Mësimdhënësit e rezistencës, heronjtë e heshtur të lirisë!

Opinione

Mësimdhënësit e rezistencës, heronjtë e heshtur të lirisë!

Nga: Nijazi Halili Më: 27 janar 2026 Në ora: 10:08
Nijazi Halili

Në vitet e errëta të okupimit serbo-jugosllav, kur shkollat shqipe u mbyllën me dhunë dhe librat u shpallën “rrezik”, pati njerëz që nuk u tërhoqën. Ishin mësimdhënësit shqiptarë, burra e gra që zgjodhën dijen si armë dhe sakrificën si rrugë.

Ata u përjashtuan nga puna, u poshtëruan, u kërcënuan, u burgosën. Shumë mbetën pa rrogë, pa siguri, pa zë. Por kurrë pa dinjitet. Në shtëpi private, në bodrume të ftohta, në kushte çnjerëzore, ata ndezën dritën e dijes kur errësira synonte të na mbulonte të gjithëve.

Çdo orë mësimi ishte akt rezistence. Çdo fletore e hapur ishte sfidë ndaj okupatorit. Çdo fjalë shqip e mësuar ishte betim se ky popull nuk do të zhdukej. Pa këta mësimdhënës, liria do të kishte ardhur shumë më e varfër.

E megjithatë, sot, shumë prej tyre jetojnë në heshtje, me pensione të ulëta dhe pa njohjen që meritojnë. Shteti për të cilin ata sakrifikuan, shpesh i ka harruar. Historia i përmend pak. Brezat e rinj i njohin pak.

Por ne nuk guxojmë t’i harrojmë, sepse këta mësimdhënës nuk ishin thjesht arsimtarë. Ata ishin rojtarë të gjuhës, të identitetit dhe të shpirtit kombëtar. Ata janë heronjtë pa monumente, luftëtarët pa armë, por me zemër të madhe sa një atdhe.

T’i nderojmë sot, është detyrim moral.T’u japim drejtësi, është borxh historik. T’i kujtojmë, është akt atdhedashurie.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat