Arsimi është një nga institucionet themelore përmes të cilit një shoqëri e ndërton të ardhmen e saj. Ai nuk është vetëm proces i bartjes së dijes nga mësuesi te nxënësi, por një mekanizëm përmes të cilit formohen personaliteti, kultura, identiteti, përgjegjësia qytetare, aftësitë profesionale dhe marrëdhëniet ndërmjet individit dhe shoqërisë.
Kur flasim për arsimin dikur dhe sot, nuk kemi të bëjmë vetëm me një krahasim të librave, bankave shkollore, dërrasës së zezë dhe kompjuterit. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me krahasimin e dy epokave shoqërore, me dy mënyra të ndryshme të jetesës, me dy sisteme vlerash dhe me dy koncepte të ndryshme për fëmijën, familjen, mësuesin dhe shkollën.
Për brezat që u rritën në Preshevë dhe në trevat shqiptare të Luginës së Preshevës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, shkolla kishte një peshë të jashtëzakonshme. Ajo ishte vendi ku fëmija mësonte të lexonte e të shkruante, por edhe vendi ku fitonte disiplinën, respektin ndaj mësuesit, shokëve dhe familjes. Në një shoqëri kryesisht rurale, ku bujqësia dhe puna familjare zinin një vend të rëndësishëm në jetën e përditshme, arsimi përfaqësonte një nga rrugët kryesore të mobilitetit shoqëror.
Sot rrethanat janë krejtësisht të tjera. Fëmija jeton në një shoqëri të digjitalizuar, ka qasje në internet, telefon inteligjent, platforma elektronike, burime të pafundme informacioni dhe një botë që nuk përfundon në kufijtë e vendbanimit të tij. Por pikërisht këtu lind paradoksi i kohës sonë: kurrë nuk kemi pasur më shumë informacion, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kemi më shumë dije.
SHKOLLA E DIKURSHME DHE SHOQËRIA QË E RRETHONTE
Për ta kuptuar arsimin e dikurshëm duhet të kuptojmë shoqërinë e dikurshme.
Në Preshevë, sidomos gjatë dekadave të para pas Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë gjatë viteve ’60, ’70 dhe ’80, një pjesë e konsiderueshme e familjeve shqiptare jetonte nga bujqësia, blegtoria, tregtia e vogël dhe zejet. Fëmijët rriteshin në një mjedis ku puna ishte pjesë e natyrshme e jetës familjare.
Punohej toka (arat dhe kosher), mbillej grurë, misër dhe kultura të tjera bujqësore.Shumë familje merreshin edhe me kultivimin dhe përpunimin e duhanit dhe puna nuk ishte vetëm burim ekonomik te ardhurash; ajo ishte edhe një institucion i edukimit praktik.
Fëmija mësonte që herët se çdo gjë kërkonte përpjekje. Nuk kishte telefon, internet apo rrjete sociale, por kishte familjen, oborrin, arën, livadhin, mullirin, punishten dhe shkollën.
Në këtë kuptim, shkolla dhe jeta familjare nuk ishin dy botë të ndara aq shumë sa sot.
Fëmija shkonte në shkollë dhe pas mësimit kthehej në familje për të ndihmuar në punë. Kjo krijonte një disiplinë të natyrshme të kohës. Shkolla kërkonte mësim, ndërsa familja kërkonte punë. Të dyja së bashku krijonin një formë edukimi të përgjithshëm.
Kjo nuk do të thotë se arsimi i dikurshëm ishte pa probleme. Përkundrazi, kishte mungesa të mjeteve mësimore, kushte më të kufizuara materiale dhe shumë vështirësi të tjera. Por kishte edhe një element të rëndësishëm: shkolla gëzonte autoritet të madh shoqëror!
Mësuesi nuk ishte vetëm një punëtor i arsimit. Ai ishte figurë publike, edukator, këshilltar dhe shpesh një prej njerëzve më të respektuar të komunitetit.
MËSUESI – FIGURA QENDRORE E SHKOLLËS
Një prej ndryshimeve më të mëdha ndërmjet arsimit të dikurshëm dhe atij të sotëm lidhet me pozitën shoqërore të mësuesit.
Mësuesi i dikurshëm kishte një autoritet që buronte jo vetëm nga pozita e tij profesionale, por edhe nga respekti që familja dhe shoqëria i kushtonin dijes.
Prindi i thoshte fëmijës: “Dëgjoje mësuesin!”
Ky formulim i thjeshtë përmbante një filozofi të tërë edukimi.
Sot marrëdhënia ndërmjet mësuesit, nxënësit dhe prindit është shumë më komplekse. Autoriteti i mësuesit nuk mund të mbështetet vetëm te pozita institucionale. Ai duhet të ndërtohet mbi profesionalizmin, komunikimin, kompetencën pedagogjike dhe aftësinë për t’u përshtatur me nevojat e gjeneratave të reja.
Kjo është një sfidë e madhe!
Mësuesi bashkëkohor nuk mund të jetë vetëm transmetues i informacionit. Nxënësi mund të gjejë në internet, brenda pak sekondash, një informacion që dikur kërkonte orë të tëra kërkimi në bibliotekë.
Prandaj pyetja kryesore nuk është më:
“Sa informacion di mësuesi?”
Pyetja është:
“Sa mirë di mësuesi ta udhëheqë nxënësin drejt informacionit të saktë, ta analizojë atë dhe ta shndërrojë në dije?”
Ky është ndryshimi thelbësor ndërmjet mësimdhënies tradicionale dhe asaj moderne.
ARSIMI SHQIP – SHKOLLË DHE IDENTITET
Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, arsimi ka edhe një dimension tjetër: atë të gjuhës, kulturës dhe identitetit.
Për komunitetin shqiptar, shkolla në gjuhën shqipe nuk është vetëm institucion pedagogjik. Ajo është edhe institucion i transmetimit kulturor.
Nëpërmjet shkollës kalojnë te brezi i ri gjuha shqipe, letërsia, historia, kultura, traditat dhe vetëdija për përkatësinë kulturore.
Prandaj çështja e arsimit shqip nuk duhet parë vetëm nga këndvështrimi i numrit të nxënësve apo numrit të klasave. Duhet parë edhe si çështje e qëndrueshmërisë kulturore dhe shoqërore të komunitetit.!
Legjislacioni i Serbisë parashikon mundësinë e arsimit në gjuhët e pakicave kombëtare. Për vitin shkollor 2025/26, Ministria e Arsimit njoftoi se nxënësit e tetë pakicave kombëtare, përfshirë shqiptarët, mund ta ndjekin mësimin e plotë në gjuhën e tyre amtare, ndërsa serbishtja mësohet si gjuhë joamtare e detyrueshme.
Por ekzistenca e së drejtës formale nuk e mbyll çështjen.
E drejta për arsim në gjuhën amtare duhet të shoqërohet me kushte reale për realizimin e saj.
Kjo nënkupton tekste shkollore, mjete mësimore, kuadro profesionale, përkthime cilësore, programe bashkëkohore, laboratorë, biblioteka, teknologji dhe një sistem të qëndrueshëm të përgatitjes së mësuesve.
NGA LIBRI TE DIGJITALUZIMI
Dikur libri ishte pothuajse burimi kryesor i dijes.
Nxënësi kishte librin, fletoren, lapsin dhe mësuesin.
Sot situata është krejtësisht tjetër!
Nxënësi ka telefon, kompjuter, internet, video, enciklopedi elektronike, platforma arsimore dhe mjete të inteligjencës artificiale. Kjo ka krijuar mundësi të jashtëzakonshme për zgjerimin e dijes.
Por teknologjia nuk është automatikisht arsim!
Një nxënës mund të ketë qasje në miliona faqe interneti dhe përsëri të mos dijë të dallojë faktin nga dezinformimi.
Prandaj arsimi bashkëkohor duhet ta zhvillojë jo vetëm alfabetizimin tradicional, por edhe:
● alfabetizimin digjital;
● mendimin kritik;
● aftësinë për të verifikuar burimet;
● kulturën mediatike;
● aftësinë për të argumentuar;
● përdorimin etik të teknologjisë;
● aftësinë për të bashkëpunuar;
● kreativitetin dhe zgjidhjen e problemeve.
Kjo është një nga sfidat më të mëdha të shkollës së sotme.
Nëse shkolla e dikurshme duhej t’i mësonte fëmijës ku ta gjente dijen, shkolla e sotme duhet t’i mësojë atij si ta dallojë dijen nga informacioni i rremë.
PROBLEMI I TEKSTEVE SHKOLLORE NË GJUHËN SHQIPE
Një nga problemet më të rëndësishme të arsimit shqip në Luginën e Preshevës ka qenë dhe mbetet çështja e teksteve shkollore.
Sipas Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë, në kuadër të arsimit fillor në gjuhën shqipe janë miratuar gjithsej 88 tekste dhe fletore pune, ku një pjesë janë përkthime nga serbishtja, një pjesë vijnë nga Republika e Shqipërisë, ndërsa disa janë shkruar nga autorë nga Bujanoci dhe Presheva.
Në nivelin e përgjithshëm të Serbisë, Ministria e Arsimit raportoi se për vitin shkollor 2026/27 është përgatitur katalogu i teksteve në gjuhët e pakicave dhe se janë në dispozicion 1.277 njësi tekstesh, prej të cilave 849 janë botuar sipas programeve të reformuara të mësimdhënies dhe të nxënit.
Këto të dhëna tregojnë se ekziston një proces institucional i prodhimit dhe miratimit të teksteve.
Por problemi duhet analizuar edhe në një nivel tjetër: a është teksti thjesht i përkthyer apo është pedagogjikisht dhe kulturorisht i përshtatshëm për nxënësin shqiptar të Luginës?
Kjo është pyetje thelbësore!
Përkthimi i një teksti nuk është gjithmonë i barabartë me krijimin e një teksti cilësor!
Një tekst shkollor duhet të jetë i kuptueshëm, i saktë shkencërisht, bashkëkohor, metodologjikisht i përshtatshëm dhe i afërt me realitetin e nxënësit.
Nxënësi i Preshevës duhet të mund ta njohë veten edhe në shembujt, ushtrimet, historitë, hartat dhe kontekstet që përdoren në edukimin e tij.
SHKOLLA E MESME – NJË PROBLEM QË KËRKON VËMENDJE TË VEÇANTË
Nëse në arsimin fillor është bërë progres në sigurimin e disa teksteve, situata e arsimit të mesëm në gjuhën shqipe vazhdon të ketë vështirësi.
Raportime të vitit 2025 kanë evidentuar se nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme në Luginën e Preshevës vazhdonin të përballeshin me mungesën e teksteve në gjuhën shqipe dhe se mësuesit shpesh mbështeteshin në materiale të përgatitura prej tyre.
Ky problem nuk është vetëm teknik.
Mungesa e tekstit shkollor ndikon në:
cilësinë e mësimdhënies → mënyrën e studimit → barazinë ndërmjet nxënësve → rezultatet arsimore → përgatitjen për universitet dhe tregun e punës.
Prandaj arsimi i mesëm duhet të jetë një prej prioriteteve kryesore.
Nxënësi që përfundon shkollën e mesme duhet të ketë mundësi të barabarta për të konkurruar në universitetet e Kosovës, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Evropës apo kudo tjetër.
SHKOLLA E MBUSHUR ME NXËNËS DHE SHKOLLA QË PËRBALLET ME DEPOPULLIMIN
Një prej ndryshimeve më të mëdha ndërmjet arsimit të dikurshëm dhe sot është edhe ndryshimi demografik.
Dikur shkollat e Luginës së Preshevës kishin numër shumë më të madh nxënësish. Në disa periudha, klasat ishin të mbushura.
Sot shumë shkolla përballen me një problem tjetër: rënien e numrit të nxënësve.
Ky problem nuk mund të trajtohet vetëm si çështje e arsimit. Ai është rezultat i një kombinimi faktorësh:
● migrimi;
● rënia e natalitetit;
● largimi i familjeve të reja;
● vështirësitë ekonomike;
● mungesa e vendeve të punës;
● urbanizimi;
● orientimi i të rinjve drejt qendrave më të mëdha.
Prandaj, kur mbyllet një klasë për shkak të mungesës së nxënësve, nuk duhet parë vetëm si statistikë arsimore!
Ajo është edhe shenja e një ndryshimi demografik.
Në këtë kuptim, shkolla është një nga instrumentet më të mira për të matur gjendjen e një shoqërie.
Nëse numri i nxënësve rritet, zakonisht kemi një shoqëri me më shumë familje të reja dhe me perspektivë demografike më të qëndrueshme.
Nëse numri bie vazhdimisht, problemi shkon përtej shkollës.
DIKUR FËMIJA MËSONTE EDHE NGA PUNA - SOT MËSON EDHE NGA TEKNOLOGJIA
Ekziston një dallim i madh kulturor ndërmjet fëmijërisë së dikurshme dhe asaj të sotme.
Dikur fëmija mësonte duke parë babanë, nënën, gjyshin dhe gjyshen.
Mësonte si punohej toka, si mbillej gruri, si korrej misri, si kultivohej duhani, si kujdeseshin kafshët, si funksiononte një familje dhe si ndërtohej marrëdhënia me fqinjët.
Kjo ishte një shkollë e jetës!
Sot fëmija ka një botë tjetër.
Ai mëson nga Google, YouTube, TikTok, platformat elektronike, lojërat digjitale dhe rrjetet sociale.
Problemi nuk është se njëra botë është absolutisht e mirë dhe tjetra absolutisht e keqe
Problemi është se shkolla duhet t’i bashkojë të dyjat.
Fëmija duhet të dijë të përdorë teknologjinë, por duhet të dijë edhe çfarë është puna.
Duhet të dijë të kërkojë informacion në internet, por duhet të dijë edhe të lexojë një libër.
Duhet të komunikojë në rrjetet sociale, por duhet të dijë të komunikojë me njeriun përballë.
Duhet të jetë kreativ në botën digjitale, por nuk duhet të humbasë lidhjen me familjen, komunitetin dhe kulturën e vet!
DISIPLINA DIKUR DHE SOT
Një tjetër çështje që meriton analizë është disiplina.
Në shkollën e dikurshme disiplinën e mbështeste një kombinim faktorësh: autoriteti i mësuesit, familja, komuniteti dhe rregullat e shkollës.
Sot fëmija është më i ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme. Interneti dhe rrjetet sociale e kanë dobësuar monopolin e familjes dhe shkollës mbi procesin edukativ.
Prandaj edukimi modern nuk mund të mbështetet vetëm në ndëshkim.
Duhet të ndërtojë përgjegjësi të brendshme.
Nxënësi duhet të kuptojë pse duhet të respektojë rregullat, pse duhet të mësojë, pse duhet të respektojë tjetrin dhe pse duhet të marrë përgjegjësi për veprimet e veta.
Kjo është më e vështirë se disiplina mekanike, por edhe më e qëndrueshme.
FAMILJA – PARTNERI I DOMOSDOSHËM I SHKOLLËS
Asnjë sistem arsimor nuk mund të ketë sukses nëse familja dhe shkolla punojnë në drejtime të kundërta!
Dikur prindi kishte rol më të drejtpërdrejtë në kontrollin e fëmijës. Sot shumë prindër janë të zënë me punë, emigrim, ekonomi familjare dhe probleme të tjera sociale.
Për këtë arsye shkolla duhet të zhvillojë një model të ri bashkëpunimi me familjen.
Prindi nuk duhet të shfaqet në shkollë vetëm kur fëmija ka problem.
Ai duhet të jetë pjesë e procesit të edukimit!
Në të njëjtën kohë, shkolla nuk duhet të ndërhyjë në rolin e familjes. Detyra e saj është të krijojë bashkëpunim.
Fëmija ka nevojë për tri shtylla: familjen, shkollën dhe komunitetin!
Kur njëra prej tyre dobësohet, barra mbi dy të tjerat bëhet më e madhe.
SHKOLLA DHE PËRGATITJA PËR TREGUN E PUNËS
Një nga problemet e arsimit bashkëkohor është distanca ndërmjet shkollës dhe tregut të punës.
Në një shoqëri që ndryshon me shpejtësi, arsimi nuk mund të kufizohet vetëm në diploma.
Nxënësi duhet të fitojë aftësi të përdorshme.
Kjo do të thotë se arsimi profesional duhet të ketë rol më të madh.
Presheva dhe Bujanoci kanë nevojë për të rinj që dinë:
● teknologjinë;
● gjuhët e huaja;
● ekonominë;
● administrimin;
● bujqësinë moderne;
● përpunimin ushqimor;
● tekstilin;
● zejtarinë;
● turizmin;
● shërbimet;
● programimin;
● menaxhimin dhe sipërmarrjen.
Këtu duhet të ndryshojë edhe koncepti për arsimin profesional.
Shkolla profesionale nuk duhet të shihet si alternativë “më e dobët” ndaj gjimnazit!
Në një ekonomi moderne, një teknik i mirë, programues, elektricist, mekanik, agronom, infermier apo specialist i një profesioni të caktuar mund të ketë vlerë të jashtëzakonshme shoqërore dhe ekonomike.
ARSIMI DHE EMIGRIMI I TË RINJVE
Një paradoks i madh i Luginës është se familjet investojnë shumë në arsim, ndërsa një pjesë e të rinjve, pasi përfundojnë shkollimin, largohen!
Nga njëra anë, kjo tregon se arsimi krijon kapital njerëzor.
Nga ana tjetër, nëse shoqëria nuk krijon vende pune dhe perspektivë, ky kapital njerëzor mund të shkojë jashtë vendit.
Kjo njihet në sociologji si problem i “rrjedhjes së trurit”.
Prandaj politika arsimore nuk mund të ndahet nga politika ekonomike!
Nuk mjafton të themi:
“Të rinjtë duhet të arsimohen.”
Duhet të shtrojmë pyetjen:
“Çfarë do t’u ofrojmë të rinjve pasi të arsimohen?”
Nëse përgjigjja është vetëm emigrimi, atëherë sistemi arsimor prodhon individë të arsimuar për një treg tjetër.
Arsimi i vitit 2026 po përballet me një ndryshim që nuk mund të krahasohet lehtë me ndryshimet e dekadave të mëparshme.
Inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si nxënësit kërkojnë informacion, shkruajnë, përkthejnë, përmbledhin dhe zgjidhin probleme.
Kjo mund të jetë mundësi e madhe, por edhe rrezik!
Nëse nxënësi e përdor inteligjencën artificiale për të kuptuar më mirë një problem, ajo mund të jetë mjet i dobishëm.
Nëse e përdor për të mos menduar fare, ajo mund ta dobësojë procesin e të nxënit.
Prandaj shkolla e së ardhmes duhet të mësojë jo vetëm si përdoret teknologjia, por edhe kur, pse dhe me çfarë përgjegjësie duhet përdorur.
Mendimi kritik do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm!!
ÇFARË DUHET TË RUAJMË NGA ARSIMI I DIKURSHËM?
Krahasimi nuk duhet të përfundojë me idenë se “dikur gjithçka ishte më mirë”.
Kjo do të ishte një romantizim i së kaluarës.
Nga arsimi i dikurshëm duhet të ruajmë:
respektin për mësuesin;
dashurinë për librin;
disiplinën;
përkushtimin ndaj mësimit;
vlerën e punës;
përgjegjësinë familjare;
respektin ndaj dijes;
solidaritetin ndërmjet nxënësve;
lidhjen me komunitetin.
Por nuk duhet të rikthehemi te format e vjetra të mësimdhënies vetëm sepse janë të vjetra!
Shkolla duhet të ecë përpara.
ÇFARË DUHET TË MARRIM NGA ARSIMI I SOTËM?
Nga arsimi bashkëkohor duhet të marrim:
teknologjinë;
metodat interaktive;
mësimin e bazuar në probleme;
mendimin kritik;
punën në grup;
gjuhët e huaja;
kompetencat digjitale;
qasjen individuale ndaj nxënësit;
arsimin gjithëpërfshirës;
bashkëpunimin ndërkombëtar.
Por të gjitha këto duhet të vendosen në shërbim të njeriut.
Teknologjia është mjet, jo qëllim.
Diploma është dokument, jo dije!
Informacioni është material, jo domosdoshmërisht njohuri!
Dija bëhet e vlefshme vetëm kur shndërrohet në aftësi, kulturë dhe përgjegjësi.
PËRGJEGJËSIA E INSTITUCIONEVE
Përmirësimi i arsimit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk mund të jetë vetëm detyrë e mësuesit
Përgjegjësia është e ndarë ndërmjet:
● Ministrisë së Arsimit;
● pushteteve lokale;
● Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve;
● drejtorive të shkollave;
● mësuesve;
● prindërve;
● komunitetit;
● organizatave profesionale;
● universiteteve;
● diasporës.
Institucionet lokale duhet të kenë rol më të madh në përmirësimin e infrastrukturës, laboratorëve, bibliotekave dhe teknologjisë.
Këshilli Kombëtar duhet të vazhdojë të luajë rol në çështjet që lidhen me gjuhën, kulturën, tekstet dhe arsimin në gjuhën shqipe.
Ministria duhet të garantojë standarde të njëjta të cilësisë dhe realizimin praktik të të drejtave arsimore.
Ndërsa shkollat duhet të zhvillojnë mekanizma të matjes së cilësisë.
Nuk mjafton të dimë sa nxënës kemi.
Duhet të dimë:
çfarë mësojnë ata;
sa mirë e mësojnë;
çfarë aftësish fitojnë;
sa vazhdojnë arsimin;
sa prej tyre punësohen;
sa largohen;
dhe sa prej tyre kthehen për të kontribuar në vendlindje?
NJË PROGRAM I RI PËR ARSIMIN SHQIP
Nëse duam ta shohim arsimin e Luginës në perspektivë, nevojitet një program më i gjerë dhe afatgjatë.
Ky program duhet të ketë së paku dhjetë shtylla:
E para, sigurimin e qëndrueshëm të teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
E dyta, krijimin dhe mbështetjen e autorëve shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
E treta, digjitalizimin e shkollave dhe krijimin e bibliotekave elektronike.
E katërta, forcimin e arsimit profesional.
E pesta, zhvillimin profesional të vazhdueshëm të mësuesve.
E gjashta, forcimin e mësimit të gjuhës serbe si gjuhë e mjedisit institucional dhe shoqëror.
E shtata, forcimin e gjuhëve të huaja.
E teta, krijimin e programeve për nxënësit me talent të veçantë.
E nënta, krijimin e mekanizmave për të parandaluar braktisjen e shkollimit.
E dhjeta, lidhjen e arsimit me ekonominë lokale dhe tregun e punës.
Një program i tillë nuk duhet të hartohet vetëm nga politikanët.
Duhet të marrin pjesë pedagogë, sociologë, psikologë, mësues, profesorë, prindër, nxënës, ekonomistë dhe ekspertë të arsimit.
NGA KUJTESA E SHKOLLËS TE E ARDHMJA E SAJ
Kur kujtojmë shkollën e fëmijërisë, zakonisht nuk kujtonme vetëm librin. Por kujtojmë bankën, oborrin shkollor, mësuesin, shokët, zilen e shkollës, rrugën që bënim çdo mëngjes edhe jetën jashtë shkollës.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e arsimit: shkolla nuk është vetëm ndërtesë. Ajo është pjesë e kujtesës kolektive të një shoqërie!
Për brezin e dikurshëm, shkolla ishte një dritare drejt një bote më të madhe.
Për brezin e sotëm, bota tashmë ka hyrë brenda klasës.
Ky është ndryshimi themelor!
Dikur fëmija duhej të shkonte në bibliotekë për të kërkuar informacion.
Sot informacioni vjen në telefonin e tij!
Por kjo nuk e bën bibliotekën të panevojshme.
Përkundrazi!
Në epokën e informacionit të tepërt, nevoja për dije të organizuar, burime të besueshme dhe mendim kritik bëhet edhe më e madhe.
PËRFUNDIM
Arsimi dikur dhe arsimi sot nuk duhet të vendosen përballë njëri-tjetrit si dy realitete ku njëri duhet të fitojë dhe tjetri të humbasë.
Shoqëria duhet të marrë më të mirën nga të dyja kohët!
Nga e kaluara duhet të marrim disiplinën, respektin për dijen, punën, librin, mësuesin dhe familjen.
Nga e tashmja duhet të marrim teknologjinë, kreativitetin, mendimin kritik, komunikimin ndërkombëtar dhe metodat moderne të mësimit.
Sfida e arsimit shqiptar në Luginën e Preshevës është edhe më komplekse, sepse lidhet njëkohësisht me cilësinë e arsimit, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës, ndryshimet demografike, emigrimin, tregun e punës dhe perspektivën e të rinjve.
Prandaj pyetja nuk duhet të jetë vetëm:
“Si ishte arsimi dikur?”
As vetëm:
“Si është arsimi sot?”
Pyetja më e rëndësishme është:
“Çfarë arsimi duhet t’u ndërtojmë fëmijëve tanë për të ardhmen?”
Përgjigjja nuk mund të jetë kthim në të kaluarën.
Por as nuk mund të jetë dorëzim i verbër ndaj teknologjisë.
Duhet të jetë një shkollë moderne me rrënjë të forta, një shkollë që e ruan gjuhën dhe identitetin, por që njëkohësisht e përgatit nxënësin për Evropën dhe botën; një shkollë që e mëson fëmijën të lexojë librin, por edhe të përdorë teknologjinë; që e mëson të respektojë traditën, por edhe të mendojë në mënyrë kritike; që e përgatit për universitet, por edhe për jetën dhe punën.
Në vitin shkollor 2026/27, për shembull, institucionet shtetërore kanë vazhduar mbështetjen materiale për nxënësit e klasës së parë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; për këtë qëllim janë ndarë 3.2 milionë dinarë për çanta dhe pajisje shkollore.
Këto masa janë të dobishme, por arsimi nuk mund të matet vetëm me atë se çfarë i jepet fëmijës në ditën e parë të shkollës. Cilësia e vërtetë matet me atë se çfarë njeriu, çfarë qytetari dhe çfarë profesionisti del ai nga sistemi arsimor pas shumë vitesh?
Prandaj investimi më i madh nuk është vetëm në ndërtesën e shkollës, në kompjuter apo në tekstin shkollor.
Investimi më i madh është në njeriun që mëson dhe në mësuesin që e udhëheq atë!
Sepse një shoqëri që e humb arsimin, humb të ardhmen!
Ndërsa një shoqëri që e ndërton arsimin mbi dije, përgjegjësi, identitet dhe mendim kritik, ndërton një të ardhme që mund t’u rezistojë ndryshimeve të kohës.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi më i madh ndërmjet arsimit dikur dhe arsimit sot:
dikur shkolla përgatitte fëmijën për botën që njihnim; sot duhet ta përgatisë për një botë relativisht të panjohur!
Preshevë, 28 shtator 2026