Zhvillime befasuese/ Ky është parashikimi për koalicionet - ja kush me kënd shkon...

Politika

Zhvillime befasuese/ Ky është parashikimi për koalicionet - ja kush me kënd shkon...

Nga: P.R Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 14:06
Kurti, Osmani dhe Mustafa

Kosova tashmë po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ku ushtruesja e detyrës se presidentit, Vjosa Osmani pritet që këtë javë të caktoje datën se kur do të mbahen ato.

Deri më tani, nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë pranuar se do të bashkëpunojnë me Vjosa Osmanin dhe iniciativën e paralajmëruar nga ajo. Kurse PDK ka lënë të hapur mundësinë për koalicione parazgjedhore, e ku së fundi Nisma Socialdemokrate bëri të ditur se janë në pritje të PDK-së për koalicion.

Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës zyrtarisht kanë treguar se do të garojnë të vetëm në zgjedhje.

Se kush me kënd mund të bëjë koalicion, për gazetën “Bota sot” flet analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Ramush Tahiri.

“Koalicionet e mundshme parazgjedhore janë determinancë e partive të vogla politike në këto zgjedhje duke përfshirë edhe subjektin e Vjosa Osmanit. AKR e Behxhet Pacollit do të shkojë me cilëndo subjekt i cili e pranon duke përfshirë edhe Vetëvendosje. Pacolli niset nga interesi pragmatik dhe me votuesit e pretenduar mund të sjellë 2-5 deputetë cilitdo subjekt që i bashkohet. Problemi me Pacollin është më pastaj sepse i ka pazaret e larta dhe zakonisht merr shumë më shumë ose del nga koalicioni me deputetët e tij që tashmë falë koalicionit i ka në Kuvend”, thotë Tahiri.

Image
Ramush Tahiri

Sipas tij, Nisma e ka mundësinë historike të ribashkohet me PDK-në, nga ku është kishte dalë kjo parti.

“Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt e dalur nga PDK e ka shansin historik të ribashkohet me të, dhe ta rrisin votën dhe ndikimin (PDK 24 e NISMA 4 veç tash janë 28 deputet). Nëse tash nuk bashkohen elektorati do të jetë i ndarë dhe Nisma mundet që nuk e kalon pragun zgjedhor. Janë shanset që Nisma të bashkohet edhe me AAK e Ramush Haradinajt por kjo do të ishte vetën nëse nuk i mbetet zgjidhje tjetër sepse nuk kanë ndonjë afërsi e interes përveç ndoshta shtrirjes në zgjedhjet komunale”, shprehet Tahiri.

“Duket se katër parti, VV, PDK, LDK dhe AAK do të garojnë të ndara edhe nëse do të kenë ndonjë koalicion të vogël nuk do të ndryshojnë akronimet. Mbetet të shihet ku do të rreshtohet PSD e Dardan Molliqajt që e sigurtë është se nuk do të garojnë si subjekt i veçantë por gjithsesi do t’i bashkëngjiten ose me Pacollin ose me LDK dhe gjasat ma të vogla do të ishin me Nismën edhe pse nuk është e përjashtueshme”, thekson më tej Tahiri.

Tahiri shton se Vetëvendosje do të ketë rritje në zgjedhje, kurse partitë tjera do të pësojnë humbje në vota.

“Tash trendi në rritje i Vetëvendosjes nëse vazhdon pa marrë parasysh a është votë për Vetëvendosjen apo kundër partive të tjera që ishin në pushtet në të kaluarën shprehet në numrin e deputetëve. Duke marrë parasysh se gara bëhet për 100 vende, kjo do të thotë se Vetëvendosja më shumë e të tjerat më pak. Parashikimet janë që do të ketë rënie drastike që shprehët si përgjysmim i numrit të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rënie të lehtë të AAK ndërsa PDK edhe për shkak të Gjykatës Speciale që populli solidarizohet, ndërsa ata që kundërshtojnë edhe ashtu nuk janë votues të saj do të mbetet afërsisht ku është ose një rritje të lehtë do të shënojë”, thekson analisti Tahiri.

Tahiri paralajmëron se pas zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje mund të bëjë koalicion me AAK-në, por që nuk e përjashton as PDK-në

“Pas konstituimit të Kuvendit të Ri të Kosovës, do të zgjidhet Qeveria dhe duket se Vetëvendosje me Pakicat me gjithë animozitetin me Listën Serbe do të arrijë ta bëjë, Nuk pritet që të gjitha partitë e tjera të bëhen kundër Vetëvendosjes dhe të mos e lënë ta bëjë Qeverinë. Kjo do të ishte nëse Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Vjosa Osmanin marrin ma pak se 40 deputetë Atëherë partitë e tjera munden ta zgjedhin edhe Qeverinë edhe Presidentin duke e lënë Vetëvendosjen në opozitë edhe një mandat sado që ai zgjatë. Në matematikën e numrave Lëvizja Vetëvendosje mund të bëjë koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nëse kjo parti merr më shumë se dhjetë deputetë dhe nëse Vetëvendosje ia voton postin e Presidentit Ramush Haradinajt me kusht që e votojnë edhe Lista Serbe”

“Mundësi tjetër pak më e mundshme do të ishte që Lëvizja vetëvendosje të bënte koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës të ndajnë proporcionalisht ministritë dhe postin e presidentit ta merr PDK, ndoshta me një kompromis që të behet një figurë e pranueshme edhe për VV bie fjala Vlora Çitaku. Pak duket e mundshme që në ndarjen e pozitave partitë të pajtohen për një figurë publike jashtë partive si në rastin Jahjaga. Nëse papajtueshmëritë vazhdojnë e nuk kapërcehen gjasat janë që vendi të shkojë edhe njëherë në zgjedhje gjatë muajit maj ose qershor të vitit 2021”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Ramush Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat