Shtetet e Bashkuara të Amerikës para disa ditësh shpallën refuzimin e vizave për përfaqësuesit e Autoritetit të Palestinës për të marrë pjesë në sezonin e shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pra, ato për herë të parë refuzuan që presidenti palestinez Mahmud Abaz të udhëtojë drejt Nju Jorkut për punimet e kësaj asamëbleje. Një ose dy ditë më pas Turqia shpalli ndërprerjen e marrëdhënieve ekonomike e tregtare me Izraelin, si dhe mbylljen e hapësirës ajrore për fluturimet izraelite e të porteve detare për anijet e Izraelit.
Ndonëse duket qartë se vendimi amerikan ishte në mbështetje të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, vendimi i Ankarasë le të kuptojë se shteti turk dhe ai i Izraelit janë në gjendje lufte midis tyre. Në të dy rastet shkaku është Gaza. Për Turqinë dhe presidentin Erdogan janë sulmet e ushtrisë së Netanjahut në këtë rajon dhe asgjësimi fizik i njerëzve të pafajshëm, përfshirë dhe gazetarët e agjencive më të mëdha informative në botë. Për SHBA-të dhe presidentin Trump janë pengjet izraelite në duart e Hamasit palestinez.
Në fakt vendimi amerikan për refuzimin e vizave për autoritetin palestinez dhe presidentin Abaz nuk ka lidhje me pengjet e Hamasit. Sepse tashmë është e ditur që Autoriteti Palestinez nuk është pjesë e aktit të pengmarrjes së atyre pengjeve. Që do të thotë se vendimi amerikan është kërkesë e kryeminisrit Netanjahu, mbasi prezenca e palestinezëve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mund të rritë pakënaqësinë dhe presionin ndaj kryeministrit izraelit për t’i dhënë fund luftës. Në kushtet që Hamasi është dakord t’i lirojë pengjet në këmbim të një pakti paqeje të qëndrueshme dhe refuzimit të Tel Avivit për këtë, merret me mend se qëllimi i përpjekjeve dhe luftës për pushtimin e gazës nuk është lirimi i pengjeve, por pushtimi i përhershëm i Gazës.
Megjithatë në këtë rast ka një zhvillim të ri jo normal për marrëdhëniet turko-amerikane. Turqia e ka shpallur Izraelin si vend armik dhe përgatitet ndoshta edhe për luftë kundër tij. SHBA-të vijojnë t’i bëjnë lëshime kryeministrit Netanjahu, duke e injoruar këtë situatë të rrezikshme në rajon. Deri më sot nuk ka ndonjë deklaratë të administratës amerikane për vendimin e Ankrarasë sa i përket dy vendimeve të saj të lartpërmendura në raport me Izraelin. Që do të thotë se Uashingtoni dëshiron të jetë i kujdesshëm në marrëdhëniet e tij me Ankaranë e njëkohësisht nuk i hedh “benzinë zjarrit” me qëndrime kritike. Ndërsa Netanjahu do të dëshironte një ripozicionim të politikës dhe diplomacisë amerikane ndaj Turqisë. Megjithatë kjo nuk duket se do të ndodhë. Por a mund të tolerojë Donald Trump një luftë ose konflikt të ri në Lindjen e Afërme e të Mesme?! Besoj se jo. Në këtë konflikt jo vetëm potencial, a mundet që ai të marrë anë, pro ose kundër?! Vështirë të thuhet kjo.
Një pozicionim i presidentit Donald Trump kundër Turqisë do të dëmtonte rëndë jo vetëm marrëdhëniet midis dy shteteve, por edhe midis NATO-s dhe fuqisë së dytë ushtarake anëtare të saj, Turqisë. Do të çonte në përçarjen e Aleancës Atlantike. Sipas pikëpamjes time, e fundit që mund të ndodhte në një situatë të krijuar, do të ishte armiqësia amerikane kundër Turqisë. Europa dhe SHBA-të mund të mos e duan Turqinë, por ato historikisht kanë qenë të interesuara e madje të detyruara ta mbajnë në anën e saj. Jo vetëm për pozicionin gjeopolitik e gjeostraegjik më të rëndësishmin në glob, por edhe për fuqinë ushtarake, politike dhe ekonomike të Turqisë. Ndaj presidenti Trump do ta gjejë një mënyrë që “mishi të piqet dhe helli mos digjet”, dmth që me Izraelin të ruhen marrëdhënie normale dhe Turqia të mos dëmtohet dhe cënohet as në pikëpamje të dinjitetit të saj, as të ekonomisë dhe në aspekte të tjera.
Presidenti turk, Rexhep Tayp Erdogan, tani është si edhe herët e tjera, në takimin e samitit të Euro-Azisë themeluar prej Rusisë dhe Kinës. Vetë përcaktimi si anëtare e kësaj organizate e Turqisë është një lloj presioni për SHBA-të, BE-në dhe Britaninë e Madhe. Ky fakt e bën Ankranë më të sigurt në ndërmarrjet e saj politike dhe strategjike për të rindërtuar raportet e veta me Tel Avivin. Gjuha që Erdogan përdor ndaj Izraelit dhe sidomos ndaj kryeministrit Netanjahu është shumë e ashpër, kritike dhe me akuza për genocid në Gaza. Nga ana e tij, Netanjahu përmendi atë që dikush e quan “genocid i Perandorisë Osmane” kundër armenëve në vitin 1914-1915. Në pikëpamje të opinionit ndërkombëtar akuza e Netanjahut kundrejt Truqisë është shtim i vëmendjes dhe i revoltës njerëzore për ato që ndodhin sot me fëmijët e paushqyer në gaza. Një kryeministër që në shekullin e XXI bllokon ndihmat ushqimore për njerëzit në nevojë e në uri është më shumë sesa një genocodist. Dhe sa më shumë Netanjahu përmend shembuj analogë, përfshirë edhe genocidin hitlerian kundër popullit të tij, hebrejve, aq më shumë sensibilizon botën demokratike e paqësore kundër akteve kriminale që ai kryen në Gaza.
Megjithatë do të shohim nëse beteja dhe konflikti midis Turqisë dhe Izraelit do të rrezikojë ose jo të shndërrohet edhe në konflikt midis Ankarasë dhe Uashingtonit! Të shpresojmë për paqe dhe qetësi në të gjitha pikëpamjet dhe dimensionet e zhvillimeve të sotme në Lindjen e Mesme! Ndërkohë duhet thënë se Trump është aq i fuqishëm sa ta arrijë më parë paqen në Palestinë e në Gaza, sesa në Ukrainë.