Të nderuar qytetarë,
Në këtë vend të vogël, çdo qytetar ka bërë njëherë të njëjtën pyetje në heshtje:
“A ka më kuptim të shpresoj?”
Sot nuk jam këtu për të ofruar një përgjigje të lehtë,por për të thënë një të vërtetë të rëndë:
Kosova, shtet i fuqishëm dhe funksional, nuk ekziston.
Ajo që kemi përballë është një shtet formal, i kapur nga parti që janë bërë firma private, ku pushteti trashëgohet si pasuri familjare, dhe liderët janë kthyer në noterë të dështimit kolektiv.
KY SISTEM ËSHTË I DELEGJITIMUAR
Sepse nuk prodhon drejtësi.
Në këtë vend, gjykatat dënojnë të dobtit dhe mbrojnë të fortit.
Sistemi juridik është zgjatim i partive — nuk është i popullit.
Ky sistem është i delegjitimuar sepse nuk prodhon mirëqenie.
Kemi qeveri që rrisin paga të zyrtarëve, ndërsa spitalet janë pa ilaçe.
Arsimi është i degraduar, rinia po ikën, punësimet janë partiake!
Ky sistem është i delegjitimuar sepse nuk prodhon as shpresë, as moral.
Liderët flasin për luftë, por kanë bërë paqe me krimin.
Flasin për demokraci, por nuk durojnë kritikën.
Flasin për integrim, por nuk janë në gjendje të qeverisin as një komunë pa krizë.
Ky sistem është i delegjitimuar sepse Parlamenti i tij ka rekrutuar shumica idiote që kanë ratifikuar marrëveshje kundër interesave kombëtare!
PARTITË NUK MUND TA SHPËTOJNË KOSOVËN
Sepse janë vetë themelueset e kësaj katrahure.
Ato nuk janë institucione përfaqësimi, por grupe interesash që jetojnë nga shteti, jo për shtetin.
Shikoni bilancet e tyre, shikoni pasuritë e liderëve të tyre, shikoni listat e tyre zgjedhore:-Emrat ndryshojnë, por logjika mbetet: të kapim gjithçka që ka mbetur.
Kur një parti është në opozitë, bën revolucion me fjalë. Kur vjen në pushtet, bëhet pjesë e moçalit.Në vend të aleancës me urtësinë thellon aleancën me injorancën.
Ka miliona arsye pse askush nuk gëzon më legjitimitet të thellë.
LIDERSHIPI POLITIK ËSHTË NË KOLAPS MORAL
Sot nuk kemi udhëheqës, kemi menaxherë të frikës dhe aktorë të propagandës.
Kemi ministra që nuk flasin dot një fjali pa lexuar,
deputetë që nuk kanë asnjë ide politike,
dhe liderë që sillen si pronarë, jo si shërbyes publikë.
Ata nuk ndihen më përgjegjës për qytetarët, sepse janë të rrethuar me popull që hesht, jo që vepron.
Dhe kështu, pushteti u duket i natyrshëm, i përjetshëm, dhe i pakontrollueshëm.
Nuk po flasim këtu për të fituar pushtet,as për të zgjedhur deputetë,për të krijuar parti, apo për të hyrë në betejat e zakonshme të ditës.
Flsim për të thënë të vërtetën. Dhe kjo është më e fuqishme se çdo fjalë tjetër.
Kosova është lodhur. Jo vetëm nga rreziqet e jashtme, por nga rrënimi i brendshëm.
Institucionet tona janë kthyer në vitrina bosh. Moraliteti është bërë objekt talljeje.
Qytetarët ndihen të tradhtuar. Të pambrojtur. Të mposhtur.
Përballë kësaj, ka dy rrugë:
E para është heshtja. Dorëzimi. Migrimi.
E dyta është Urtësia që vepron – një lëvizje e heshtur, por e qartë. Një thirrje për rregull, për dinjitet, për drejtësi të vërtetë.
Një DIKTATURË E NDRIÇUAR NË KOSOVË (2025-2075)
Diktatura e ndriçuar është një formë autoritarizmi në emër të zhvillimit kombëtar dhe përparimit. Po ta zhveshim nga termi negativ “diktaturë”, ajo që nënkuptohet është një udhëheqje e fortë, e pavarur nga presioni populist, që vepron me vizion afatgjatë për të mirën kolektive — pa u përkulur domosdoshmërisht çdo katër vjet ndaj votës apo ciklit elektoral.
Diktatura e ndriçuar është një formë qeverisjeje ku:
Një lider ose një elitë e vogël merr kontroll të plotë politik,
Qëllimi i saj nuk është pasurimi personal ose shtypja e popullit, por ndërtimi i shtetit,
Aty respektohet kompetenca, meritokracia dhe vizioni strategjik,
Disa liri politike kufizohen përkohësisht për hir të rendit dhe zhvillimit,
Por parimet themelore të drejtësisë, barazisë dhe mirëqenies nuk shkelen.
Vizioni i saj është ndërtimi i një shteti të drejtë, të fortë dhe funksional përmes një modeli të përkohshëm të udhëheqjes së centralizuar, të bazuar në meritokraci, moral të lartë dhe qëllime zhvillimore kombëtare.Ajo nuk diktaturë klasike, ku shkelen dhe dhunohen liritë dhe të drejtat e njeriut por udhëheqje strategjike e pakompromis me degradimin, korrupsionin dhe mediokritetin.
Kosova nuk ka më kohë për eksperimente politike. Duhet një ndërhyrje kirurgjikale, jo një tjetër cikël zgjedhjesh boshe.
Kosova është në një krizë të thellë të shtetformimit. Demokracia e papjekur është kapur nga injoranca, korrupsioni dhe mediokriteti. Shteti është i rrënuar, populli i lodhur, e rinia e braktisur. Është koha për një projekt radikal, të moralshëm dhe të guximshëm: një lëvizje për ndërtimin e një shteti të fortë, të drejtë dhe të vetëdijshëm, përmes një periudhe udhëheqjeje të centralizuar, të ndriçuar dhe të afatizuar.
Përmes vlerësimit të dijes dhe karakterit,duke anashkaluar partitë politike, duke ngritur strukturë elitare dhe qytetare të përkushtuar, me një disiplinë kombëtare dhe qëllime të qarta, Diktatura e ndriçuar do duhej të ndërtohej mbi shtatë parime themeltare:
1. Meritokracia është demokracia e ndriçuar.
2. Shteti i së drejtës mbi çdo emër, mbi çdo klan.
3. Moraliteti është kusht për pushtet.
4. Edukimi është armë strategjike.
5. Liria individuale është disiplinë kolektive.
6. Kosova nuk është pronë, por projekt historik.
7. Elita duhet të udhëheqë — por edhe të japë llogari.
Objektivat Strategjike (2025–2075)
1. Rindërtimi i shtetit mbi themele të reja
Rishkrim i Kushtetutës në bazë të modelit të reformës kombëtare;
Shkrirje e partive ekzistuese — ndërtim i një Këshilli Kombëtar të Reformës;
Qeveri teknokratike me mandat 10 vjeçar të kufizuar dhe të monitoruar nga një Senat i Republikës.
Sovranitet i plotë në terë territorin!
2. Ndëshkim i pamëshirshëm i korrupsionit
Gjykatë e Posaçme për pastrimin e sistemit publik dhe privat;
Akt pastrimi kombëtar: “zero kompromis me hajninë.”
3. Reformë radikale në arsim
Licencim i rreptë për çdo mësimdhënës dhe profesor;
Kurrikulë kombëtare me fokus në mendimin kritik, teknologji dhe etikë publike;
Shkolla ushtarake-civile për edukim qytetar, etik dhe fizik të rinisë.
4. Vetëqëndrueshmëri ekonomike dhe energjetike
Fuqizim i prodhimit vendor;
Investime strategjike në teknologji dhe bujqësi të avancuar;
Pavarësi Energjetike -si sektor i sigurisë kombëtare.
5. Neutralizim i ndikimeve të huaja malinje
Agjenci speciale për mbrojtje nga infiltrimi serb, rus dhe rrjeteve kriminale;
Pastrim i sistemit mediatik nga propaganda, dezinformimi dhe agjentët e interesit të huaj.
6)Pozicionimi gjeopolitik - shtet i qendrueshëm për Naton dhe SHBA në!
7) Ushtri profesionale e fuqishme,jo vetëm për t’u mbrojtur, por e aftë për të bërë rivendikimet e nevojshme historike!
7) Shtet i ndërtuar; atdhe politik,ekonomik dhe ushtarak, i pjekur për Bashkim Kombëtar
8)Kalimi nga „ demokracia e degraduar „ në Demokraci të vërtetë dhe sistem pluralist!
PS: Diktatura e ndriçuar nuk kërkon leje nga askush.Legjitimitetin e ka të fituar nga nevoja për jetë a vdekje e Kosovës.Në fillim do të injorohet, më pas do të kritikohet,disa do t‘i frikësojë, dhe në fund, ajo duhët të ecë me rezultate konkrete, rrjedhimisht do të respektohet.
Diktatura e ndriçuar është projekt për burrështetas, jo për “politikanë” — dhe kjo vetë është një formë fuqie që nuk i nënshtrohet votës, por kohës dhe vlerës.
Singapori është shëmbulli konkret i saj!