Dita e memories dhe fundi i luftës së klasave

Opinione

Dita e memories dhe fundi i luftës së klasave

Nga: Gëzim Muçolli Më: 28 janar 2026 Në ora: 11:11
Autori Gëzim Muçolli

Edi Rama, të hënën më 26 janar 2026, u prit në Parlamentin e Izraelit dhe u mirëprit nga historia kombëtare dhe ndërkombëtare.

Populli hebre jeton nga kujtesa dhe nga realiteti. Kujtesa i bëri punëtorë dhe të mençur, kurse realiteti i bëri të jetojnë çdo ditë me sfidën e rezistencës dhe ringjalljes.

Dikur ishin pothuajse diasporë, kurse pas Luftës së Dytë Botërore bënë shtetin e tyre ndër më të fortët në botë. Sepse ata nuk harruan asnjëherë historinë e vuajtur të tyre, por nuk harrojnë as sot se kush i ka ndihmuar.

Ky fakt bëri që Kneseti izraelit të hapë dyert për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama.

E nderuan siç nderohet miku dhe i dhanë fjalën si të ishte një nga ata që i kanë fatet e njerëzimit në dorë.

Edi Rama foli dhe rrëfeu historinë e popullit shqiptar dhe gërshetimin e fatit të mijëra hebrenjve që shpëtuan gjallë në kohën më të zezë për ta.

Shpëtuan sepse ndodheshin në Shqipërinë e atëhershme, kur kishte shtet që e mbanin burrat e vërtetë, edhe pse e pushtuar fillimisht nga fashizmi italian dhe më pas nga Gjermania naziste.

Kryeministri Rama kujtoi gjithçka rreth asaj kohe, madje e ngriti në superlativ rolin e kodit mesjetar shqiptar, Kanunit, i cili obligoi humanitetin mbi tiraninë dhe gjenocidin.

Edhe zyrtarët e lartë, edhe Edi Rama përmendën mikpritjen për mikun, si dhe instrumentin më të lartë ligjor — “Besën” shqiptare.

Edi tha se hebrenjtë nuk i dorëzuan prijësit tanë shtetërorë të asaj kohe, por nuk i përmendi emrat e tyre.

Ndoshta nuk i dinte?

Ndoshta i kishte harruar?

Ndoshta nuk e dinte nga ishin?

Jo, ai di shumë, madje edhe atë që ndoshta nuk duhet ta dijë! E di që Besën e mbajtën burrat e kombit, sepse fjala e dhënë kishte vlerë më shumë se vetë jeta e tyre.

Edi nuk mundi t’ua thoshte emrat para izraelitëve. Ndoshta sepse ai e di fort mirë që populli hebre në Izrael, në SHBA dhe kudo në botë moti e kanë kuptuar se kush ishin ata që ditën t’i thonin “JO” gjermanit, kur po kërkonte listat e hebrenjve!

Hebrenjtë në Amerikë nuk u hamendën as në vitin 1999 rreth Kosovës martire, sepse e dinin mirë atë që Edi Rama u bë sikur nuk po i kujtohej në vigjilje të Ditës së Kujtesës.

Historia e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri ka emër, mbiemër dhe fytyrë! Mbi të gjithë dihen: Xhafer Deva, Kol Bibë Mirakaj dhe Rexhep Mitrovica.

Emra të ndaluar në Shqipërinë socialiste, që duhej të zhdukeshin nga historia kombëtare.

Por hebrenjtë nuk harruan shpëtimtarët e tyre! Mjafton që e vërteta po del në shesh. Edi Rama nuk harroi, por i erdhi marre t’ua përmendë emrat!

Mjafton edhe kaq, sepse ky është sinjali i fundit se Shqipëria po e mbyll fazën e errët të historisë sonë kombëtare: Luftën e Klasave.

Faleminderit, z. Edi, sepse shpresoj se tash e tutje nuk do të na i shurdhoni më veshët, siç ndodhi për 80 vite duke thënë se kosovarët kanë bashkëpunuar me pushtuesit.

Faqja e bardhë para faqes së zezë!

Sa të ketë Besë shqiptari, do të ketë Shqipëri dhe shpresë se bashkimi kombëtar do të gjejë njerëz të besës dhe të punës, ashtu si edhe vetë populli hebre!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat