Ja cili do të jetë dëmi për LDK-në nëse largohet Osmani, veprimtari i ashpër: Ka përkrahur vetëm qëndrimet e Kurtit

Politika

Ja cili do të jetë dëmi për LDK-në nëse largohet Osmani, veprimtari i ashpër: Ka përkrahur vetëm qëndrimet e Kurtit

Nga: N. H Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 18:30
Foto ilustrim “Bota sot”

Ditë më parë nisi një përplasje e madhe në distancë mes Vjosa Osmanit dhe përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shefja aktuale e shtetit konfirmoi edhe përfundimisht se nuk do të jetë më pjesë e subjektit politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kurse në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë me listën e saj.

Madje, Vjosa Osmani edhe lëshoi një deklaratë kundër LDK-së “në zgjedhje garoj me listën time, LDK-së i ka mbetur vetëm logoja”.

Kjo deklaratë ofenduese e Osmanit ndaj ish-partisë së saj shkaktoi përplasje politike mes saj dhe zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Latifi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se përkundër situatës aktuale çfarë po ngjanë në partinë e tyre, LDK vazhdon të qëndrojë fuqishëm.

Latifi konsideron se Vjosa Osmani do të jetë një kopje e Nexhat Dacit.

Image
Haki Latifi

“LDK-ja është si ai lisi më i lartë i pyllit, të cilin e godasin të gjitha furtunat, por nuk dorëzohet. Parti që nuk sulmon por që s’ka kush që e zmbraps. Siç po vërehet nga prononcimet e Vjosa Osmani-Sadriut, mund ta bëjë një parti të re të ngjashme me ish LDD-në e Nexhat Dacit. Nëse një gjë e tillë ndodh, dëmtimi i LDK-së nga ana e saj dhe përkrahësve të saj, do të jetë dëmtimi i radhës si rezultat i sëmundjes narcisoide për pushtet. Mirëpo, dallimi mes Dacit dhe Osmanit, është vetëm në ngjyrën e zërit. Përderisa Daci flet me zë të butë të nimfave, Osmani flet me zë kërcënues si me qenë Narcisi vet”, shprehet Latifi.

Tutje, ai shprehet se një dëmtim eventual i LDK-së gjithsesi do të ndikojë në forcimin e subjekteve me frymë anti LDK-iste e anti Rugoviste me të cilat pritet që Osmani të bëjë koalicione në të ardhmen.

“Dhe krejt kjo do të vazhdojë deri atëherë kur do të pushojnë që fajet t‘i kërkojnë vetëm te armiqtë e jashtëm. Si pasojë askush nuk duan të flasin për simdromin që mbajnë në vete, egocentrizmin, inatin, egoizmin, afinitetin për grupacion, bajraktarizmin dhe jo vetëm. Sido që të jetë, Kosova, me emër të Zotit mbetet nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj kosovarët nuk duhet të habiten e as të tremben nga lëvizjet dhe akrobacionet e kreaturave të ndryshme politike narcisoide, por syhapur duhet të vazhdojnë rrugën e trasuar nga Presidenti historik Dr.Ibrahim Rugova drejtë Perëndimit”, shprehet ai.

Veprimtari i LDK-së, me tej ka thënë se është koha që fytyrat publike të mendojnë se çka po flasin, çfarë fjalë po nxjerrin nga goja.

“Interesi personal, inati, lakmia për poste e bajraktarizëm janë në gjendje mizorisht që t’i përmbysin të gjitha vlerat njerëzore dhe t’i dëmtojnë qytetarët me të cilët u sollën keq tash e dy dekada. Ajo që ka rëndësi të veçantë është se duhet të ndërrojnë diskursin e ashpër të gjuhës, komunikimit publik i cili këto vitet e fundit e ka elektrizuar e dëshpëruar tej mase, jo vetëm skenën politike, por të gjithë qytetarët e Kosovës. Urtësia dhe maturia janë parakushtet elementare dhe më të rëndësishme për mobilizim dhe realizimin e punëve të mbara. Duhet t’i jepet përparësi kësaj të fundit, e le t’i kthehet shpresa njerëzve pa pompozitet e popullizëm. Le të gjejnë qetësinë qytetarët tanë dhe le të besojnë se pavarësisht ngjyrimeve politike ne do ia dalim mbarë, Kosova do ia del t’i mbajë të rinjtë brenda shtetit dhe të krijojë mundësi për jetë më të mirë”, ka thënë ai.

Kurse, sa i përket krijimit të një liste të re nga ana e Vjosa Osmanit, Latifi është shprehur se. “udha e mbarë atyre që shkojnë e mirë ardhshin atyre që do të vijnë”.

“Çdo gjë ka fillimin dhe fundin e vet. Këto dukuri përçarëse në LDK, janë edhe si pasojë e anashkalimit të veprimtarëve të devotshëm të LDK-së, që me sukses kanë udhëhequr degë e nëndegë, e jo të angazhohen njerëzit pa kritere të mirëfillta siç është rasti i Vjosa Osmanit, dhe disa funksionarë të mëvonshëm të cilët emërohen këshilltarë, ministra e zëvendësministra. Ajo dihet si ka ardhë në LDK, erdhi si i këshilltare e kryetarit Fatmir Sejdiu. Pra nuk erdhi nga baza deleguese; nëndegët e degët duke i shfrytëzuar të gjitha privilegjet udhëheqëse të LDK-së deri tek kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruese e detyrës së Presidentit, poste këto të nderuara nga qytetarët. Si rrjedhojë e përgdhelura e LDK-së, Vjosa Osmani, nuk e kuptoi se çka kërkon përtej këtyre posteve, apo ndoshta është mësuar si e përgdhelura e LDK-së të grabit çka t’i vjen në dorë”, tha Latifi.

Me tej, në këtë prononcim, Latifi ka kujtuar edhe disa nga dëmet që Osmani i ka bërë LDK-së dhe vendit.

“Defekti më i madh në këtë rrugëtim për mendimin tim është se politikanët shqiptarë, kanë krijuar traditën e mos-njohjes së ndërtimit të unitetit dhe orientimin kulturor dhe politik për të ardhmen. Dhe, fajet për mos sukseset e tyre t’i kërkojnë tek armiqtë apo kundërshtarët e jashtëm. Natyrisht si “falënderimi këtij suksesi”, dihet se ka votuar kundër qeverisë së LDK në vitin 2014. Dihet së ka marrë pjesë në grupin e deputetëve të LDK të cilët nuk e kanë votuar demarkacionin, përkundër qëndrimeve të partisë- LDK-së dhe kërkesave të vet ish Presidentit Obama e të Kancelares Merkel. Kështu edhe Kosova dhe qytetarët e saj mbetën pa liberalizim të vizave. Kam bindjen e thellë se kjo në vazhdimisht po e shantazhon LDK-ën që një periudhë të gjatë kohore, për ambicie të sëmura personale”, shprehet veprimtari i LDK-së.

Kurse, sa i përket kandidimit në zgjedhjet e 6 tetorit, Latifi mendon se Osmani përkundër përkrahjes që mori nga partia, pasi sipas tij, kjo e fundit nuk kishte bazë partiake.

“Kështu ajo arriti që të imponohet si kandidate për kryeministre, ku dështoi përkundër përkrahjes që mori nga partia, sepse nuk kishte bazë partiake. Ashtu si elektorati i LDK-së edhe e kam votuar kësaj radhe dhe kam lobuar, duke e përkrahur me qëllimin më të mirë që të forcohet dhe të arrij suksese LDK-ja, por me këto qëndrime dhe keqpërdorimin e besimit kurrë më nuk do ta ketë përkrahjen time. Me qëndrimet e fundit, dhe me votimin kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti, i ka tejkaluar të gjithë kufijtë e mendimit te lirë. Ka votuar kundër shumicës së deputetëve të LDK-së, kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës, kundër SHBA-së si sponsorizues e realizues të lirisë e pavarësisë së Kosovës”, potencoi Latifi.

Krejt në fund, veprimtari i LDK-së, ka theksuar se ish-nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, më shumë ka përkrahur dhe artikuluar ato që janë mendime e qëndrime të Albin Kurtit e të VV-së, sesa ka mbrojtur interesat e LDK-së.

“Pra, si rrjedhojë, te rasti i Vjosës nuk bëhet fjalë fare për mendime ndryshe dhe parime, sepse ajo vazhdimisht më shumë ka përkrahur dhe artikuluar ato që janë mendime e qëndrime të Albin Kurtit e të VV-së sesa ka mbrojtur interesat e LDK-së. Pra veprimet e Vjosa Osmanit nuk kanë qenë ndryshe, por veprime të kundërta me qëndrimet e partisë; LDK-së, që erdhi në këto pozita. Ajo e ka marrë teposhtëzën duke injoruar elektoratin e LDK-së. Ngjashëm si Osmanin konsiderojë se janë shumë e rrezikshme servilizmi i individëve që qoftë nga jashtë, qoftë nga brenda LDK-së kanë dëmtuar LDK-në”, tha në fund, Haki Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat