Nexhmedin Spahiu në Beograd

Opinione

Nexhmedin Spahiu në Beograd

Nga: Rexhep Torte Më: 18 maj 2025 Në ora: 19:46
Autori Rexhep Torte

Kosova e ka Presidente znj. Vjosa Osmani, së cilës pas një viti i përfundon mandati. Ajo, si një shqiponjë dykrenore, me aftësinë, kreativitetin dhe paraqitjen e saj diplomatike, i ka mahnitur të gjithë homologët në të gjitha vizitat, samitet dhe konferencat në shtete anembanë botës, me diskutimet, prononcimet dhe argumentimet e saj reale, të vërteta dhe demokratike, sidomos duke e shpalosur të vërtetën për Kosovën e lirë, të pavarur dhe paqedashëse, përballë Serbisë gjenocidale dhe hegjemoniste, e cila po përpiqet ta mashtrojë botën me gënjeshtra.

Kosova e ka Kryeministër në detyrë z. Albin Kurti, i cili është fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Por, për shkak të kryeneçësisë meskine të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, të cilat po përpiqen të shpëtojnë nga Ligji për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme — ligj që kjo opozitë po e dërgon për herë të dytë në Gjykatën Kushtetuese vetëm për ta zvarritur zbatimin e tij — si dhe për të shmangur Vettingun dhe goditjen nga drejtësia për tradhtitë dhe dëmet që i kanë shkaktuar Kosovës gjatë 22 viteve të fundit, sot po e pengojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e Qeverisë me Albin Kurtin në krye.

Kosova e ka Albin Kurtin, i cili, i paepur, me shkathtësinë dhe shpejtësinë e skifterit, si Kryeministër i Kosovës gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar, përkundër pengesave nga opozita dhe kërcënimeve ndërkombëtare, arriti të frenojë në maksimum korrupsionin dhe të shtrijë sovranitetin edhe në Veri të Kosovës. Ai ndaloi kontrabandën serbe në atë zonë, mbylli institucionet ilegale serbe – postare, bankare dhe të tjera – dhe shpalli euron si valutë shtetërore, duke larguar dinarin serb. Kjo ishte një arritje që nuk mund të ëndërrohej për 22 vite me radhë, kur në pushtet ishin PDK, LDK, AAK dhe NISMA, të cilat vetëm premtuan, mashtruan dhe vodhën popullin e Kosovës.

Më 17 maj 2025, Nexhmedin Spahiu u paraqit nga Beogradi për të informuar opinionin publik se ndodhej në zyrën e Marko Gjuriqit, ministrit të Jashtëm të Serbisë, me ftesë të këtij të fundit, ku ishin duke biseduar.

Shtrohet pyetja: Si është e mundur që Nexhmedin Spahiu, profesor universitar dhe politolog nga Kosova, në këtë periudhë të ndjeshme gjeopolitike dhe përballë kërcënimeve të Serbisë gjenocidale ndaj Kosovës, të marrë guximin të përgjigjet pozitivisht ndaj një ftese nga një ministër serb për të biseduar “në emër të Kosovës”? Kur dihet se Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur, me udhëheqësit e saj legjitimë: Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin në detyrë Albin Kurti?!

Kjo situatë nxjerr në pah një thënie famëkeqe naziste-fashiste nga Lufta e Dytë Botërore, e cila thoshte: “Tutti albanezi, tutti komandanti” – që në konotacion negativ do të thotë se “çdo shqiptar dëshiron të jetë komandant apo udhëheqës”. Një shprehje që shpesh e dëgjojmë nga gjenerata që e ka përjetuar Luftën e Dytë Botërore.

Mbase këtu e kanë marrë frymëzimin PDK, LDK, AAK dhe NISMA, të cilat, përkundër keqqeverisjeve të tyre 22-vjeçare në dëm të Kosovës, sot këmbëngulin ta rrëzojnë Albin Kurtin dhe të rikthehen në pushtet.

Mbase nga ky mentalitet, këto parti, me paturpësinë më të madhe, synojnë që në pazaret e tyre të pista për pasuri, hajni dhe pushtet, ta përfshijnë edhe postin e Presidentes Vjosa Osmani.

Të gjithë e shohim dhe jemi të bindur se aktualisht nuk ka askush që mund ta zëvendësojë Presidenten Vjosa Osmani, duke pasur parasysh punën, sukseset dhe meritat e saj.

Në foto: Prof. Nexhmedin Spahiu dhe Marko Gjuriq

Siç informoi gazeta Bota Sot në uebfaqen e saj më 17 maj, në rubrikën e lajmeve, profesori dhe politologu Nexhmedin Spahiu gjatë ditës së shtunë u takua në Beograd me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq. Spahiu bëri të ditur se ndodhej në një konferencë në Beograd dhe se ishte ftuar në një takim nga ministri Gjuriq, me të cilin zhvilloi një bisedë njëorëshe.

“Jam në një konferencë në Beograd. U ftova në një takim nga ministri Gjuriq dhe zhvilluam një bisedë një orëshe”, tha Spahiu.

Për këtë takim u deklarua edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, i cili tha: “Realizuam një bisedë me profesor Nexhmedin Spahiun për mënyrat e tejkalimit të tensioneve dhe përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike”, shkroi ai në rrjetin X.

Se në çfarë kurthi të Serbisë gjenocidale ka rënë profesori dhe politologu Nexhmedin Spahiu, dhe pse ka bërë një veprim kaq të rrezikshëm anti-Kosovë dhe anti-institucional, me siguri do të zbardhet shpejt nga organet e kundërzbulimit dhe të sigurisë së Kosovës. Masat e nevojshme pritet të ndërmerren, për këtë nuk ka asnjë dyshim.

Nexhmedin Spahiu nuk ka as aftësinë dhe as autoritetin për të ofruar ndonjë zgjidhje për tejkalimin e tensioneve ndëretnike në Kosovë, kur dihet botërisht se shkaktar i tyre është vetëm Serbia gjenocidale dhe hegjemoniste, e cila përmes pakicës serbe në Kosovë ka për qëllim ndarjen e Veriut të Kosovës, për të kontrolluar minierat e Trepçës dhe Liqenin e Ujmanit.

Nexhmedin Spahiu është gjithashtu ideologu dhe promovues i idesë për krijimin e një "kombit kosovar" – një nismë tepër e rrezikshme dhe antikombëtare për shqiptarët, kur dihet se shqiptarët kudo në Ballkan janë një komb i vetëm, me gjuhën shqipe që flasin dhe me traditat që i trashëgojnë brez pas brezi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat