Me Aktgjykimin e fundit, në lidhje me kërkesën e parashtruar nga AAK dhe deputetë tjerë, Gjykata Kushtetuese konstatoi: “Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 3025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës së Republikës së Kosovën; dhe në pajtim me këtë Aktgjykim.
Prandaj, thuhet në vazhdim se “deputetët duhet sa më shpejt, dhe jo më vonë se 30 ditë, të përfundojnë Seancën Konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij. Sipas këtij neni: “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar (4), duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.”
Me qëllim të krahasimit, teksti në gjuhën angleze i nenit të njëjtë është: “The Assembly of Kosovo shall be elected for a mandate of four (4) years, starting from the day of the constitutive session, which shall be held within thirty days (30) from the official announcement of the election results.”
Folja ndihmëse në tekstin në gjuhën angleze “shall”, në kontekst të vetave II dhe III të njëjsit dhe të shumësit, në gjuhën shqipe është përkthyer gabimisht. Kjo për arsye se folja ndihmëse në gjuhën angleze “shall”, përkthehet në formën imperative “duhet që”, pra në tekstet juridike është imperativ juridik (duhet patjetër, është i detyruar, është domosdoshmëri e kërkesës së momentit dhe të kohës, punë a veprim që ka nevojë ose kërkohet të bëhet patjetër), shih Fjalorin anglisht - shqip, Ramazan Hysa, faqe 699, Fjalorin “Rječnik prava” englesko-hrvatski, Milica Gaçiç, faqe 1299, Fjalorin “Pravni rečnik”, Branko Vukičević, faqe 427, dhe fjalorë të tjerë të ngjashëm. Një përkthim i tillë i pasaktë në tekstin e nenit përkatës, por edhe në nene tjera të Kushtetutës së Kosovës, përkthehet sikur të bëhej fjalë për vetën e parë njëjës dhe shumës. Kjo pasaktësi lë hapësirë për abuzim nga ana e deputetëve që nuk respektojnë detyrimin nga Aktgjykimi i përmendur për të marrë pjesë në votim në mënyrë që të përfundohet seanca e filluar. Kur kësaj t'i shtohen edhe pasojat e Aktgjykimit Nr.KO119/14, në lidhje me kërkesën e parashtruar nga deputeti i atëhershëm Xhavit Haliti dhe 29 deputetë tjerë, shih Opinionin tim në gazetën “Bota Sot”, më 9 korrik 2025, por edhe fakte tjera të prezantuara në disa shkrime të mia kohëve të fundit në Bota sot dhe ATV, bllokada në konstituimin e Kuvendit del të jetë krejtësisht irracionale, madje edhe e turpshme, kur të kihet parasysh thënia e njohur e Benjamin Franklinit: “Çfarëdo që fillon me inat përfundon me turp”. Një situatë e tillë më ka shtyrë që të dalë edhe me një Letër të hapur më 26 qershor 2025 dhe me një propozim timin të datës 16 korrik 2025.
Deputetë të nderuar koha për të vepruar racionalisht ka qenë diku para 3 muajve. Votoni ju lutem të nderuar deputet konstituimin e Kuvendit, për të dalë nga kjo sjellje në spirale, që nuk i shihet fundi. Pastaj, për formimin e Qeverisë, ka afate të përcaktuara dhe bisedime për kompromise, sepse sipas rezultatit të zgjedhjeve ka fitues relativ, por jo absolut. Në republikat me qeveri parlamentare, siç është Republika e Kosovës, shumica absolute shumë rrallë fitohet. Prandaj, veproni njësoj siç vepruat me rastin e verifikimit të mandateve tuaja, sepse, siç e dini, edhe në atë rast, refuzonit paradoksalisht të bëni vetëverifikimin e mandatit personal. Njësoj edhe në këtë rast, Ju me këmbëngulje refuzoni të bëni themelimin e organit më të lartë përfaqësues të shtetit tonë, ku tash për tash pa meritë i realizoni të ardhurat tuaja.
Me respekt
Rexhep Hasani