Në Planin e Ahtisarit ishte paraparë një mundësi “bashkëpunimi” ndërmjet komunave me shumicë serbe në Kosovë, por kjo mundësi kishte një kusht thelbësor: integrimin e plotë të këtyre komunave në sistemin kushtetues dhe juridik të Kosovës, pa asnjë dilemë për ndarje territoriale. Ky kusht nuk u respektua kurrë. Përkundrazi, strukturat paralele të Serbisë vazhduan të funksiononin përmes financimit direkt nga Beogradi, duke minuar sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Në anën tjetër, Hashim Thaçi, i cili në vitet e para të dialogut shfaqej me terminologjinë e “marrëveshjes së mirë për Kosovën”, deklaronte shpesh se “asociacioni i komunave serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”. Mirëpo, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vučić, kur u pyet nga gazetarët serbë se çka nënkuptojnë shqiptarët me këtë frazë, u përgjigj përçmueshëm: “Hiqu tyre se s’kanë lidhje” (“pusti ih, nemaju pojma”). Ky dallim i narrativave tregonte qartë se Serbia po e shihte Asociacionin si një mekanizëm për autonomi të zgjeruar, ngjashëm me “Republika Srpska” në Bosnje.
Nga “asociacioni” shpejt u kalua te termi politikisht i ngarkuar “Zajednica”. Dhe liderët serbë filluan ta quajnë hapur si projekt për ndarjen e Kosovës. Në vitet e fundit të Thaçit, ky diskurs u përforcua edhe me konceptin e “korrigjimit të kufijve”, që në thelb synonte ndarjen e veriut të Kosovës dhe aneksimin e tij nga Serbia – një model i ngjashëm me atë të Krimesë nga Rusia. Komunat tjera serbe si Graçanica, Shtërpca e enklavat e tjera kishin për qëllim të ktheheshin në një mini-entitet autonom, të ndërlidhur drejtpërdrejt me Beogradin, në këmbim të një njohjeje gjysmake të shtetit të Kosovës.
Në këtë lojë të dyfishtë u futën edhe disa liderë shqiptarë. Vetë Lutfi Haziri i LDK-së, në disa raste, e përkrahte tezën se Serbia “ka pronë në Kosovë” dhe se rreth 35% e territorit të Kosovës ishte i diskutueshëm si “trashëgimi serbe”. Ky diskurs ishte një autogol politik që i dha oksigjen narrativës serbe.
Mirëpo, dinamika ndryshoi me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet. Për herë të parë pas dy dekadash, Kosova po vepronte me një strategji të qartë: çmontimin e strukturave ilegale serbe në veri, luftimin e bandave kriminale që për dy dekada kishin marrë peng qytetarët, dhe vendosjen e rendit kushtetues. Ky ndryshim i realitetit në terren, i shoqëruar me veprime policore, ndaloi përpjekjet për krijimin e një “Republika Srpska” brenda Kosovës.
Sot, veriu nuk shihet më vetëm përmes dylbive, siç ndodhte deri dje. Qytetarët serbë në Kosovë gradualisht po kuptojnë se lidhja e tyre me shtetin e Kosovës është më e qëndrueshme sesa premtimet boshe të Beogradit. Serbia është detyruar të tërhiqet nga disa pozicione, dhe Vuçiq, i cili për vite ushqente iluzione për ndarje territoriale, tani është përballë murit të realitetit: Kosova nuk është Bosnje, dhe nuk do të bëhet as Krime.
Prandaj, Asociacioni i Komunave Serbe mbetet një projekt i dështuar. Ai u mendua si kalë troje për ndarjen e Kosovës, por në vend që të funksiononte si instrument politik i Beogradit, sot është shndërruar në një dosje të mbetur peng në tavolinat diplomatike të Brukselit. Kosova ka treguar se integriteti territorial nuk është temë negociatash, por një realitet i mbrojtur në terren.