Mbathja… Edi, mbathja nga Shqipëria!

Opinione

Mbathja… Edi, mbathja nga Shqipëria!

Ilir Çumani Nga Ilir Çumani Më 29 tetor 2026 Në ora: 13:06
Edi Rama

Zhvishe petkun e despotit, vish rason e murgut dhe IK!

Pa e kthyer kokën pas, pa asnjë pendesë për zullumet e tua!

Mendoje edhe një herë, me qetësi, dorëheqjen. Pastaj… IK! IK!

Zhvishe petkun e sundimtarit, hiqe mantelin e pushtetit dhe lëre pas fronin që e ngrite mbi kurrizin e një populli të sakrifikuar dhe të vuajtur kaq shumë nga mizoritë e pushtetit tënd korruptiv dhe plaçkitës! Nëse të ka mbetur ende një fije mendjeje, mos prit që historia të të zhveshë me forcë nga gjithçka që ke veshur e mbajtur pas vetes.

Katër muaj me radhë, studentë dhe qytetarë, një popull i tërë, dolën në këmbë, me thirrje e protesta të fuqishme, duke kërkuar largimin tënd.

Kur fjalët e popullit nuk dëgjohen, kur zemërimi nuk shuhet dhe kur pushteti nuk arrin më ta mbulojë të vërtetën me justifikime, atëherë vjen çasti kur sundimtari duhet të zgjedhë: të largohet apo të kapet pas pushtetit me dhunën e policisë.

Por mos harro: pushteti nuk është petk i përjetshëm dhe froni nuk është pronë e askujt!

Prandaj, MBATHJA NGA SYTË KËMBËT!

Merr arratinë, ashtu si të ngjashmit e tu, sundimtarët nëpër botë, pasi i kanë shtypur popujt e tyre, janë detyruar të braktisin pallatet, fronet dhe lukset e pushtetit.

Largohu… sa më larg Shqipërisë!

Shko larg, shumë larg! Drejt shkretëtirave… Andej, në habitatin tënd, ku të mos mund të të shohë më askush; as rrezet e diellit, as drita e hënës të mos mund të zbulojnë as grimcëzën tënde më të padukshme!

Ik!

Larg syve të atyre që për kaq gjatë i ke shpërfillur, i ke bullizuar, i ke fyer, i ke plaçkitur dhe i ke nënshtruar. Vish rason e murgut, mbuloje kokën, përkulu nën peshën e mëkateve të tua dhe mos e ngatërro më përulësinë me pafajësinë!

Mbase, kështu do të dalë më mirë llogaria…

Mendoje mirë këtë alternativë, o Derman!

Kur fjalët nuk të bëjnë më punë, kur justifikimet e kanë humbur çdo vlerë dhe kur pushteti nuk mbahet më me premtime, por me frikë e forcë, ikja mbetet rruga jote e fundit përpara se të të japë verdiktin historia.

Por mos kujto se rason e murgut mund ta përdorësh si maskë për të fshehur gjurmët e së kaluarës. As petku i zi nuk i lan mëkatet e tua, as përulja e shtirur nuk e zhbën dëmin që ke shkaktuar. Asnjë arratisje nuk e zëvendëson përgjegjësinë që ke përpara ligjit.

Mendoje me qetësi, i përunjur nën peshën e asaj që ke bërë, përpara se të rrëfehesh kur të mbërrish te Porta e Shën Pjetrit, atëherë kur ora jote biologjike do të të trokasë…

Në fund të fundit, çështja nuk është se çfarë petku do të veshësh, por çfarë gjurmësh do të lësh pas vetes.

Zhvishe petkun e despotit, Edi!

Veshja e pushtetit nuk të bën të pavdekshëm, ashtu sikurse edhe veshja e murgut nuk të bën të pafajshëm. Çfarëdo ikjeje që të bësh, nuk të shpëton nga gjykimi i historisë!

MBATHJA, EDI, MBATHJA!

Pa e kthyer kokën pas, pa menduar të marrësh me vete “lavdinë” e rreme që e thure me kaq kujdes përmes propagandës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat