Grenell, pa futur gjumë në sy, po e pret të nesërmen e 16.09.26!

Opinione

Grenell, pa futur gjumë në sy, po e pret të nesërmen e 16.09.26!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 15 shtator 2026 Në ora: 15:22
Sherif Ramabaja

Ky do të ishte momenti historik i Grenellit, ndoshta edhe shansi i fundit, që ti imponohet presidentit Trump si strateg, po pse jo edhe politikës gjeostrategjike botërore. Pas dështimeve të tij në Gjermani (derisa ishte ambasador) dhe EU, e vetmja mundësi tani i ka mbetur Ballkani.

Fati i tij tashmë është i lidhur pikërisht me vendimin e Gjykatës së Hagës, i cili do të bie më 16.09.26. Nga vendimi i kësaj dite, (date) lidhen dhe varen edhe shumë ngjarje dhe personalitete të tjera, si ç´janë: Edi Rama e Vuçiqi, PD e Kosovës, pse jo edhe e tërë opozita e vendit, e cila deri më tash ka vallëzuar sipas valles së Grenellit.

Pra me këtë datë lidhen shumë fate, dhe afera të cilat do të përcaktojnë të ardhmen e këtyre personaliteteve. Grenell do ta përmbushte misionin e tij duke shpresuar në rrëzimin e Albin Kurtit dhe aktivizimin e planit mbi Kosovën, që e kishte së bashku me ekipin e tij nga Ballkani.

Edi Rama po ashtu do të shpresonte ta shfrytëzonte euforinë, që ti shmangej presionit të protestave për rrëzimin e tij. Vuçiqi po ashtu është i përgatitur për këtë ditë. Planet i ka të gatshme, si do që të ndodhë. Nëse Grenell dështon me skenarin e tij, Vuçiqi po punon që të shkaktoi kaos në Kosovë, në mënyrë që të harrohej turpin që bëri, me organizimin e varrimit shtetëror të kriminelit Mlladiq.

E nesërmja i përgjigjet edhe PD të Kosovës e cila për çdo ditë protestonte për konstituimin e Kuvendit, kurse kur u bë ai, ata u larguan nga parlamenti. Kjo flet mjaft për qëllimin e tyre. Populli thotë: Mos e vetë, se të kallëzon vetë.

E nesërmja po ashtu u përgjigjet edhe atyre të cilët po kërkojnë armatosjen e popullit dhe daljen në luftë. Nëse mungon armiku, së paku të luftohet me mullinjtë e erës.

E nesërmja e 16.09.26 i përgjigjet edhe Haradinajt. Pasi i dështoi plani që të bëhej president, u angazhua që për këtë post ta emëroi Thaçin, për të cilin dikur skishte lënë gjë pa thënë. Ky mentalitet i tij, sigurisht se nuk ka të bëjë asgjë me kaosin.

E nesërmja e 16.09.26 i shërbeu edhe zotit Taulant Balla, i cili kur është në pyetje atdheu, e harroi kaosin në Shqipëri të cilit po i prin ai me gjithë shefin e tij Ramën dhe vrapoi në Prishtinë, që të merrte foto që lidhet po me këtë ditë.

Kjo ditë siç po shihet po i përgjigjet edhe zotit Isa Mustafa, i cili në stilin e një ideologjie komuniste apeloi që diaspora mos t´ia imponoi Kosovës diktaturën, duke e votuar Albin Kurtin.

Shqiptarët siç po shihet, edhe këtë shekull, si në shtetin amë dhe në Kosovë, po edhe kudo që jetojnë në trojet e tyre, po e vazhdojnë traditën e tyre, duke luftuar për interesa të të tjerëve. Deri kur?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat