Se kur është krijuar dhe cilët kanë qenë “hamshorët e demat” apo “mamitë” e vërtetë të PKSH-PPSH-PSSH e se ç’ rol rol ka pasur në lindjen e saj ilegale apo prostituive Enver Hoxha, na ndihmon edhe një fakt fare i freskët, i publikuar në faqen e tij të facebook, më 6 nëntor 2025, nga Dr. Vasfi Baruti. Sipas tij,” Partia komuniste shqiptare u formua në Vitomiricë të Pejës, Kosovë, më 12 tetor 1941, në mbledhjen e parë politike, nën drejtimin të ngarkuarit të PKJ-së Boris Vukmiroviç, sekretar i PKJ, me 18 orë diskutim...Merrnin pjesë 4 përfaqësues të PKJ e 4 të tre grupeve “komuniste“ në Shqipëri. Nga ana e grupeve komuniste në Shqipëri ishin 3 vetë nga Kosova, me lidhje me PKJ, Fadil Hoxha, Elhami Nimani dhe Ali Shykria dhe vetëm Koço Tashko nga Shqipëria...Nga kjo mbledhje u morën edhe 6 vendime...” Në të vërtetë, këto vendime ishin “detyra shtëpie” për grupet komuniste në Shqipëri. Po sipas profesor Barutit, për këtë ngjarje Akademik Prof. Ali Hadri është i pari historian shqiptar që studioi, në themel e gjerësi, mbledhjen e Vitomiricës... Ai i referohet në studimet e tij një “Blok-Notesi”(bllok xhepi) të sekretarit politik të PKJ Boris Vukmiroviq, me shënime për vendimet e dt. 12 tetor. Pas Ali Hadrit për këtë mbledhje dhe bllok xhepi, ka hedhur dritë edhe Prof. Dr. Nina Smirnova, historiane ruse, që kishte mbaruar studimet për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës dhe që ia kushtoi jetën studimeve rreth historisë së Shqipërisë, duke u shquar përgjithësisht për seriozitet profesional dhe për objektivitet...”
Formimi i Partisë Komuniste Shqiptare në Vitomiricë më 11-12 tetor formalizohet apo zyrtarizohet më 4-8 nëntor në Tiranë..., ku përsëri, Enver Hoxha ka pasur rolin e një spektatori, figuranti, kamarieri...! Për këtë flet shumë edhe fakti se nga mbledhja e Vitomiricës nuk mbeti asnjë dokument arkivor në Shqipëri, ndërsa u ruajtën si sytë e ballit të ashtuquajturit “Procesverbal i mbledhjes themeluese” dhe “Rezolucion i mbledhjes së grupeve kryesore komuniste”, në të cilët, pas redaktimit të thellë e të kujdesshëm, futet në mënyrë arbitrare dhe skandaloze, si “mish i huaj”, emri i Enver Hoxhës...!? Kështu, bëhet e qartë se të dërguarit e PKJ-së e të J.B.Titos në Shqipëri, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, e "pollën" Partinë Komuniste të Shqipërisë, dhe u kujdesën të shmangnin personalitete intelektuale dhe me shqiptari të dëshmuar me vepra e të vinin në krye të saj njeriun e tyre, shkollëmesëm, pervers, antishqiptar i tërbuar, Enver Hoxhën. Ata ishin në krye të saj deri në ditën e publikimit të prishjes mes PKJ dhe PKSH e të sherrnajës, Stalin-Tito, më shumë skenar e farsë se sa e sinqertë dhe për motive parimore. Prandaj, nga sajimi në këtë mënyrë të pistë e nga “mami serbe”, qysh nga 8 nëntori 1941, Shqipërisë dhe Kombit Shqiptar, i kanë rënë mbi kokë ortekë me gjëma e të këqija...! Nuk është larg të vërtetës dhe jo pa baza të thuhet e shkruhet se më 8 nëntor 1941 dhe më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit italianë dhe gjermanë dhe ra nën pushtimin sllavo-komunist, jo zyrtar, por lehtësisht të nënkuptueshëm!? Duke u krijuar nga "vëllezërit jugosllavë" të Enverit, ishte e pritshme dhe e kuptueshme që PKSH, do t'u shërbente interesave dhe synimeve të Titos, LKJ e të shtetit jugosllav...!
Ky tipar gjenetik, qysh nga "mbarsja" dhe "pjellja", u duk sidomos në funksionimin e PKSH- së si degë e PKJ; në hedhjen në koshin e plehrave të vendimeve të Marrëveshjes së Mukjes(2 gusht 1943) e të Konferencës së Bujanit(31 dhjetor 1943- 2 janar 1944) e në qëndrimin si spektator të brigadave partizane të Shqipërisë gjatë kryerjes së Masakrës së Tivarit. Edhe më shumë e më hapur, në lehtësimin e barrës Titos dhe LKJ- së, gjatë viteve 1944- 1948 për rikthimin e Kosovës në përbërje të RFJ dhe për shndërrimin e Shqipërisë në "Republikë të shtatë" të saj!? Këtë mision që i kishin ngarkuar " vëllezërit jugosllavë" Enveri e kreu edhe me vrasjen e shumicës së krerëve të familjeve të mëdha nacionaliste shqiptare si dhe të intelektualëve dhe kuadrove të diplomuar dhe doktoruar në universitete prestigjioze të vendeve të Perëndimit e të Lindjes, duke ia lënë kështu drejtimin e vendit ish partizanëve, e shumta, si ai vetë, me shkolla të mesme apo gjysmë injorantë, por me besnikëri skllavi dhe bindje zagari ndaj tij! Kjo "karakteristikë gjenetike" e Enverit dhe PKSH- së shprehet dhe kuptohet edhe nga fakti, që edhe sot e kësaj dite, më 8 nëntor 2025, plot 84 vjet pas 8 nëntorit 1941 dhe afro 81 vjet pas 29 nëntorit 1944, jemi po të fundit në Europë për nivelet e zhvillimit, pagave, pensioneve, mirëqenies, demokratizimit dhe drejtësisë së vërtetë, shtetit ligjor dhe social funksional, zgjedhjeve me të vërtetë të lira e të ndershme...dhe të parët për shumë të këqija, sidomos për korrupsion. Kjo e vërtetë, bëhet edhe më tmerruese, kur kujtojmë se kemi një vend shumë të pasur me pasuri nën dhe mbi tokësore; me një klimë shumë favorizuese për kultivimin e artikujve bujqësore dhe të frutikulturës në të katër stinët; me diell rreth 9 muaj dhe me mundësi për turizëm detar dhe malor gjatë 365 ditëve të vitit…? E pra, përse nuk na kanë ndihmuar të gjitha këto dhurata të natyrës të ishim shumë më mirë dhe krejt ndryshe nga sot, shumë më lart në klasifikimet uuropiane dhe botërore?
Sipas meje, përgjigjet mund të kërkohen dhe gjenden në tre drejtime: tek vetvetja, tek fqinjët antishqiptarë deri në histeri dhe monstruozitete, tek sistemi...E keqja jonë si popull e si vend është se enverizmi, në këta mbi 12 vjet në formën e edramizmit, jeton e na pengon edhe sot e kësaj dite e do të na dëmtojë shumë gjatë, jo vetëm nga ata që i shkojnë Enverit tek varri me portrete dhe tufa lulesh në duar më 11 prill, më 5 maj, 16 shtator, 24 maj, 16 tetor, 8 nëntor, 29 nëntor...Jo pak të tjerë, më së shumti në fshatra, zona periferike të qyteteve dhe të ardhur nga fshati pas vitit 1990, janë me Enverin e tyre, me mentalitetin, dogmat, parullat, zakonet, veset që u rrënjosi ai, edhe nëpërmjet nostalgjisë që shprehin hapur e në mënyrë provokuese për atë si njeri, si sistem dhe epokë, duke guxuar të nxjerrin nga goja edhe” frazën e çmendur” se “ishim më mirë në kohën e tij”. Sipas meje, në parim, të jesh sot enverist, "i majtë shqiptar" shpreh besnikëri dhe partishmëri të verbër apo të çmendur ndaj një partie që të ka mashtruar, tradhtuar, kafshërisht trajtuar jo një herë e gabimisht, por 81 vite me radhë e pa ndjerë e shprehur pendesë dhe ndjesë. Edhe që me plot veprime dhe deklarime ka dhënë arsye për të dyshuar për antikombëtarizëm
Pas 81 vjet mashtrimesh, nëpërkëmbjesh, dështimesh, zhgënjimesh nga e majta, shkaktare dhe përgjegjëse e vetme që jemi në këtë gjendje mjerane, të fundit në Evropë për shumëçka dhe në rrezik të katandisjes në 1 milionë banore pas rreth 30 vitesh, i takon edhe "të majtëve" të reflektojnë për të ndërruar bindje, krah lëvizjeje dhe vote, sepse, do ta pësojmë të gjithë edhe më keq se në këta 81 vjet! Tashmë është bërë e qartë se përrallat apo farat e komunizmit dhe të socializmit u mbollën në vende dhe popuj të Lindjes, ku rreth 75 % e popullsisë jetonte në fshat ose ishte me origjinë fshatare, me nivel tejet të ulët arsimor, kulturor, edukate qytetare apo me nivele të lartë varfërie, analfabetizmi, injorance...Kjo shpjegon ndarjen si me thikë të Botës, sidomos të Evropës, në Perëndimin e djathtë, kapitalist, me nivel të lartë zhvillimi, mirëqenieje, demokracie dhe në Lindjen komunisto- socialiste, ku mbizotërojnë diktaturat, varfëria, papunësia, korrupsioni, emigracioni...
Ndryshimin midis dy sistemeve dhe avantazhet e Perëndimit e shpreh edhe fakti që " lumi i fryrë i emigracionit" është në një drejtim, nga Lindja drejt Perëndimit, nga Rusia, Kina, Ukraina, Serbia, Shqipëria...drejt Italisë, Gjermanisë, Francës, Anglisë, vendeve të ultë, vendeve skandinave, SHBA-, Kanadasë dhe jo në kahun e kundërt. Vetëm ca enveristë dhe edramistë nuk duan t'a pranojnë dështimin e të majtës, këtë realitet që nuk mbulohet me gjethet e të gjithë fiqve dhe të parcelave me kanabiz si dhe nga miliona metra katrorë të mureve dhe xhamave të të gjithë kullave të miliardave të pistë, antiligjorë dhe kriminalë të Shqipërisë... Një e keqe tjetër e jona është se plot shqiptarëve, jo vetëm që ua kanë shpëlarë trutë Enveri, Ramizi, Fatosi, Edi..., por ua ka ënda të qëndrojnë edhe 81 vjet të tjerë nën qeverisje gjase të majta, me nivele të larta korrupsioni, paaftësie, papërgjegjshmërie, pandjeshmërie njerëzore e sociale...Këta kapen tek sloganet e investuar nga lart, nga partia e tyre e zemrës, se “ të dy palët janë njësoj” dhe se “PD dhe opozita, në gjendjen që janë, nuk ofrojnë besim e siguri se mund të qeverisin më mirë e me nivel korrupsioni ndjeshëm më të ulët”. Ndërsa i kanë këto slogane në majë të gjuhës, bëjnë sikur harrojnë se katandisja e PD-së dhe opozitës në gjendjen e këtyre viteve të fundit dhe të vendit, pa opozitë dhe pluralizëm të vërtetë apo në një neodiktaturë, ngjashëm si Shqipëria 1945, janë investime dhe “kryevepra” po të partisë dhe kryetarit të tyre të zemrës, ndihmuar vëllazërisht edhe nga Xhorxh e Aleks Soros, nga disa ambasadorë të SHBA-së, BE-së, nga Charles McGonigal...!?
Natyrisht, edhe nga një kontingjent jo i pakët “kuajsh dhe pelash Blloku, ish Sigurimi, Sorosi...” në gjirin e PD-së, sidomos në kryesinë dhe grupin e saj të deputetëve dhe të pushtetarëve qendrorë dhe lokalë...!? Jetëgjatësia e PKSH-PPSH-PSSH në pushtet, 47 vjet deri më 1991 dhe 22 vjet nga 1992 deri më 2025, nuk është shprehje aftësie e qeverive “të majta”, por në të kundërt, e favorizimit dhe mbështetjes së tyre me çdo formë e mënyrë,nga bastionet e enverizmit, nga kontigjente të ish sigurimi enverian; nga sorosianizmi; nga mafia shumëngjyrëshe shqiptare dhe ajo ndërkombëtare. Kjo e fundit ka gjetur në Shqipëri, sidomos në fushën e ndërtimit, sheshe shumë të gjerë për pastrimin e miliardave nga drograt dhe trafiqe të tjera si dhe për ndikim edhe në rezultatet zgjedhore, për mandate deputetësh, ministrash, kryetarësh të bashkive...!? Duke i ditur po kaq mirë se shumica e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, këta tregues shumë të ulët në shumicën e drejtimeve të zhvillimit e jetesës, të shtetit ligjor e social; të emancipimit qytetar e demokratik, të korrupsionit dhe të kriminalitetit.., megjithatë, kryeministri Edi Rama, ka sy e faqe, edhe nëpërmjet gojëve të disa diplomatëve sororosianë mbetur akoma në struktura të BE, t’u premtojë shqiptarëve që e besojnë akoma, anëtarësimin e përshpejtuar të Shqipërisë në BE, më 2030 apo edhe më herët...si dhe disa “mrekulli” të reja, të këtyre ditëve të fundit, në drejtim të rritjes së mirëqenies!? Kështu që, ata që e njohin me dhëmbë e dhëmballë Edi Ramën si njeri, si kryetar dhe kryeministrin e fundit apo aktual të PKSH-PPSH-PSSH, që nuk mashtrohen nga premtimet e “përrallat” e tij, nga kullat 40-65 katëshe, nga pistat e automobilizmit 190 milionë euro; nga portet e jahteve në Vlorë, Durrës, Sarandë; prej të cilëve multimilionarizohen bosë të ndërtimit, turizmit, tregtisë, trafiqeve jo ligjore dhe shumicës së shqiptarëve u mbeten “kockat”, mund të thonë, me zë të lartë, sa të dëgjohen në Surrel e Bruksel: lum kush të rrojë “parajsën” e fjalimeve si të Enverit, të Edi Ramës, domethënë sorosianizimin dhe kolumbianizimin e plotë të Shqipërisë, ta shikojë e gëzojë!