Vjosa Osmani presidente, fakt i kryer

Politika

Vjosa Osmani presidente, fakt i kryer

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 shkurt 2021 Në ora: 13:11
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Kandidatja e iniciativës “Guxo” në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani, përveç thyerjes së rekordit për numrin e madh të votave që ndonjë lider partiak ka marrë ndonjëherë në zgjedhje (pas shpalljes së pavarësisë), është afër që të zyrtarizohet edhe si presidente e vendit.

Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë si e vetme të krijojë të gjitha institucionet, pasi që siç raportohet deri tash, i ka numrat e mjaftueshëm, me dy subjekte minoritare që të zgjedhin kryeministrin, kryeparlamentarin dhe presidenten.

Pra, fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit pretendon tri pozitat kryesore të vendit. Mandatari i Qeverisë, Albin Kurti, kryeparlamentar Glauk Konjufca dhe presidente Vjosa Osmani.

Nga iniciativa “Guxo” kanë bërë me dije se zgjedhja e Vjosa Osmanit për presidente të vendit tashmë është një fakt i kryer, jo pse ajo ka shpallur kandidaturën e saj për këtë pozitë, por se këtë kandidaturë ia legjitimuan qindra mijëra qytetarë në zgjedhjet e fundit.

E, përderisa fituesit e zgjedhjeve ndihen komod, nga Partia Demokratike e Kosovës, mendojnë se në këtë fazë shumë më me rëndësi është certifikimi rezultatit zgjedhor dhe konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Rejhan Vuniqi: Zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente, fakt i kryer!

Ish-zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, aktualisht anëtare e iniciativës “Guxo”, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se zgjedhje e kandidates së tyre për presidente të vendit tashmë është një fakt i kryer.

Vuniqi shprehet se vendi meriton një presidente sikurse Vjosa Osmani.

Ajo madje Osmanin e quan një figurë unifikuese, kredibile dhe me fuqi jashtëzakonisht të madhe.

Image
Rejhan Vuniqi

“Zgjedhja e Vjosa Osmanit për të paren e vendit tashmë është fakt i krye, jo vetëm pse ajo ka shpallur kandidaturën e saj për këtë pozitë, por këtë kandidaturë ia legjitimuan qindra mijëra qytetarë me votën e tyre dhe mbështetjen e pa rezervë që i dhanë më 14 shkurt. Ky vullnet dhe kjo dëshirë e qytetarëve të Kosovës patjetër se do të bëhet realitet. Kosova e meriton një presidente sikur Vjosa Osmani, një figurë unifikuese, kredibile dhe me fuqi jashtëzakonisht të madhe politike”, ka thënë Vuniqi, për gazetën “Bota sot”.

E pyetur se si do të sigurohen votat e nevojshme për ta bërë Osmanin të parën e vendit, ajo ka deklaruar se sigurimi i 2/3 në Kuvendin e Kosovës nuk do të paraqes ndonjë problem apo pengesë të radhës.

“Votat e nevojshme për emërimin e Vjosa Osmanit për të parën e vendit janë siguruar më 14 shkurt, kur edhe u votua masivisht lista e përbashkët VV-Lista Osmani. Është mese e qartë se nevojitet prezenca e 2/3 të deputetëve në sallë për të cilën mendoj se as kjo nuk do të paraqes ndonjë problem apo pengesë të radhës, pasi që çdo vendim tjetër i partive politike do ta dërgojë Kosovën në zgjedhje tjera dhe kjo besoj nuk i konvenon askujt, e më së paku partive politike dhe qytetarëve të Kosovës që tashmë janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta, e sidomos tani kur ende jemi duke u ballafaquar me pandeminë”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo lidhur me zgjidhjen e çështjes së postit të presidentit ka nënvizuar se duhet një diskutim paraprak me partitë tjera politike në parlament, si dhe një konsensus i plotë dhe pa kushte.

“Kërkohet diskutim paraprak me partitë politike në parlament dhe një konsensus i plotë dhe pa kushte, gjithmonë duke marrë parasysh të mirën e vendit dhe qytetarëve të saj, por edhe për një imazh pozitiv që do të shfaqte Kosova në rajon dhe më gjerë”, ka theksuar Rejhan Vuniqi.

Bytyçi: PDK ende nuk e ka diskutuar çështjen e presidentit

E zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se për Partinë Demokratike të Kosovës, në këto momente shumë më me rëndësi është certifikimi rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të 14 shkurtit, dhe konstituimi i Kuvendit.

Image
Avni Bytyçi

“Për Partinë Demokratike të Kosovës në këtë fazë është shumë më rëndësi certifikimi rezultatit zgjedhor dhe konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Qeveria duhet të formohet sa më parë për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve që kanë pritje të mëdha”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, për “Bota sot”.

Ndërsa, ka treguar se partia e tij edhe me tej nuk e ka diskutuar çështjen e presidentit.

“Sa i përket zgjedhjes se Presidentit/tes, Partia Demokratike e Kosovës ende nuk e ka diskutuar këtë çështje”, ka treguar për “Bota sot”, Avni Bytyçi, zëdhënës i PDK-së.

Latifi: Ardhja e Haradinajt në qeverisje me Kurtin e Osmanin krijon konflikt

E, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Haki Latifi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se nuk është punë e opozitës zgjedhja e presidentit.

Sipas Latifit, e tërë përgjegjësia lidhur me çështjen e presidentit në këtë kohë i takon vetëm fituesit të zgjedhjeve.

Image
Haki Latifi

“Në zgjedhjet e 14 shkurtit qytetarët e Kosovës votuan më tepër për liderin se sa për programin e partive. Duke marr secili përgjegjësinë e tij individuale e kushtetuese për zhvillimin e vendit dhe krijimin e kushteve të barazisë, ligjit dhe të drejtave të barabarta për secilin, pa dallime sociale e privilegje. Mendoj se për zgjedhjen e presidentit/es, në fillim qytetarët-votuesit presin që VV-ja do ta bëjnë a po e bëri kuorumin për zgjedhjen e presidentes nëse Osmani është kandidate. Dihet se Vjosa Osmani me premtimet e saja personale të listës “Guxo” e strehuar nën ombrellën e VV-së, e cila kishte kauzë të saj zbulimin e të vërtetës të të vrarëve nga Serbia duhet të betohet se pa gjetur atë të vërtetë nuk ka dialog me Serbinë”, ka thënë fillimisht Latifi.

Latifi, po ashtu ka folur edhe për dosjet e fundit, gjë për të cilat thotë se tash varet nga mënyra se si Osmani do të pozicionohet ndaj dosjeve të publikuara së fundi.

“Këto ditë dolën disa fakte në media për vrasjet politike të pas luftës. Ku Osmani rastin e ka dhe këtë problem, duhet të gjejë dhe të zbuloj të vërtetën e vrasjeve të zyrtarëve të LDK nga partia ku ka hyrë si ushtare. Ndërsa, tash vrasësit i ka në selinë e VV-së, dhe me pak përpjekje ndoshta mund t’i identifikojë me gishtin tregues. Kuptohet se tash varet nga mënyra se si znj. Vjosa me listën e saj, do të pozicionohet ndaj fakteve të qarta të dosjes së UNMIK-ut që provon se së paku tre ekzekutime janë kryer me të njëjtën armë, nga të njëjtët autorë që kanë qenë truprojat e të dyshuarit, Rexhep Selimit, drejtuesit të lartë të Vetëvendosjes. Po ashtu, krijimi i një qeverie të re pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-së, do të kërkojë një koalicion që VV-në me listën e Osmanit të marrë 61 deputetë nga 100 vende në parlament. Nëse VV-ja do të duhet të ketë koalicion, më afër VV-së dhe Kurtit ka qenë Haradinaj, i cili është shprehur se është i hapur për koalicion”, tha Latifi.

Në fund, sa i përket postit të presidentit, Latifi është shprehur se ardhja e Haradinajt në qeverisje me Kurtin e Osmanin, krijon konflikt lidhur me postin për të parin e shtetit.

“Por, ka një konflikt në këtë mes, pasi Kurti e Osmani do të marrin një pjesë të votave të minoritetit, jo atij serb, i cili do të jetë në Kuvend. Ardhja e Haradinajt në qeverisje me Kurtin e Osmanin krijon konflikt për presidentin dhe kjo i shton dilemat, kuptohet nëse nuk ndërhyn edhe faktori ndërkombëtar. Njëherësh nuk është obligim i opozitës për të siguruar kuorumin për të zgjedhë presidentin. Qytetarët e Kosovës sigurisht që nuk e kanë harruar sa gazin lotsjellës në të kaluarën e afërt, e kanë shpërnda LVV-ja, për mos me i lënë të funksionojnë institucionet e mos të flasim për kuorum. Mendoj se nuk është punë e opozitës zgjedhja e Presidentit nëse nuk dalin me kandidatin e tyre për president as shumicën parlamentare”, tha krejt në fund, njohësi i çështjeve politike, Haki Latifi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat