Koalicion me AKR-në, LDK-së i vjen paralajmërimi i fortë

Politika

Koalicion me AKR-në, LDK-së i vjen paralajmërimi i fortë

Nga: P.R Më: 5 janar 2021 Në ora: 21:02
Behgjet Pacolli dhe Isa Mustafa

Këshilltari i Behgjet Pacollit dhe anëtari i Aleancës Kosova e Re, Jetlir Zyberaj ka bërë të ditur se ka bisedime mes AKR-së dhe LDK-së për koalicion parazgjedhor.

“Në fakt nuk ka përfunduar asgjë, Pacolli është duke zhvilluar negociata me kryetarin e LDK-së për një garë të mundshme së bashku.  Kontakte kemi pasur edhe me partitë tjera, por më të avancuara janë me LDK-në edhe për shkak të afërsisë ideologjike që kemi me ta, por edhe për shkak të bashkëpunimit të mëhershëm”, ka thënë Zyberaj.

Por, sipas analistit, Faton Mehmeti, Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të garojë e vetme në zgjedhje.

“LDK do të duhet të garonte e vetme në zgjedhje, besa nuk është çudi fare që pas AKR të bëj koalicion edhe me Nismën, nëse kjo e fundit nuk arrin të futet në koalicion me PDK-në”, shprehet analisti Mehmeti.

Ai shton se Nisma dhe AKR kërkojnë gjithmonë zgjidhje tek partitë e mëdha.

“Partitë e vogla, siç janë Nisma dhe AKR kërkojnë strehë për të fituar ndonjë ulëse në kuvend, eventualisht për të fituar ndonjë pozitë në qeveri, nëse partia me të cilën janë në koalicion veç arrin tek një gjë e tillë”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.

Analisti Mehmeti paralajmëron LDK-në, nëse kjo e fundit bën koalicion me AKR-në.

“LDK nuk përfiton asgjë nga AKR, derisa kjo e fundit po e përdor LDK-në si mjet për të mos u shuar. Pra, LDK po e shpëton nga " zhakja" partinë e Pacollit, e cila nuk ka mbështetje askund. Mendoj se me AKR, apo edhe me NISMËN, LDK, por jo vetëm LDK, por secila nga partitë e mëdha nuk përfitojnë asgjë, vetëm zemërojnë qytetarët që po i mbajnë " gjallë" akoma partitë, të cilat ata nuk i dëshirojnë, andaj edhe janë drejt zhdukjes”, përfundon analisti politik, Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat