Ironi në kohë zgjedhjesh

Opinione

Ironi në kohë zgjedhjesh

Nga: Oso Ferizi Më: 11 nëntor 2025 Në ora: 08:59
Oso Ferizi

Që nga 12 shkurti 2025,kemi mbajtur zgjedhje nacionale, por ende nuk kemi institucione funksionale. Ndërkohë, sapo përfunduam edhe zgjedhjet lokale dhe partitë politike po festojnë me daulle, klarineta e fishekzjarre, si të kishin fituar ndonjë betejë historike. Të gjithë të gëzuar, të gjithë fitues – askush nuk pyet se çfarë do të ndodhë nesër.

Taman si një popull që nuk ka kuptuar ende se zgjedhjet nuk janë aheng, por përgjegjësi.

Ironia më e madhe është se kushdo që sheh këto skena nga jashtë, do të mendonte se jetojmë në ndonjë festë kombëtare, jo në një vend që ende s’ka arritur të krijojë institucione të qëndrueshme pas çdo procesi zgjedhor. Në vend të analizës dhe llogaridhënies, kemi gosti, këngë e valle. Në vend të transparencës, kemi fishekzjarre që ndriçojnë qiellin për disa orë – derisa drita e shpresës të shuhet sërish ditën tjetër.

Kush po i paguan këto darka, ahengje, biletat e votuesve, flamujt e posterët që mbulojnë çdo shtyllë? Pse asnjë institucion nuk pyet për burimin e këtyre fondeve, pse asnjë parti nuk e ndien për obligim të tregojë faturën e “fitoreve” të saj?

Në vend që të gëzohemi për standarde të reja demokratike, ne gëzohemi për standarde të reja të defilimit politik.

Unë jetoj në Gjermani, ku zgjedhjet mbahen me qetësi, rregull dhe kulturë qytetare. Nuk ka daulle, as klarineta, as karvane makinash me flamuj. Njerëzit votojnë, kthehen në shtëpi dhe presin rezultatet me dinjitet. Fitorja atje është heshtje dhe përulësi para detyrës.

Këtu, fatkeqësisht, zgjedhjet janë kthyer në spektakël – në garë se kush bën më shumë zhurmë, jo kush jep më shumë përgjegjësi.

Nuk mund të ndërtohet demokracia mbi tym fishekzjarresh dhe tinguj tupanësh. Demokracia ndërtohet me punë, ndershmëri dhe llogari.

Deri atëherë, do të vazhdojmë të festojmë çdo zgjedhje si fitore, edhe kur në të vërtetë humbim kohë, besim dhe institucione.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat