Intelektualë, ju ftoj që të mos rrini indiferentë, por të aktivizoheni, të merrni guximin dhe të veproni, sepse: ju keni energjinë intelektuale, ju keni forcën, mençurinë dhe autoritetin për të rrënuar e dërrmuar korrupsionin, egoizmin, injorancën, tradhtinë, si dhe autoritetin e reputacionin e elitës politike dështake në Kosovë.
Ju, intelektualë, mos rrini indiferentë, sepse indiferentizmi është frikë dhe miratim nga ana juaj, si dhe nënshtrim përballë këtij realiteti të rëndë demokratik, politik, patriotik, social, juridik, ekonomik, intelektual dhe akademik, ku ka rënë shteti dhe shoqëria shqiptare prej elitës së keqe politike.
Intelektualë: zgjohuni nga letargjia, aktivizohuni dhe guxoni të veproni, dhe mos rrini indiferentë karshi problematikave jetike, për të cilat Kosova dhe Shqipëria kanë aq shumë nevojë sot që ju të kontribuoni për zgjidhjen e tyre.
Mos rrini indiferentë, por mbështesni Kurtin me sinqeritet e përkushtim, për të fituar e lartësuar individi dhe shoqëria dinjitetin, për të triumfuar ligji dhe shteti mbi antiligjin, korrupsionin, hajninë, tradhtinë dhe antishtetin.
Intelektualë, mos rrini indiferentë në këtë kohë kur Kosova ka aq shumë nevojë për ju, sepse nëse nuk aktivizoheni me guximin tuaj, ju do të bënit një gabim të rëndë intelektual, që do t’ju kushtojë rëndë juve dhe shoqërisë shqiptare, nëse gjërat nuk ndryshojnë rrënjësisht në Kosovë më 7 qershor 2026; ndryshim i cili vjen nëse ju angazhoheni në mbështetje të fitores së Kurtit, në mënyrë që Kosova të dalë nga udhëkryqi që është pasojë e politikës së vjetër.
Ju drejtohem juve, intelektualëve, që të mbështesni Albinin, sepse ju shkëmbeni e jepni mendime, përvoja, bëni vlerësime e gjykime, transmetoni trashëgiminë e vyer dhe vizionin e së resë, dhe ndikimi juaj i arsyeshëm dhe i pakorruptuar është i madh për ndryshimet politike dhe në shërbim të atdheut, kombit, shtetit dhe shoqërisë shqiptare.