Plejada e politikës së mjerimit dhe ndarja e sferave të interesit!...

Opinione

Plejada e politikës së mjerimit dhe ndarja e sferave të interesit!...

Nga: Ismail Muçiqi Më: 16 maj 2026 Në ora: 17:51
Ismail Muçiqi

Kosova gjendet në një udhëkryq shumë të rrezikshëm, me pasoja të paparashikueshme. Këtë situatë po e krijojnë njerëzit të cilët e kanë marrë në dorë fatin e shtetit, i cili po lëkundet nga themelet për shkak të sferave të interesit të klaneve oligarke, të cilët kanë hyrë në politikë dhe në institucionet e shtetit. Është e dhimbshme që në Kosovë është rikthyer mendësia e Kanunit të Lekë Dukagjinit, mendësi kjo e fiseve dhe bajraktarëve të dikurshëm, të cilët në vend të formimit dhe konsolidimit të shtetit, e kanë ndarë popullin në fise dhe regjione, duke e kthyer historinë prapa.

Kam frikë se jemi para një mallkimi që po e krijojnë vetë njerëzit e politikës së këtij vendi, të cilët për interesa të ngushta, për t’u mbrojtur nga gjynahet që ua kanë shkaktuar qytetarëve dhe vendit, për të bëmat e tyre kriminale, tani janë ngritur në këmbë për t’i qeruar hesapet si në kohën e grupeve të koçakëve. Ajo që ndodhi para dy ditësh në Skenderaj është lajm i keq dhe shqetësues, që mund të çojë drejt acarimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore, apo edhe të krijojë frikë nga ndonjë konflikt qytetar.

Këto fenomene negative gjatë historisë e kanë dëmtuar kombin Shqiptar në të gjitha periudhat më vendimtare. Koha po tregon se kjo plejadë e gjeneratës që ka hyrë në politikë është gjeneratë e mjerimit, që simbolizon shkallën adoleshente të papjekurisë totale për t’u përballur me sfidat e kohës. Këto të këqija po i ndodhin shtetit të Kosoves nga vetë Shqiptarët, të cilët për t’i ndarë sferat e interesit, qoftë në politikë, në biznes apo në ekonomi, po tentojnë t’i qerojnë hesapet mes vete.

Mjerisht, askush nuk është në gjendje t’i pranojë gabimet apo dëmet që ia shkakton shoqërisë apo shtetit në përgjithësi. Kjo u pa edhe gjatë ngjarjes që ndodhi në Skenderaj, me ç’rast liderët e partive politike dhe klanet e tyre u rreshtuan rreth interesit të partisë dhe elektoratit që i takojnë. Më thotë mendja se në ngjarjen e Skenderajt kanë dështuar dhe kanë ngelur në provim e gjithë udhëheqësia e Partia Demokratike e Kosovës, në krye me Bedri Hamza, i cili në vend që ta qetësonte situatën dhe t’i ulte tensionet, tregoi se është larg lidershipit që kërkon koha.

Kanë rënë në provim edhe partitë tjera, të cilat janë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe të cilat kanë obligim ligjor e kushtetues që të krijojnë klimë të volitshme për stabilizimin e raporteve dhe marrëdhënieve në institucionet legjitime të Republikës së Kosovës, e të cilat po e dërgojn vendin sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme. Që moti kanë ngelur në provim edhe shoqatat e veteranëve të luftës, të cilat në vend që t’i pastrojnë listat e veteranëve të rrejshëm dhe t’ia kthejnë imazhin Ushtris Çlirimtare te Kosovës, ato janë bërë paravan i partive politike, duke u kërcënuar me destabilizim të vendit. Këtyre tensioneve në vazhdimësi po u kontribojn edhe debatet politike të cilat janë bërë mollë sherri në përqarjen e popullit.

Kjo situatë shumë dramatike, që kohë pas kohe po eksponohet në shoqërinë Kosovare, paraqet rrezik permanent për keqësimin e raporteve ndërmjet njerëzve, e sidomos kur ndahen në regjione për të përcaktuar se kush është patriot e kush jo. Duhet theksuar se shoqëria Kosovare po vuan edhe për shkak të mungesës së kultit apo autoritetit të individit që kishte dikur.

Këto vlera i kemi përbuzur dhe shkelur, duke dalë mbi piramidën e egoizmit me bindjen se “unë jam bajraktari dhe askush tjetër pos meje”. Andaj, në fund, uroj që zgjedhjet e ardhshme nacionale të përfundojnë në mënyrën më të mirë, duke e ndryshuar sjelljen, kulturën dhe gjuhën e komunikimit ndaj rivalëve partiakë. Sa mirë që në Kosovë ekzistojnë institucionet ndërkombëtare të sigurisë, të cilat në mënyrë permanente e monitorojnë situatën në vend dhe kanë pasqyrë të saktë se kush po mundohet ta destabilizojë vendin dhe rajonin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat