Fitore e thellë e VV-së, debakli i LDK-së, rënie e ndjeshme e PDK-së, analisti tregon gabimet e rënda që bëri partia e Mustafës

Politika

Fitore e thellë e VV-së, debakli i LDK-së, rënie e ndjeshme e PDK-së, analisti tregon gabimet e rënda që bëri partia e Mustafës

Nga: G.B Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 11:48
Fotografi ilustruese

Lëvizja Vetëvendosje është shpallur fituese e zgjedhjeve.

KQZ deri tani ka numëruar 98.56% të votave, ku VV prin e para me 48.21% të votave, PDK e dyta me 17.33% të votave, LDK e treta me 13.17% të votave, AAK ka 7.43% të votave, ndërsa Nisma ka 2.59% të votave, pamjaftueshëm për ta kaluar pragun.

LVV ka fituar në 22 komuna, duke fituar dhe në bastionet e LDK-së.

Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja.

Ai thotë se fitorja e VV-së ishte e pritur dhe shumë e dëshiruar nga qytetarët, të cilët janë lodhur me politikën spekulative, servile dhe degraduese.

Image
Fadil Lepaja

“Fitorja e LVV ishte e pritur, madje e dëshiruar shumë nga qytetarët e lodhur me politikën spekulative, servile dhe degraduese të udhëhequr në disa mandate nga klanet (para)politike dhe grupet e interesit informal. Ndërkohë që ndryshimet nga zgjedhjet e kaluara u ndalën si pasojë e presioneve të jashtme për koncesione në bisedimet me Serbinë dhe interesave grupore e personale të liderëve të cilët, në këtë apo atë formë e dominuan skenën politike të Kosovës tash 20 vjet”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, qytetari e fjetur, e përkundur dhe e vënë në gjumë me premtime e të gjithë u zgjuan në këto zgjedhje dhe e panë pozitën e Kosovës në rajon dhe gjendjen e mjerueshme në të cilën është.

“Qytetaria e fjetur, e përkundur dhe e vënë në gjumë me premtime, mediat e kontrolluara, apo me lëmoshat e garniturave që ndërroheshin por që ruanin të njëjtat qendra të vendosjes dhe individë në pushtet, u zgjuan përfundimisht në këto zgjedhje dhe e panë realisht pozitën e Kosovës në rajon dhe më gjerë, por edhe gjendjen e mjerueshme ku u soll”, ka vlerësuar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Ai shton se zgjedhjet i sollën fitore të thellë VV-së, PDK pati rënie më të vogël, ndërsa që shumica ikën nga LDK-ja për shkak të gabimeve të rënda të bëra nën presionin e z. Thaçi, ambasadorit Grenell, dhe të klaneve brenda LDK të cilat u rreshtuan pas këtyre interesave të cilat humbën terren në vet SHBA dhe në Kosovë gjithashtu.

“Votimi i fundit solli një fitore të thellë të LVV dhe të gjitha lojërat dhe manipulimet politike nuk arritën si të shpëtojnë partitë e tjera, të cilat kishin qeverisur në kombinime të ndryshme, nga një rënie e madhe. Përderisa rënie e PDK-së ishte më e vogël, pjesa më e madhe e elektoratit iku nga LDK, si pasojë e gabimeve të rënda të bëra nën presionin e z. Thaçi, ambasadorit Grenell, dhe të klaneve brenda LDK të cilat u rreshtuan pas këtyre interesave të cilat humbën terren në vet SHBA dhe në Kosovë gjithashtu”, ka theksuar Lepaja.

Sa i përket rënies që PDK-së që thotë se ishte e zbutur, Lepaja vlerëson se për këtë duhet falënderuar tejkalimin e konfliktit brenda partisë, pas shkuarjes në Hagë të dy liderëve të saj.

“Rënia e zbutur e PDK duhet falënderuar, tejkalimit të konfliktit të brendshëm në këtë parti, pas shkuarjes në Hagë të dy liderëve të saj, të cilët kohëve të fundit ishin gjetur në pozita të ndryshme lidhur me kufijtë dhe disa çështje rajonale”, ka potencuar ai.

Lepaja tutje thotë se fitorja e thellë VV-së ia mundëson formimin e qeverisë, në anën tjetër kemi debakël të LDK-së, e cila nëse nuk reformohet do të shuhet ose gëlltitet nga PDK-ja, ndërsa kemi rënie të kontrolluar të kësaj të fundit, e cila mund të rimëkëmbet në opozitë.

“Pra një fitore e thellë e LVV-së, e cila ja mundëson formimin e qeverisë me komoditet, ndërsa në anën tjetër kemi rënie të dy partive që e dominuan skenën politike për dy dekada, pra një debakël të vërtetë të LDK e cila nëse nuk reformohet shpejtë do të shuhet ose gëlltitet nga PDK-ja , dhe kemi një rënie të "kontrolluar" të PDK e cila vetëm tash në opozitë, nëse arrin të gjejë balancin e ri, do të "rimëkëmbet" vet”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat