizuar apo shkatërruar "njeriun e tij të ri" nga besa, sinqeriteti, ndershmëria, mirënjohja, njerëzillëku... Njëherazi, edhe për ta varfëruar shpirtërisht e për nga niveli arsimor e kulturor, për nga emancipimi qytetar e demokratik. Enverizmi apo pseudomajtizmi i shumicës së "popullit të majtë", që shkon jo në raste të rralla e jo në përmasa të pakta, deri përtej vetësakrifikimit individual e familjar dhe antishqiptariznit, bëhet rrjedhimisht e keqja jonë më e madhe! Ai po e mban Shqipërinë prej mbi 80 vjet në këtë gjendje dhe peng të një skenari të lexueshëm e të suksesshëm serbo- greko- rus...! Synimi kryesor i këtij skenari është që Shqipëria të mos bashkohet, të mos zhvillohet, fuqizohet, demokratizohet, të mos integrohet në BE as më 2030, siç pandeh apo mashtron Edi Rama...! më SHQIP: që Shqipëria të mos ketë as shtet demokratik dhe ligjor funksional, as mirëqenie ndjeshëm më të lartë, as perspektivë, por të mplaket e mpaket në rreth 1 milionë banorë! Dhe suksesin e këtij skenari serbët, grekët, rusët..., po e arrijnë, nën hundën edhe të aleatëve të mëdhenj amerikanë, pa ushtri të tyre, por me jo pak politikanë e pushtetarë mercenarë gjase shqiptarë!!!???
Në këtë vorbull arritjesh dhe dështimesh, skandalesh dhe arrestimesh deri në nivele ministrash dhe zv.ministrash, drejtorësh, deputetësh, kryebashkiakësh...Edi Rama është marramendur aq fort sa reklamohet sikur nuk ka kuptuar as vetë se çfarë ka bërë më shumë! Të mira apo të këqija? Rritje apo ulje? Apo, nëse e ka bërë PS-në e “të majtën” allashqiptare pak më evropiano-perëndimore e pak më të mirë e një të keqe pak më të vogël se ato që mori nga duart e Fatos Nanos...? Nëse ia analizojmë me objektivitet dhe me ndershmëri, cilësi që i mungojnë krejt ose ajo i ka në nivel minimal, mund të befasohemi nga përfundimet. Rama-qeveria në këta afro 12 vjet na ka rritur sa ka dashur dhe mundur çmimet dhe taksat e ca të këqijaza të tjera, me qëllimin dhe "dëshirën e mirë" që të na rrisë edhe...hallet e mbijetesës dhe varfërinë! Sepse, Rama- qeveria është aq e mençur sa të kuptojë dhe aq e ligë sa ta shfrytëzojë se një popull i përmbytur nga hallet e varfërisë, mashtrohet dhe qeveriset më lehtë e më gjatë!? Në këta afo 12 vjet Rama-qeveria na ka rritur shumëfish nivelet e korrupsionit dhe kriminalitetit; të kanabizimit, të kullëzimit, betonizimit, inceneratorizimit, emigracionit..., sëmundshmërisë, vdekshmërisë, divorceve...! Na ka rritur edhe orët pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm, edhe në mes të ditëve sahariane të korrikut e në plazhe...! Por, edhe zjarret dhe tymrat nga djegia e fushave dhe kodrave me plehra, edhe në zemër të zonave turistike e në mes të sezonit turistik...! Merret me mend, se e marramendur për të realizuar këto "rritje spektakolare" ka harruar të kujtojë për të bërë si dhe sa duhet edhe "ca vogëlsira"...Fjala është për ca rritje të tjera, si p.sh të pagave, pensioneve, mbështetjes sociale, mirëqenies; të ndershmërisë dhe korrektesës në zgjedhje; të funksionalitetit dhe përjetueshmërisë së demokracisë së vërtetë e të shtetit ligjor e social; të reflektimit dhe reagimit ndaj dhunës dhe kriminalitetit nëpër rrugë, familje, shkolla, lokale ...! Po për skenar dhe pas kulisa, “kuaj dhe pela” Blloku, Sigurimi, Sorosi”...futur me “largpamësi” dhe përkujdesje odisejane nga Ramiz Alia me tufa në gjirin e partive “të djathta”, pra, më së shumti po për faje e përgjegjësi të PS-së, pas 1990-tës, Shqipëria u ndëshkua të mbetej edhe pa “të djathtë” të vërtetë, gjenetike, “bio”...!? Domethënë, me një Parti Demokratike formalisht të “qendrës së djathtë”, me program dhe vepra më shumë se e “qendrës së majtë” dhe më “e majtë” se vetë PS-ja dhe me parti më të vogla, më shumë të vetëreklamuara se sa me programe e vepra, të djathta të mirëfillta!? për periudhën qeverisëse, rreth 5 herë e gjysmë më të pakët se sa PS-ja; edhe për pamundësinë për të bërë gjatë 12 viteve më shumë të mira e të këqija; edhe për qenien as 50% njësoj si ajo për nga nivelet e paskrupullsisë, të papërgjegjshmërisë njerëzore, sociale e kombëtare; të korrupsionit..., PD-ja dhe aleatët e saj në qeverisje dhe në opozitë “patën shansin” apo “fatin e mirë” të bëheshin dhe të mbeten “e keqja më e vogël”! Kështu që, më 11 maj 2025, do të ishte e mira e Shqipërisë dhe e shumicës së shqiptarëve dhe më e logjikshme të votohej masivisht kjo alternativë. Kuptohet, duke i bërë kërkesa të vazhdueshme dhe presion të shumanshëm për t’u bërë, fillimisht një e keqe gjithnjë e më e vogël dhe pastaj, me vepra të dukshme e të përjetueshme, një e mirë e pranueshme. Atyre, që kanë qenë e janë kundër kësaj alternative, hë për hë dhe nuk dihet se deri kur “më e mira”, do “t’u kujtoja” se, pa apo me dashje, mbështesin vazhdimësinë qeverisëse nga “e keqja më e madhe”!?