Më 12 qershor, sheshi nuk është thjesht një hapësirë e mbushur me njerëz. Ai është zëri i një kombi që kërkon të dëgjohet. Është rinia që ngrihet dhe thërret. Është qytetari i lodhur nga pritja, nga mashtrimi dhe nga padrejtësia. Është një britmë që vjen nga thellësia e një zemërimi të grumbulluar ndër vite.
Si një vullkan i formuar nga ngjizja shumëvjeçare e korrupsionit, padrejtësisë, vjedhjes së pasurisë publike, varfërisë, mungesës së shpresës dhe arrogancës së pushtetit, protesta shpërthen sot në shesh. Në këtë shpërthim gjenden zhgënjimi i brezave, largimi masiv i të rinjve nga atdheu dhe braktisja e diasporës, së cilës prej vitesh i servohet karamelja e hidhur e "integrimit" në vendet ku e ka rrokullisur fati.
Sa cinike tingëllon kjo fjalë, kur përdoret nga ata që nuk arritën të ndërtojnë një shtet ku qytetari të ndihet i barabartë, i respektuar dhe i mbrojtur. Një shtet ku e drejta të mos jetë privilegj, ku vota të mos vidhet, ku parlamenti të mos shndërrohet në arenë sharjesh, fyerjesh dhe pazaresh, ku pasuria publike të mos trajtohet si plaçkë lufte.
Por sheshi sot gjëmon:
"Duam shtet, jo pusht(et)!"
Kjo thirrje ngrihet si një uragan, si një lumë llave që del nga zemrat e qytetarëve të nëpërkëmbur. Ata kërkojnë të dëgjohen. Kërkojnë që zëri i tyre të mos mbetet më jehonë e mureve të shesheve, por të kthehet në zë publik që pyetet për fatin e vendit dhe vendos për të ardhmen e tij.
Kërkohet t'i jepet fund vjedhjes dhe shitjes së pasurisë kombëtare. Të ndalet vrasja e ëndrrave dhe dëbimi i shpresës. Kërkohet një shtet me rregulla, me mundësi të barabarta për të gjithë; një shtet modest e jo arrogant; një shtet meritokracie dhe jo nepotizmi, klientelizmi e qokash partiake.
Dikur Migjeni shkruante:
"E unë jam vullkani që fle i fashitun, por kur t'i vijë dita, të gjitha ka me i qitun."
Këto vargje tingëllojnë sot profetike. Në sheshet e Tiranës dhe kudo ku ka shqiptarë, nuk dëgjohen vetëm thirrje proteste. Dëgjohen "Kangët e Pakëndueme" të një populli që nuk pranon të mbetet më spektator i fatit të vet.
Është koha që këto këngë të dëgjohen. Përndryshe, llava e revoltës që po zien nën sipërfaqe mund t'u sjellë disave jo këngën e lavdisë, por këngën e turpit.
Dhe atëherë pyetja e Migjenit do të ushtojë edhe më fort mbi këtë vend:
"Ndoshta shekujt me ne prapë po tallen?"
Përgjigjja nuk gjendet më në librat e historisë. Ajo po shkruhet sot në shesh.