Ligji për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë e legalizon plaçkitjen e buxhetit të Kosovës. Mendësia e politikanëve të partive politike për të përvetësuar buxhetin e shtetit dhe për të grumbulluar pasuri nuk është ndalur asnjëherë që nga paslufta. Është interesante të theksohet se Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt 2008.
Vetëm pak muaj më vonë, më 15 qershor të atij viti, hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës, dhe vetëm tre ditë më pas – më 18 qershor 2008 – Kuvendi i Republikës miratoi Ligjin për përfitime dhe privilegje për zyrtarët e lartë. Ky ligj u dekretua nga Presidenti Fatmir Sejdiu më 2 korrik 2008 (dl-044-2008).
Kjo tregon qartë se prioriteti i partive politike, si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), bashkë me grupet tjera të interesit, nuk ishte zhvillimi i shtetit, por sigurimi i privilegjeve personale dhe financiare nga buxheti publik.
Ky ligj diskriminues, që favorizon burokratët dhe aristokracinë politike, u mundësoi zyrtarëve të lartë – si Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryetarit të Gjykatës Supreme – që edhe pas gjashtë muajsh në detyrë të përfitojnë privilegje të përjetshme, si një rast sui generis.
Ky ligj u ka hapur rrugë individëve në pozita të larta të grabisin shtetin, edhe pse shumë prej tyre nuk kanë dhënë asnjë kontribut apo ndonje te mire për vendin. Për më tepër, ky legjislacion ka dëmtuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe institucioneve shtetërore, duke ofruar përfitime që nuk ekzistojnë as në shtetet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian apo rajonit.
Si mund të justifikohet një ligj i tillë, i hartuar për të mbrojtur strukturat burokratike, ku zyrtarët e lartë jo vetëm që përfitojnë financa të përjetshme, por sigurojnë edhe zyra të mobiluara, këshilltarë personalë, truproja, shoferë dhe shumë privilegje të tjera që janë krejtësisht të pajustifikueshme?
Kjo mendësi plaçkitëse fatkeqësisht ka nisur nga vetë maja e institucioneve shtetërore, të cilat gjithmonë kanë pasur për prioritet interesin personal, familjar dhe klanor, duke lënë anash interesat e popullit të varfër e të lodhur nga lufta. Këto privilegje jo vetëm që kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës, por kanë shkaktuar edhe pakënaqësi të thellë në mendjen dhe zemrën e qytetarëve tanë, duke i ndarë qytetarët nëpër klasa: (Të pasurit dhe të varfërit).
Më thotë mendja se ende nuk është vonë që shoqëria civile, mediat profesionale e të ndershme, dhe opinionit te gjere të kërkojnë shfuqizimin e këtij ligji, i miratuar me heret nga dy partite që ishin në pushtet PDK-së dhe LDK-së. Vetëm kështu mund të rikthehet ndjenja e drejtësisë në vend.
Përndryshe, nëse një veprim i tillë nuk ndërmerret, grabitja e shtetit dhe mentaliteti korruptiv nuk do të ndalen. E shohim këtë qartë edhe sot, përmes 35 seancave të dështuara të Kuvendit për ta zgjedhur Presidentin e vendit – një situatë që rrezikon të hyjë në Librin e Ginisit si shembulli më i keq i një “sistemi demokratik”.