Nuk ka dilemë se një numër i mbeturinave të ashtuquajtur gazetarë, redaktorë e përfaqësues të disa mjeteve të informimit, mbrëmë, pas zgjedhjes së Presidentes së Republikës së Kosovës, e treguan fytyrën e vërtetë të dëshpërimit. Këta të ashtuquajtur gazetarë, “analistë” e udhëheqës medialë, të cilët me muaj e vite e helmuan opinionin Kosovar me të ashtuquajtura debate politike, në vend të gëzimit, solidaritetit dhe afirmimit për zgjedhjen e Presidentes, ende pa përfunduar seanca parlamentare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, vazhduan me avazin e vjetër, duke shpifur dhe duke u munduar ta kontestojnë zgjedhjen e Presidentes Justina Shiroka-Pula, duke e vënë në pikëpyetje tejkalimin e afatit kohor prej 10 minutash.
Ky profil i njerëzve që kanë hapur mediume të ndryshme, e sidomos ato private, moti i kanë tejkaluar të gjitha normat etike, morale e profesionale, duke hapur tema të panevojshme për shoqërinë kosovare, të cilat nuk i shërbejnë askujt. Këta individë, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me sektorin e gazetarisë profesionale, janë infiltruar në disa mediume private, të cilat janë themeluar nga mafia biznesore, e cila i mban këto mediume për t’i shantazhuar institucionet e shtetit dhe opinionin e gjerë, e në anën tjetër për t’i mbrojtur interesat materiale, financiare e mafioze të kapitalit që kanë krijuar vite me radhë. Ka kohë që në këto mediume kanë filluar të punojnë disa individë, të cilët kohë më parë qeveritë e mëparshme i kishin shpërblyer me pozita të ndryshme publike e diplomatike në institucionet e shtetit të Kosovës.
Këta individë, të ashtuquajtur “diplomatë”, pasi e kryen mandatin pa i sjellë asnjë të mirë shtetit të Kosovës, u futën nëpër disa televizione private dhe u avancuan nga pronarët e tyre në pozita redaktuese e programore të karakterit informativo-politik, duke u rreshtuar kundër institucioneve të Qeverisë së Kosovës dhe individëve të caktuar, duke krijuar opozitarizëm destruktiv kundër qeverisë dhe institucioneve të shtetit.
Kjo mendësi me përmasa të sadizmit dhe primitivizmit u pa edhe mbrëmë, kur Parlamenti i Kosovës zgjodhi Justina Shiroka-Pulën për Presidente të Republikës së Kosovës. Këta të ashtuquajtur “redaktorë”, në vend të festës dhe kremtimit, ende pa përfunduar mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, filluan me shpifje, duke plasuar dilema e hile konspirative dhe duke vënë në pikëpyetje afatin kushtetues për zgjedhjen e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Më thotë mendja se gjendja në disa mjete të informimit në Republikën e Kosovës duhet patjetër të analizohet nga ana e Parlamentit të Kosovës dhe institucioneve të tjera përkatëse, të cilat e monitorojnë sektorin medial, dhe të vlerësohet politika redaktuese, e cila moti ka dalë nga binarët e gazetarisë informative.