Ta dini se pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania nga Koalicioni Antifashist ishte bombarduar, thuajse nuk kishte mbetur asnjë shtëpi dhe godinë pa bërë rrafsh me tokën.
Gjermanët, megjithë dhimbjen për viktimat e pafajshme dhe shkatërrimet e tmerrshme të luftës, vendosën ta rindërtonin vendin e tyre, duke punuar i madh e i vogël, gra e burra, falas, jo më pak se tri vite pa pushuar, natë as ditë, vetëm për dy racione ushqimi në ditë.
Kjo ishte periudha në të cilën gjermanët po e rindërtonin vendin e tyre, të bërë rrafsh me tokë nga lufta, me një atdhedashuri të zjarrtë, për t’ua lënë gjeneratave të ardhshme një Gjermani të zhvilluar dhe të fuqishme ekonomikisht.
Tani, në këtë periudhë të rindërtimit të Gjermanisë pas luftës, në jetën politike dhe institucionale nuk njihej termi hajni dhe korrupsion. Gjermanët kishin vendosur jo t’i merrnin, por vetëm t’i jepnin atdheut të tyre të rrënuar tërësisht nga lufta.
Vallë, a thua do të duhej që edhe ne shqiptarët e Kosovës ta kishim vazhduar të njëjtën rrugë në rindërtimin dhe ndërtimin e vendit tonë pas Luftës me Serbinë antishqiptare dhe gjenocidale, e cila, përveç krimeve makabre të luftës, nuk la shtëpi në Kosovë pa bërë rrafsh me tokë, pastaj vrau edhe bagëtitë në fusha dhe male për ta treguar shpirtin e saj antinjerëzor?!
E jo politikanët tanë ta lënë kaq gjatë shtetin tonë pa institucione, për shkak të luftës për pushtet, dhe të akuzohen për hajni dhe korrupsion kundër popullit dhe shtetit të tyre, të krijuar mbi sakrificat e një populli të martirizuar, por edhe me ndihmën e popujve paqedashës të BOTËS, të cilëve duhet t’ju jemi falënderues dhe mirënjohës përjetësisht!