“Kryemanipulatori i zgjedhjeve, në Hagë” - analisti paralajmëron fitoren e Kurtit dhe fundin e dallavereve të Thaçit

Politika

“Kryemanipulatori i zgjedhjeve, në Hagë” - analisti paralajmëron fitoren e Kurtit dhe fundin e dallavereve të Thaçit

Nga: A.Morina Më: 18 janar 2021 Në ora: 17:45
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Që nga paslufta, zgjedhjet e 14 shkurtit do të jenë zgjedhjet e para të cilat do të mbahen pa praninë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan "Bota sot".

Viteve të fundit Thaçi është akuzuar për ndërhyrje në proceset zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vendit për interesa të tij personale.

Së fundmi, ishin zgjedhjet e 6 tetorit ku ish-presidenti ndikoi drejtpërdrejtë në rinumërimin e disa kutive votuese me qëllim që të i ndihmojë Nismës ta kalojë pragun, e cila deri në rinumërimin e atyre votave nuk e kishte të sigurt  'biletën' për Kuvend të Kosovës

Po ashtu, dihet edhe ndikimi i tij në bindjen e deputetëve, më saktësisht Haxhi Shalës për të votuar pro  Qeverisë Hoti.

Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar ‘mungesën’ e ish-presidentit Hashim Thaçi në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Qarri e cilësoi Hashim Thaçin si manipulatorin kryesor të të gjitha akteve kundërligjore në dekadën e fundit në Kosovë. Ai madje, përmendi edhe Isa Mustafën si personin kryesor që i ka ndihmuar Thaçit në realizimin e qëllimeve dhe ideve enveristo-socialiste.

“Siç dihet tanimë botërisht kryemanipulatori i të gjitha akteve kundërligjore dhe iniciuesi i parregullsive politike që ndodhën në dekadën e fundit në Kosovë ishte pikërisht kuislingu Hashim Thaçi, por sukseset në realizimin e kalkulimeve të tij, ai mundi ti kurorëzonte vetëm pas unifikimit të ideve të veta enveristo socialiste me ato të shkollës sllavo-komuniste të Isa Mustafës që z.Mustafa i posedonte me bollëk, qysh nga koha e veprimit të tij në ish strukturat politike jugosllave”, deklaroi Qarri.

Njohësi i çështjeve politike, po ashtu përmendi edhe ndryshimet elektorale në zgjedhjet e fundit, që sipas tij i kanë vënë në alarm partitë degjeneruese dhe udhëheqësit e tyre mafioz. Prandaj, Qarri potencoi se këta të fundit po përdorin  shpifje për forcat alternative që kanë filluar të cilësohen si garanci e ndryshimeve.

“Madje frika se qytetarët e vetëdijesuar dhe votuesit e rinj të Republikës së Kosovës, përfundimisht do të votojnë për ndryshime të thella dhe pro frymës reformatore në vend, figurat e kriminalizuara dhe partitë e tejinkriminuara politike, që për më tepër se 20 vite kanë uzurpuar udhëheqjen e vendit dhe po e mbajnë të kapur gjithë shtetin e Kosovës, i ka vënë në alarm të lartë dhe siklet tepër të madh partitë e degjeneruara dhe udhëheqësit e tyre mafioz, të cilët nuk po lënë mjet as mundësi pa përdorur për të fyer e përbaltur me të gjithë arsenalin e shpifjeve të tyre, personat dhe forcat alternative, që kanë filluar të shihen si garancë për ndryshime”, theksoi Qarri.

Në vazhdim, analisti tha se me mungesën e Hashim Thaçit dallaveret politike dhe manipulimet partiake do të jenë shumë më të vogla. Por, ai nuk përjashtoi mundësinë e disa manipulimeve tjera nga pasardhësit e Thaçit.

“Ndaj duke pasur parasysh faktin se iniciator i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ishte pikërisht Isa Mustafa dhe vet partnerja e Lëvizjes Vetëvendosje në ish koalicionin qeverisës, LDK, besoj se dallaveret politike dhe manipulimet partiake, megjithëse nuk do të jenë më në shkallën dhe intensitetin e kohës sa ishte Thaçi në pushtet, nuk do të ndalen menjëherë, as tërësisht, por do të vazhdojnë dhe për një periudhë të caktuar, sidomos nëse edhe pas zgjedhjeve të reja, votuesit shqiptar, nuk e dërgojnë në pensionin e “merituar” edhe Isa Mustafën, njëjtë si Sabri Hamitin më parë”, nënvizoi Qarri.

Tutje, Qarri përmendi edhe një rast kur Hashim Thaçi në bashkëpunim me Isa Mustafën, vepruan në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të ShBA-së dhe BE-së. Ai rast ishte momenti kur këta dy politikanë formuan qeverinë e vendit me deputetë të dënuar dhe me dorën e zgjatur të Vuçiqit, Listën Serbe.

“Këtë e them për faktin se edhe pas prishjes së koalicionit LVV-LDK , me iniciativën Isa Mustafës, kinse për ruajtjen e marrëdhënieve me SHBA-të, megjithëse vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian u bënin thirrje pareshtur Hashim Thaçit e Isa Mustafës dhe udhëheqësve të tjerë politik të Kosovës që të mos veprojnë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, përkundër të gjitha apeleve publike nga shtetet mike, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa sollën në pushtet edhe me vota të pavlefshme nga deputet të dënuar me vendime të plotfuqishme gjyqësore, një Qeveri minoritare antikushtetuese, duke futur në koalicionin qeverisës dorën e zgjatur të Vuçiqit si Lista serbe, si dhe emëruar zëvendëskryeministër të parë Goran Rakiqin, i cili as që e njeh shtetin e Kosovës dhe vepron vetëm sipas direktivave të Aleksandër Vuçiqit, të cilat përditësohen dhe vijnë të gatshme nga Serbia”, përfundoi Qarri.

Në fund, ai tha se mungesa e manipulatorit më të madh politik në vend, Hashim Thaçit do të ndikojë shumë pozitivisht në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Edhe pse, sipas Qarrit formimi i Qeverisë Kurti nuk do të formohet pa zhurma dhe krejtësisht lehtë, shkaku i pasardhësve të ish-presidentit Thaçi.

“Ndaj megjithëse mungesa e kryemanipulatorit politik në vend, Hashim Thaçit do të ndikojë tejet pozitivisht në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke pasur parasysh se LVV, pritet ti fitojë shumicën e votave nga qytetarët e Kosovës, as qeveria e re, edhe pa praninë fizike të Thaçit, nuk pritet të formohet krejtësisht lehtë dhe pa zhurmë, sepse Isa Mustafa dhe pasardhësit e Thaçit, do të bëjnë çmos që humbjet e ndjeshme, që partitë e tyre pritet ti pësojnë në këto zgjedhje, ti mbulojnë me dallavere politike dhe krijimin e problemeve të reja ndërpartiake, të praktikuara edhe më parë, për pengimin e ardhjes së  Albin Kurtit në pozitën e kryeministrit të vendit dhe pamundësojnë LVV-së, krijimin e Qeverisë së re, sidomos nëse LVV dhe iniciativa e zonjës dr. Vjosa Osmani, nuk arrijnë ti fitojnë mbi 50 % të votave të elektoratit, ashtu siç pretendon në vijimësi partia e Kurtit”, përfundoi Qarri./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat