Gjashtë muaj të qeverisë Hoti, vlerësohen si storie suksesi

Politika

Gjashtë muaj të qeverisë Hoti, vlerësohen si storie suksesi

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 dhjetor 2020 Në ora: 08:17
Qeveria e Kosovës

Pavarësisht sfidave, e asaj më kryesore luftimin e pandemisë, Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin Avdullah Hoti, ka mbushur tashmë gjashtë muaj në qeverisje.

Pas shkarkimit të Kurtit, Hoti mori përsipër ekzekutivin e qeverisë, ku brenda katër muaj arriti që në Uashington të nënshkruaj disa marrëveshja normalizimi me Serbinë.

Analistët kanë komentuar dhe vlerësuar punën mbi 6-mujorin qeverisës të kryeministrit Avdullah Hoti, që përveç punëve të mira kanë përmend edhe disa nga pikat e dobëta.

Shahu: Kryeministri Hoti si i tillë lypset në ekzekutiv sepse është serioz dhe kompetent

Analisti politik Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, ishte Kryeministri Hoti që si i tillë lypset në ekzekutiv sepse është serioz dhe kompetent.

Image
Rexhep Shahu

“Kam vlerësimin më serioz si kryeministër kompetent, i ftohtë, jo karaxhoz, drejtues i tillë lypset në ekzekutiv. Ai e krijoi një profil të duhur për kostumin e kryeministrit të Kosovës”, deklaron Shahu.

Ai hedh kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se, ata po e luftojnë si të ishte Kryeministër i Serbisë.

“Ai nuk ka mbështetje parlamentare, luftohet nga VV si të ishte kryeminsitër i Serbisë, por do të jetë modeli që do të ndiqet e do të kërkohet gjithmonë”, përfundon Shahu.

Preteni: Një qeveri që nuk ka numra për kalimin e vendimeve në Kuvend të Kosovës vështirë se mund të quhet e suksesshme

Politologu Musa Preteni për “Bota sot” ka thënë se, si qeveria Kurti ashtu edhe kjo Hoti në fokus kanë pasur menaxhimin e situatës me pandeminë andaj qeveria Hoti.

Image
Musa Preteni

Hoti, sikurse ajo e mëhershme Kurti, është përballur me një situatë jo të zakonshme sic është menaxhimi i situatës së emergjencës shëndetësore për shkak të pandemisë. Andaj, edhe fokusi qeveritar për gjithë këtë periudhë, pra pothuajse 6 mujore, ka qenë në menaxhimin e pandemisë nga COVID-19. Sfidat kanë qenë jo të zakonshme për një qeveri që në rrethana tjera do të duhej të merrej me prioritete tjera. Por edhe ky menaxhim ka qenë vështirë i realizueshëm për shkak të sistemit në të cilën funksionojmë, por edhe për shkak të masave shpeshherë joadekuate të marra nga vet qeveria Hoti. Sfida më e madhe në këtë menaxhim për këtë qeveri del të jetë mungesa e numrave në Kuvend për kalimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike”, shprehet Preteni.

Ai ka kritikuar këtë qeveri duke thënë se, nuk mund të quhet e suksesshme për shkak që nuk ka numra për kalimin e vendimeve në Kuvend të Kosovës.

“Pra, një qeveri që nuk ka numra për kalimin e vendimeve në Kuvend të Kosovës vështirë së mund të quhet e suksesshme. Si përfundim mund të them se qeveria Hoti është një nga qeveritë e dobëta që ka pasur Kosova edhe në konotacion të numrave në Kuvend për vendimmarrje, e po ashtu edhe në menaxhim të situatës kur i shohim numrin e madh të infektimeve dhe vdekje. Sfida tjetër për këtë qeveri del të jetë edhe koalicioni i brishtë qeveritar ku partitë që i janë bashkuar Hotit shpeshherë nuk e kanë mbështetur madje edhe e kanë bojkotuar në proces të vendimmarrjes. Parakushti elementar për sukses qeverisës është gjuha e bashkëpunimit dhe vendimmarrjes brenda koalicionit për të vazhduar pastaj në shtrirje edhe tek opozita”, përfundon Preteni.

Bajraj: Qeveria Hoti, storie suksesi

Kurse analisti politik Fatmir Bajraj për “Bota sot” qeverinë Hoti e vlerëson si një qeveri suksesi.

Image
Fatmir Bajraj

“Qeveria Hoti, store suksesi. Sot 6 muaj nga qeverisja e vendit nga koalicioni qeverisës: LDK, AAK, Nisma & Pakicat si kategori kushtetuese, me Kryeminister z.Avdullah Hoti (LDK). Erdhi në detyrë, pas dorëzimit dhe dezertimit të ish-Kryemnistrit Albin Kurti, cili kishte përdorë një pretekst absurd për ta prishë marrëveshjen e koalicionit me LDK-në, dhe për të ikur nga përgjegjësitë politike, institucionale dhe kushtetuese, për të cilat kishte garuar dhe kishte marr mandatin nga Parlamenti”.

Ai numëron sfidat që quan në rënien e z. Kurti, e pritën z. Avdullah Hoti e që sipas tij janë: pandemia me Covid 19, dialogu me Serbinë, dhe Gjykata Speciale.

Ai thotë se, edhe pse kohë pandemie Hoti drejtoi Qeverinë në mënyrë profesionale, pa zhurmë, pa shumë fjalë, por me një punë të zellshme dhe të frytshme

“Menaxhimi i pandemisë, për pasojë edhe zvogëlimi i rritjes ekonomike, humbja e vendeve të punës, rënja e investimeve dhe e standardit të jetesës, si dhe presioni publik për masat jo-popullore për të parandaluar përhapjen e virusit dhe menagjimi i kapaciteteve shëndetësore, ishte një sfidë mjaftë e ndërlikuar dhe komplekse për vende me ekonomi të fortë dhe shtet të konsoliduar, e lere më për Kosovën e cila ishte n'deficit të kapaciteteve dhe mundësive të limituara si shtet e shoqëri. Zoti Hoti, si Kryeminstër i ndërgjegjshëm për kontekstin dhe i përgjegjshëm për funksionin, drejtoj Qeverinë në mënyrë profesionale, pa zhurmë, pa shumë fjalë, por me një punë të zellshme dhe të frytshme dhe duke u kordinuar me institucionet relevante të shendetit publik përmes Ministrisë së Shendetësisë dhe Ministrit Zemaj, i cili ishte n'krye të detyres dhe përgjegjësive bashkë mjekët (epidemiologët) në vijën e frontit” deklaron ai.

Më pas edhe rifillimi i dialogut, kryeministri Hoti ktheu Kosovën në dialog me Serbinë dhe hoqi të gjitha dilemat para qytetarëve të vendit dhe partnerëve tanë se qëllimi i bisedimeve me Serbinë është njohja reciproke, pa të cilën, asnjë marrëveshje e arritur parcialisht nuk do të ketë efekt

“Heqja e barrierave dhe ri-fillimi i Dialogut me Serbinë në Bruksel dhe Uashington, ishte një sfidë specifike për Kryeministrin, Dr.Avdullah Hoti, kur dihet se vendimi për eliminimin e barrierave nuk ishte popullor, por përkundrazi, me riskun e rrezikimit të autoritetit dhe popullaritetit publik e politik në vend, për çfarë ish-Kryemnistri Kurti, kishte dezertuar dhe ikur nga përgjegjësitë. Kryemnistri Hoti, një intelektual i mirëfilltë, politikan i përgjegjshëm dhe si shtetar me integritet e dinjitet të lartë, ktheu Kosovën në Dialog me Serbinë dhe hoqi të gjitha dilemat para qytetarëve të vendit dhe partnerëve tanë se qëllimi i bisedimeve me Serbinë është njohja reciproke, pa të cilën, asnjë marrëveshje e arritur parcialisht nuk do të ketë efekt. Z.Hoti, hodhi poshtë idenë e ndarjes dhe atë të negocimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke e llogaritur si temë të konsumuar në Bruksel dhe ngriti qeshtjën e të pagjeturve dhe të zhdukurve nga lufta çlirimtare 98/99. Me kthimin në dialog, z. Hoti, nxori vendin nga politika izolacioniste e Ish Kryemnistrit Kurti, dhe i hapi vendit perspektivë dhe mundësi të investimeve strategjike të partnerëve tanë, siq ndodhi me Marrëveshjen e Zotimeve të 3 shtatorit 2020 në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë dhe nën lidershipin e Presidentit të SHBA-ve, z. Donald Trump. Njohja nga Izraeli, me bekimin e Shtëpisë së Bardhë dhe të vetë Presidentit amerikan, ishte dhe mbetet një nga njohjet më të rëndësishme dhe ma të fuqishme, pas asaj nga SHBA-ve në vitin 2008”, shprehet ai.

Edhe menaxhimin në raport me Gjykatën Speciale, sipas Bajrajt kryeministri Hoti u sollën me përgjegjësi shtetërore dhe publike.

“Menaxhimi me procesin gjyqësor të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, poashtu ishte dhe mbetet një nga sfidat me të cilën, Kryemnistri Hoti dhe Qeveria që ai drejton, u sollën me përgjegjësi shtetërore dhe publike, duke i dhënë mbeshtetjën e pakushtëzuar Drejtësisë, përkatësisht Gjykatës Speciale në trajtimin e të akuzuarve për krimet e pretenduara nga ana e ZPS-së. Brishtësia në numra në njërën anë, dhe kapriçiot e partnerëve të koalicionit në anën tjeter, herëpasherë kanë sfiduar qeverisjen Hoti, por nuk i'a kanë dalë që ta tundojnë dhe lëkundin nga programi dhe synimi që është në inters të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, shprehet me tutje Bajraj.

Për fund Bajraj deklaron se, ka promovuar përgjegjësi institucionale, pa asnjë aferë korruptive dhe ka luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin përkundër faktit se përballë kishte një opozitë të madhe në numra dhe të zellshme për obstruksione dhe intriga opozitare

“Qeveria Hoti, përkundër kontekstit nacional historia dhe socio-politika në qeverisjen e vendit, i'a ka dalë mbanë që të bëjë një prerje thelbësore të mënyrës dhe mendësisë qeverisëse, duke instaluar punën dhe institucionin e përgjegjësisë vend, për dallim nga pararendësit të cilët shquheshin me afera korruptive, krim të organizuar, korrupsion endemik dhe nepotizëm ekstrem. Qeveria Hoti, ka balansuar dhe amortizuar ekstremitetet në shoqëri, ka promovuar përgjegjësi institucionale, pa asnjë aferë korruptive dhe ka luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin përkundër faktit se përballë kishte një opozitë të madhe në numra dhe të zellshme për obstruksione dhe intriga opozitare”, përfundon Bajraj.

Duhanaj: Kryeministri Hoti, ka arritur ta sanojë dhe ta stabilizojë gjendjen e krijuar përgjatë qeverisjes Kurti

Ndërsa analisti Leon Duhanaj, për “Bota sot” ka thënë se, kjo qeveri edhe pse erdhi në kohë pandemie Kryeministri Hoti, në politikën ndërkombëtare ka arritur ta sanojë dhe ta stabilizojë gjendjen e krijuar përgjatë qeverisjes Kurti, i cili u konfrontua pothuajse me të gjithë dhe për një kohë të shkurtër, arriti ta izolojë veten dhe Kosovën.

“Qeveria Hoti, erdhi në një kohë kur në vendin tonë mbizotëronte dhe vazhdon të mbizotëroj gjendje faktike e jashtëzakonshme në shumë dimensione. Në radhë të parë, është gjendja me pandeminë COVID-19, e cila jo vetëm Kosovën, por ka paralizuar terë botën. Pos problemeve me pandeminë, kemi problemin pët të cilin gati sa mund të themi se jemi unik si shoqëri politike, e që pandeminë e përdorim për interesa të politikave ditore.

Bazuar në kushtet dhe rrethanat, unë do të vlerësoja punën dhe përpjekjet e Kryeministrit Hoti në ketë gjashtë mujorësh. Në kontekstin e politikës ndërkombëtare, Kryeministri Hoti, ka arritur ta sanojë dhe ta stabilizojë gjendjen e krijuar përgjatë qeverisjes Kurti, i cili u konfrontua pothuaj se me të gjithë dhe për një kohë të shkurtër, arriti ta izolojë vetën dhe Kosovë. Kanë bërë edhe punë të mëdha në sferën e shëndetësisë, edhe pse me syrin laik dhe, bazuar në gjendjen në terren, mund të kuptohet ndryshe, megjithatë janë bërë punë të mëdha, pa të cilat gjendja kishte me qenë shumë shumë me e keqe”, ka thënë Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Mirëpo përveç vetive të mira Duhanaj përmend edhe pikat e dobëta që sipas tij ka dështuar të shtrijë autoritetin tek një pjesë e popullatës, e cila në masë nuk i ka respektuar vendimet e sajë, sidomos në çështje me pandeminë.

“Qeveria, Hoti ka edhe pika të dobëta për mendimin tim. Në radhë të parë, ka dështuar të shtrij autoritetin tek një pjesë e popullatës, e cila në masë nuk i ka respektuar vendimet e sajë, sidomos në çështje me pandeminë. Një pjesë e opozitës, përfshi edhe disa çarqe të shoqërisë civile, nuk i kanë kontribuar edukimit të mirëfilltë të masave, përkundrazi kanë bërë nxitje të vazhdueshme, e çka Qeveria nuk ka qenë në gjendje t'u japë përgjigjen e duhur të bazuar në ligj. Gati si thembër e Akilit i është bërë ligji për rimëkëmbjen ekonomike, të cilin me muaj të terë nuk ja doli ta votojë.
Pastaj, ishte rasti i fundit, që për mendimin tim ishte si një fikantë për ketë gjendje, kur sindikata e arsimit, jo vetëm që nuk e përfilli vendimin e qeverisë për të mbajtur mësim të hënën pas festës së 28 nëntorit, por arriti që një nur të madh të shkollave ta mbaj larg bankave shkollore, në kundërshtim të plotë me vendimet e qeverisë dhe, për ketë askush nuk e dha asnjë përgjegjësi. Për mendimin tim, një qasje e tillë, është dëshmi e mungesës së autoritetit dhe u jep hapësirë kundërshtarëve që ta sabotojnë edhe më shumë punën e saj”, shprehet Duhanaj.

Ai shpreh mendimin se, nëse nuk vjen deri tek një marrëveshje me njërën nga subjektet opozitare, vendi “më mirë të shkojë në zgjedhje sa sa në dështim.

Për mendimin tim, nëse nuk vjen deri tek një marrëveshje me njërën nga subjektet opozitare, përkatësisht me PDK-në, puna qeveritare veç sa do të bëhet edhe më e vështirë dhe me inerte, me ç ‘rast me mirë do t'u këshilloja zgjedhjet se sa dështimin. Mbi të gjitha, do t'u këshilloja me shumë punë me publikun, në mënyrë që të paktën atë punë që e bëjnë, le ta promovojnë si duhet në mënyrë që opinioni publik të ketë edhe lajme të mira e pozitive, e jo të lejojnë që në media të dalin vetëm për kritikë”, përfundon Duhanaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat