Shansi i fundit për Serbinë, Amerika dhe Gjermania të prera për njohjen e Kosovës

Politika

Shansi i fundit për Serbinë, Amerika dhe Gjermania të prera për njohjen e Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 shkurt 2021 Në ora: 15:41
Joe Biden dhe Angela Merkel

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ende është i pezulluar.

Së fundmi, presidenti amerikan Joe Biden ishte ai i cili i dërgoi një letër presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhej ndër të tjera në letrën e tij.

Mirëpo, nuk është vetëm Biden i cili i ka bërë thirrje Serbisë për njohje reciproke.

Një thirrje e tillë është bërë edhe nga ministri i jashtëm gjerman Heiko Mass.

“Marrëdhëniet e pazgjidhura midis Serbisë dhe Kosovës kushtojnë shumë, për të dy palët. Një situatë e tillë, mbi të gjitha, ngadalëson zhvillimin ekonomik të të dy vendeve dhe kështu përfaqëson një frenim për të gjithë rajonin. Për të mirën e njerëzve, do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme të arrijmë një zgjidhje së bashku. Kjo përfshin vënien në dukje të avantazheve për njerëzit, në mënyrë që të inkurajojë guximin kolektiv për të pranuar sfidën e pajtimit të ndërsjellë. Rregullimi i këtyre marrëdhënieve të pazgjidhura, në fund të fundit, është një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, i cili do të bëhej kështu shumë më afër për Serbinë”, ka thënë ai.

Image
Sulejman Mehazi

Mehazi: Deklarata e Biden dhe Mass, japin shpresa se barikadat e dialogut që i bën Vuçiqi ndaj Kosovës të tejkalohen me zgjidhje përfundimtare

Lidhur me këtë temë, analisti Sulejman Mehazi, në një përgjigje për gazetën “Bota sot” ka thënë se si letra e presidentit amerikan Joe Biden, ashtu edhe kjo deklaratë e ministrit gjerman Heiko Mass, jep shpresa se barrikadat e dialogut që i bën Vuçiqi ndaj Kosovës, patjetër të tejkalohen me zgjidhje përfundimtare.

“Se viti 2021 do jetë vit i zgjidhjes së problemit në mes Kosovës e Serbisë, vit i shpresës së dialogut të dy shteteve fqinje tregoi edhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass, i cili seriozisht ia bëri me dije Serbisë, po edhe Kosovës se nëse duan të bëhen anëtarë të BE-së, ja shansi i prosperitetit social, ekonomik e ndërkombëtar i të dy shteteve, po me kushtëzime për njohje reciproke. Pas letrës së presidentit Joe Biden dërguar Serbisë për njohje reciproke ja dhe deklarata serioze e kushtëzuese për Serbinë nga ana e Ministrit të Jashtëm Gjerman, Heiko Mass, i cili jep shpresa se barrikadat e dialogut që i bën Vuçiqi ndaj Kosovës patjetër të tejkalohen me zgjidhje përfundimtare. Këto kushtëzime amerikane e gjermane na detyrojnë të mendojmë se Serbia e Vuçiqit do dorëzohet e do mposhtet para pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Mehazi.

Sipas tij, këto dy deklarata duken si të koordinuara me njëra-tjetrën, që i bie se SHBA dhe BE duan ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë problemin e dialogut të Serbisë me Kosovën.

“Letra e presidentit të ri të SHBA-së, Biden, dërguar Serbisë dhe deklarata e Ministrit të Gjermanisë, Heiko Mass, duken si të koordinuara njëra me tjetrën, SHBA-BE për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë problemin e dialogut të Serbisë me Kosovën. Pra, SHBA-ja e BE-ja do ta detyrojnë Serbinë të njoh Pavarësinë e Kosovës! Veprimet e fundit politike të brendshme e të jashtme diplomatike: eliminimi i Thaçit, letra e presidenti amerikan Biden dërguar Serbisë, deklarata e Ministrit të Jashtëm Gjerman dhe zgjedhjet e reja të 14 shkurtit, dëshpërojnë Serbinë e Vuçiqit, kurse Kosovën e ushqejnë me optimizëm të madh politik e diplomatik”, është shprehur Mehazi për “Bota sot”.

Shahu: Amerika e si duket edhe Gjermani, nuk pranojnë lutje, por kushte të prera

Ndërsa analisti politik, Rexhep Shahu, për “Bota sot” ka thënë se, me këtë deklaratë të ministrit gjerman Heiko Mass, Gjermania po shkon në gjurmë të Amerikës pasi edhe presidenti Joe Biden i ka kërkuar një gjë të tillë presidentit serb.

Image
Rexhep Shahu

“Unë besoj se Gjermania ecën në këmbë e në gjurmë të Amerikës sa i përket çështjes së Kosovës dhe zgjidhjes finale të çështjes së saj. Por besoj gjithashtu se Serbia që ka diplomaci të zhvilluar arrin të zvarrisë me sukses moszgjidhjen e çështjes me Kosovën, mos dakordësinë për Kosovën. Pala shqiptare e kurthuar me luftë e lakmi pushteti nuk e ka prioritet të parë zgjidhjen finale me Serbinë se sa ka prioritet pushtetin në Prishtinë. Presidenti amerikan Biden pothuaj i dërgoi Serbisë e presidentit Vuçiq po thuaj të njëjtën letër që i pati dërguar presidenti Trump, pa asnjë ndryshim duke provuar se vendimet e Amerikës ndaj Kosovës e Serbisë janë vendime të shtetit amerikan që është mbi partitë e mbi individët apo administratat”, ka thënë Shahu.

Më tej, ai shton se Serbia është ajo e cila nuk dëshiron të hyjë në BE sepse do që njërën këmbë ta ketë në Rusi, në Turqi e edhe në Kinë, por sipas Shahut kjo dinë Amerika nuk dinë të lutet e si duket edhe Gjermania do të implementojë gjuhën e amerikanëve, jo lutje, por kushte të prera.

“Amerika kërkon që Serbia të mos përparojë në udhëtimin drejt Evropës pa zgjidhë problemin me Kosovën. Të njëjtën gjë tani ia thotë edhe Gjermania përmes ministrit të saj. Por Serbia nuk do të hyjë në BE, do të ketë statusin e atij që vjel fondet e BE dhe nuk hynë në BE pasi do që njërën këmbë ta ketë në BE e këmbën tjetër ta ketë në Rusi, në Turqi e mundësisht në Kinë. Evropa ka një kompleks ndaj Serbisë dhe sillet me tonë e gjuhë lutje, por Amerika nuk dinë të lutet e duket se edhe Gjermania do të implementojë gjuhën e amerikanëve, jo lutje por kushte të prera”, është shprehur ai;

Shahu vlerëson se sa i përket dialogut mes dy vendeve, nëse hyjnë në lojë fuqishëm amerikanët, çështja mund të zgjidhet shumë shpejt dhe mund të njihet Kosova nga organizmat botërore edhe pa e njohur Serbia si shtet.

“Evropa ka bërë e bën pa Serbinë, por Serbia nuk bën pa Evropën, nuk bën pa fondet e Evropës sepse Rusia nuk e ka fuqinë e asnjë prej shteteve kryesore të Evropës. Nuk besoj se do te konkretizohet shpejt dialogu mes Kosovës e Serbisë për arsye se Serbia do te shmanget, do të rrisë kërkesat e përfitimeve. Por nëse hyjnë në lojë fuqishëm Amerikanët, çështja mund të zgjidhet shumë shpejt dhe mund të njihet Kosova nga organizmat botërore edhe pa e njohur Serbia si shtet”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat