Partitë politike nuk i respektojnë masat kundër COVID-19

Politika

Partitë politike nuk i respektojnë masat kundër COVID-19

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 janar 2021 Në ora: 21:04
Liderët e partive të Kosovës

Pandemia është ‘fenomeni’ që ka kapluar gjithë botën.  

Vendet evropiane dhe të zhvilluara kohët e fundit kanë shtrënguar masat për parandalimin e tij.  

Kurse, Kosova një vend i vogël ku rastet kanë filluar të rriten, kemi disa kufizime kryesisht gjatë natës.  

Shto kësaj, edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Por, të gjitha partitë politike të cilat do të garojnë në zgjedhje pavarësisht rekomandimeve të IKSHPK për respektimin e rregullave të cilat vlejnë për çdo qytetarë të Kosovës, ato nuk po iu përmbahen.  

Që nga shpallja e zgjedhjeve ato vazhdimisht kanë mbajtur takime, tubime me qytetarë në vendet të ndryshme të Kosovës.  

Analistët vlerësojnë se kjo çfarë po bëjnë politikanët tanë, është një shembull i keq për shoqërinë tonë.  

Zogaj: Politikanët që nuk po respektojnë rregullat anticovid duhet dënuar, të përjashtohen nga gara zgjedhore  

Përderisa analisti Skënder Zogaj shprehet për “Bota sot” se, ata të cilët nuk i respektojnë rregullat duke përfshirë edhe politikanët duhet dënuar rreptë madje edhe të përjashtohen nga gara zgjedhore e të gjithë shkelësve.  

“Mosrespektimi i rekomandimeve të IKSHPK nuk duhet toleruar por duhet dënuar sa më rreptë madje edhe të përjashtohen nga gara zgjedhore e të gjithë shkelësve, sepse të tillët nuk e meritojnë të arrijnë në parlament”, thotë Zogaj.  

Image
Skender Zogaj

 


Sipas tij, rregullat janë supreme dhe kushdo që do të tentojë t'i anashkalojë, bën gabim të rëndë.  

“Duhet të mësohemi njëherë e përgjithmonë që rregullat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e jetës së njeriut, janë të pacënueshme, pra janë supreme dhe kushdo që do të tentojë t'i anashkalojë, bën gabim të rëndë”, përfundon Zogaj.  

Mehmeti: Ligji për qytetarët është njerkë e për politikanët është nënë  

Edhe analisti Faton Mehmeti thotë se, kjo çfarë po bëjnë politikanët është në mungesë të zbatimit të ligjit nga organet kompetente.  

“Tubimet e partive politike pa maska dhe distancë e shtojnë rritjen e rasteve me covid, kjo edhe në mungesë të zbatimit të ligjit nga organet kompetente.Qeveria, përkatësisht policia dënon qytetarët e zakonshëm, por jo politikanët”, shprehet Mehmeti.  

Image
Faton Mehmeti

 


Ai thekson se, në këtë rast po dëshmohet mungesa e shtetit të së drejtës.  

“Ligji për qytetarët është njerkë e për politikanët është nënë. Kjo është e pafalshme, dhe si e tillë dëshmon për mungesën e shtetit të së drejtës. Është gabim që KQZ ka lejuar fushatë, edhe pse 9 ditë, megjithatë për ato nëntë ditë do bëhet kërdi. Pajosat do i shohim në javët në vazhdim, me pandeminë që do del nga kontrolli. Shto këto edhe variantin e ri, që e kemi afër, në shtetet fqinje, rreziku është i madh që shteti të falimenton përballë covidit”, përfundon Mehmeti për “Bota sot”.  

Duhanaj: Elitat politike do të duhej me qenë shembull se si respektohen masat , e jo të bëhen shembull i shkeljes së tyre  

Analisti Leon Duhanaj për “Bota sot” ka thënë se, duhet ta pranojmë se Kosova në gjithë këtë sfidë globale, ka qenë njëra ndër vendet më të suksesshme në luftën kundër pandemisë, por që pandemia është akoma aktive dhe se lufta kundër saj duhet të vazhdojë me të njëjtin intensitet.  

“Situata pandemike në botë ka treguar edhe një formë interesante të qasjes apo reagimit njerëzor karshi saj. Në fillim, ishte frika e theksuar dhe rekomandimet respektoheshin maskvisht nga shumica qytetarëve gjithandej. Më vonë në të ashtuquajturën valën e dytë, frika dhe respekti ndaj virusit ra, njëherësh edhe numri i të infektuarve u rritë gjithandej. Kosova në gjithë këtë sfidë globale, duhet pranuar që ka qenë njëra ndër vendet më të suksesshme në luftën kundër pandemisë. Megjithatë, nuk duhet harruar asnjëherë se pandemia është akoma aktive dhe se lufta kundër saj duhet të vazhdojë me të njëjtin intensitet”, thotë ai.  

Image
Leon Duhanaj

 


Kurse për tubimet e politikanëve ka thënë se, ata duhet të bëhen shembull i mirë për shoqërinë tonë duke respektuar masat anticovid, sepse po të kemi ndonjë shpërthim të madh atëherë nuk do të menaxhohej dot.  

“Natyrisht që në gjithë ketë sfidë, elitat politike do të duhej me qenë shembull se si respektohen rregullat dhe rekomandimet e IKSHPK-së , e jo të bëhen shembull i shkeljes së tyre. Madje të infektuar i kemi pasë shumicën e politikanëve, gjë që tregon shumë për nivelin e shoqërisë kosovare, ku shkalla e integritetit intelektual e kulturor, nuk përbënë ndonjë ndryshim, mes shtresave të shoqërisë, përkatësisht jemi të njëjtë si poshtë si lartë. Uroj që numri i të infektuarve të vazhdoj të jetë nën kontroll sepse një shpërthim i madh, nuk do të menaxhohej dot”, përfundon Duhanaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat