Përse Flavio Qarri nuk e “vret” tradhtarin!

Opinione

Përse Flavio Qarri nuk e “vret” tradhtarin!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 8 shkurt 2026 Në ora: 20:50
Autori Prof. Dr. Enver Bytyçi

Një analist i Klan Kosovës, i cili përdoret si kamikaz mediatik, por nuk e di se për llogari të të cilit djall, përdoret nga ky televizion për të provokuar dhe përhap narrativa të panumërta antishqiptare. Eshtë fjala për Azdren Shalën. Ky Azdreni hy në studion e TV Klan Kosovës çdo ditë dhe përdoret si top obuz kundër atyre që kritikojnë Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiqin. Por me një mendësi dhe stil shprehës e jo vetëm mediokër. Sulmon me fjalë fyese dhe pa asnjë argument, nëse dikush thotë psh se Edi Rama është në funksion të interesave të Serbisë.

Në youtube pashë një debat midis Flavio Qarrit dhe këtij Azdrenit të Klan Kosovës. Ishte pjesmarrës edhe Frrok Çupi. Të dy këta, e deri diku edhe dy moderatorët, u bënë bashkë për ta sulmuar në përpjekje edhe për ta denigruar gazetarin e shquar Flavio. Kur zoti Qarri foli për bashkëpunimin e Ramës dhe ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë me Beogradin dhe u shpreh se këta bëjnë tradhti me bashkëpunimin tyre me Serbinë, Azdreni u fry nga gjoksi, e zgjati pak qafën dhe iu hakërrua Flavio Qarrit: “A ban me ta bao nji pyetje? Pse nuk e vret ti Edi Ramën, derisa ai qenka tradhtar”?! Flavio iu përgjigj me delikatesë: - Pse çfarë po bëj unë tani? Një pyetje idiotësh, me të cilën gjithkush mund të turpërohej. Por nuk turpërohen suzarët. Edhe mua më ka qëlluar njëherë të përballem nga kamera me Shalën në studio. E ndërpreva bisedën në mes dhe u largova nga emisioni, sepse nuk jam mësuar të “luftoj” me kamikazë! Aty ku mungon logjika, vendin e saj e ze mediokriteti dhe zhurmuesit si Shala.

E pabesueshme! Ai që ka funksion t’i japë publikut mesazhet e paqes bën pyetjen absurde: - Pse ti nuk e vret tradhtarin Edi Rama! Sikur shoqëria shqiptare të ishte e kohës së mesjetës, siç është vetë predikuesi sharlatan! Dhe përmendi terroristin Avni Rustemi, i cili për ata që mendojnë si Azdreni është “patriot”! Megjithëse në fakt Avni Rustemi vrau për pushtet! Në fakt analistë si Azdren Shala vetëm nga terroristët dhe tradhtarët e kombit frymëzohen. Prandaj janë aty, në frontin serb të sulmit kundër atyre që përpiqen ta mbrojnë Kosovën nga ndarja e saj, nga ndikimi dhe influenca serbe, nga agtresioni i përditshëm i Serbisë në Kosovë! Flavio Qarri u kryqëzua nga studioja e televizionit dhe kamikazi i kësaj studioje gjithashtu nga Frrok Çupi, i cili prej 35 vitesh shpif, fyen, mashtron dhe sajon sa e sa djallëzi me të njëjtin qëllim si edhe kamikazi Shala! Por nuk po ndalem më gjatë në këtë episod, që përsëritet gjithë ditën, gjithë javën, gjithë muajin, për vite e vite me radhë. Dua thjesht të ve në dukje një gjë.

Luftën midis tradhtarëve dhe atdhetarëve në Shqipëri e kanë fituar gjithmonë tradhtarët. Atdhetarët u mblodhën në vjeshtën e vitit 1943 në Konferencën e Mukjes për të bërë bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, të cilët mbështeteshin nga Edi i Rama i kohës, me emrin Enver Hoxha. Por nuk fitoi Konferenca e Mukjes. Fituan tradhtarët, të cilët vepruan sipas platformës së Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Ata që “vranë” idetë dhe platformën serbe në Mukje, u vranë dhe u pushkatuan nga përkrahësit e Beogradit në Tiranë. Këta të sotmit, pasardhës të Miladinit dhe Dushanit vazhdojnë ta vrasin atdhetarizmin. Gjithmonë nën urdhërat e Popoviçëve dhe Mugoshëve të sotëm, me mbiemra Vuçiq, Daçiq, Gjuriq etj.

Tani një prej atyre që u shërben miladinëve dhe dushanëve të shekullit XXI,pra Viçiq dhe të tjerëve në Beograd, ky Azdren Shala, bën të njëjtën gjë si ata të vitit 1943-1948! Nëse ai dhe kolegë të tjerë të tij do të shqetësoheshin për bashkëpunimin e Shqipërisë dhe Kosovës, sa shqetësohen dhe përkrahin bashkëpunimin e Tiranës me Beogradin, kombi ynë do të ishte ndryshe. Nuk do të kishim këtë përçarje jo vetëm politike. Nuk do të kishim këtë ndarje kaq të thellë midis krahinave dhe zonave të ndryshme të Shqipërisë e madje edhe të Kosovës. Nuk do të ndiqnim ritmet e luftës për pushtet të mugoshëve të të gjitha kohëve. Nuk do të kishte përkrahës ende sot të ndarjes së Kosovës. Nuk do të kishte gjithashtu as përkrahës të shkatërrimit të Shqipërisë për shkak të nismës serbe të Open Balkan etj. Nëse nuk do të kishim në ekrane televizive njerëz si Azdren Shala, me siguri që nuk do të mundej që Serbia të hapte stacion televiziv në Shqipëri, së paku pa kërkuar ndjesë për genocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë.

Armata e madhe e politikanëve dhe analistëve proserbë e madje edhe tufa e medieve pro Serbisë në Kosovë e në Shqipëri, ia ka mundësu Serbisë që t’i ruajë dhe t’i forcojë interesat dhe ndikimet e veta në Kosovë e në Shqipëri, deri në atë pikë sa ta vejë shpesh herë në diskutim integritetin e saj territorial dhe pavarësinë e Kosovës. Në radhët e kësaj ushtrie propagandistike në favor të Serbisë janë ata që i thonë kryeministrit të Kosovës se ai “është më i keq ose njësoj si Milosheviçi”! Ose ata që thonë se “Vetëvendosja është më terroriste sesa Lista Srbska”, lideri i së cilës, Milan Radoiçiq, udhëhoqi aktin terrorist të Banjskës si dhe akte terroriste të tjera kundër Kosovës. Aq hapur kanë dalë Azdrenët e Kosovës kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës e në shërbim të propagandës serbe, sa edhe qorrat e shurdhët e kuptojnë këtë.

Flavio Qarri është patriot, por nuk është terrorist që të “vrasë tradhëtarë”! Aq më tepër që ndër ne tradhtarët janë aq shumë sa, sado të vrasësh, nuk shuhen krejtësisht. Ne jemi ai komb që ishim në kohën e Faik Konicës, kur thoshte se shqiptarët në ndahen në “kombëtarë e në suzarë”! Suzarët ia kanë marrë frymën këtij vendi dhe vazhdojnë të quhen Adrenë, Stanishiqë, palloshë, e gjithçka tjetër. Madje duke na treguar ne me cinizëm se çfarë duhet të bëjmë. Ka ardhur koha që këta suzarë t’i vrasë populli me injorim dhe me bojkot! Kjo do të ishte vrasja më e sukseshme e tradhtarëve!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat