Pas Çakorrit, Ramushi nuk e ka problem të formojë komuna boshnjake

Opinione

Pas Çakorrit, Ramushi nuk e ka problem të formojë komuna boshnjake

Nga: Faton Mehmeti Më: 13 prill 2025 Në ora: 15:59
Autori Faton Mehmeti

Ramushi nuk e ka pasur të vështirë t’ia falë Malit të Zi 8,200 hektarë tokë, prandaj sigurisht që nuk e ka problem as krijimin e ndonjë komune etnike. Ai e ka cilësuar si legjitime kërkesën e deputetes Duda Balje për krijimin e një komune boshnjake, dhe nuk do të humbasë fare kohë. “Pse jo, po, sot”, ka thënë Haradinaj, duke u shprehur i bindur për themelimin e një komune të tillë.

Imagjino, ky njeri ka qenë kryeministër, e nuk e di se çfarë rrezikon Kosova nga komuna të tilla! Në vend që ta dinte vetë, me gjithë injorancën e tij pyet: “Çka na rrezikon neve me qytetarë të Kosovës të komunitetit boshnjak? Çka humbim? Asnjë gjë.” Si “asnjë gjë”, z. Haradinaj?

Kosova nuk mund të shndërrohet në një eksperiment, në një vend ku të bëhet çfarë t’i teket secilit. Për më tepër, enklavizimi i Kosovës sjell pasoja të rënda për të ardhmen, me mundësi reale që, në të ardhmen, së bashku me komunat serbe, të krijojnë një sistem paralel.

Para pak kohësh, vetë Duda Balje ka thënë se ka plan që pas krijimit të komunave me shumicë boshnjake, ato do t’i bashkohen Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke u bërë pjesë e një sistemi paralel brenda Kosovës. E gjithë kjo nisi pasi Adrijana Hoxhiq, nga komuniteti boshnjak, kërkoi diçka të tillë.

Nuk më habit aspak mbështetja e Ramushit ndaj kësaj kërkese absurde — është i njëjti njeri që lëshoi flamurin për Qakorrin, vetëm për të marrë karrigen e kryeministrit. Për pushtet, Ramushi jep gjithçka: komunat, pastaj edhe territorin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat