Prej javësh e muajve Serbia po përjeton protesta të vazhdueshme kundër presidentit Aleksandar Vučić dhe regjimit të tij. Pamja e parë lë të kuptohet se bëhet fjalë për një revoltë qytetare, por në thelb protesta mbetet e paqartë për nga drejtimi dhe liderët e saj. Ajo që bie në sy është se shpesh nëpër tubime dëgjohen slogane nacionaliste, madje edhe raciste kundër shqiptarëve e kroatëve. Ky fakt tregon se një pjesë e protestuesve janë po aq radikalë sa vetë Vučiçi, nëse jo edhe më shumë.
Vučiçi, i ardhur nga radhët e krahut radikal serb, ka qenë gjithmonë i kujdesshëm që ta pengojë prosperitetin dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës, duke përdorur mjete të ndryshme politike, policore e herë-herë radikale. Në këtë drejtim, ai ka pasur bashkëpunim të ngushtë me Milorad Dodikun në Bosnje, i cili me politika të ngjashme po pengon funksionalizimin e shtetit të BiH dhe mbështet gjithashtu linjën radikale serbe në raport me Kosovën.
Nga ana tjetër, Vučiç ka kultivuar marrëdhënie të mira me Putinin, por shpeshherë Perëndimi – BE dhe SHBA – ka mbyllur sytë ndaj politikave të tij destruktive në rajon, sidomos ndaj Kosovës. Kjo për shkak të një llogarie gjeopolitike: duke e mbajtur Vučiçin në pushtet, shpresojnë ta shkëpusin gradualisht nga Moska dhe ta afrojnë drejt BE-së dhe NATO-s. Këtë e tregon fakti që ai ka arritur të blejë avionë luftarakë nga Franca, një vend i NATO-s, si dhe ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me aleancën euroatlantike. Paralelisht, Vučiçi ka larguar nga strukturat shtetërore serbe elementët më prorusë, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra nga Kisha Ortodokse Serbe dhe qarqe radikale, të cilët e akuzojnë se “po e shet Kosovën”.
Në këtë kontekst, protestat në Serbi nuk janë të qarta: opozita është e dobët dhe e kontrolluar, ndërsa mbështetësit e protestave janë të përzier – disa të orientuar nga kleri ortodoks, disa të lidhur me qarqe proruse, e disa të tjerë që kërkojnë orientim perëndimor. Nëse regjimi i Vučiçit nuk bie, gjasat janë që të dobësohet edhe Republika Srpska në Bosnje, pasi Dodik dhe Vučiç ecin paralel në linjën politike prandaj ka rritje të mbështetsëve kunflr Vucqit edhe nga BiH.
Çfarë nënkupton kjo për Kosovën?
Për Kosovën, dilema është e qartë: politikanët shqiptarë duhet të tregojnë kujdes dhe të mos nxitohen të mbështesin protestat në Serbi, sepse për shumë çështje, sidomos për Kosovën, protestuesit janë më radikalë se vetë Vučiçi. Për shqiptarët, më e rëndësishme është forcimi i shtetit, funksionalizimi i institucioneve dhe përqendrimi në interesat kombëtare, pavarësisht kush gjendet në pushtet në Beograd.
Në fund të ditës, duhet pranuar se Serbia si shoqëri ende nuk është e gatshme të njohë realitetin e ri ballkanik dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj, për shqiptarët është jetike të jenë të bashkuar dhe të përgatitur për mbrojtjen e interesave të tyre kombëtare, në çdo rrethanë dhe me çdo qeveri që vjen në pushtet në Serbi.