Hoxha shprehet i bindur në fitore: S’kemi konkurrencë – LDK e gatshme për zgjedhjet e 14 shkurtit

Politika

Hoxha shprehet i bindur në fitore: S’kemi konkurrencë – LDK e gatshme për zgjedhjet e 14 shkurtit

Nga: N. H Më: 31 janar 2021 Në ora: 15:03
Lidhja Demokratike e Kosovës

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, në fillim të këtij viti shpërndau Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës, duke e caktuar 14 shkurtin datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Tashmë partitë politike, kanë filluar përgatitjet e tyre. E, përderisa Lëvizja Vetëvendosje konsideron se do të jenë fituesit e këtyre zgjedhjeve, ngjashëm mendojnë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet dhe ish-prokurori Sylë Hoxha, ka thënë se partia e tij rrënjë të forta, dhe se asnjë nga partitë tjera nuk mund ta konkurrojë atë.

Image
Sylë Hoxha

“Lidhja Demokratike e Kosovës është parti me rrënjë të forta në vendin tonë. Është unike për programin dhe vizionin e saj për Kosovën. Nuk mund ta konkurrojë asnjë parti tjetër. Është e vërtetë se ajo ka qeverisë shumë vite dhe mbart mbi vete suksese e dështime, Por, kjo qeverisje është autorizuar nga zgjedhësit me koalicion me partitë e tjera të vendit. Nëse ka defekte dhe dështime, këto nuk kanë ardhur për shkak të paaftësisë së Lidhjes Demokratike, por për shkak të pamundësisë së saj që partitë në koalicion t’i bëjë si vetja”, ka thënë Hoxha.

Tute, Hoxha është shprehur se Lidhja Demokratike e Kosovës ka potenciale të jashtëzakonshme, andaj, sipas tij, nuk është e vështirë të bindët votuesi për t’i dhënë besimin.

“Qytetarët e Kosovës e dinë se LDK është parti e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, është parti me pikëpamje shumë të qarta për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Ka potenciale të jashtëzakonshme LDK. Prandaj, them se Lidhja Demokratike nuk e ka të vështirë të orientohet dhe të bindë votuesit për t’i dhënë asaj besimin e qeverisjes”, është shprehur ai.

Hoxha ka theksuar se nga këto zgjedhje do të dalin fitues, kurse ka bërë me dije se do të ndërtojnë strategji që e çojnë përpara vendin dhe i japin fund tranzicionit.

“Për pasojë LDK mund të thuhet se ishte e përgatitur për zgjedhje të parakohshme. Dhe nga takimet me qytetarët duket se atmosfera është shumë e mirë. Ne do të fitojmë në këto zgjedhje. Sigurisht që askush tashmë nuk fiton i vetëm zgjedhjet në Kosovë, por ne do të ndërtojmë strategjinë e një koalicioni që e çon përpara vendin dhe i jep fund tranzicionit”, ka deklaruar për “Bota sot”, ish-prokurori Sylë Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat