Skandali me hartën e Kosovës, kërkohet largimi i Lajçakut – Ja kush duhet ta zëvendësojë atë

Politika

Skandali me hartën e Kosovës, kërkohet largimi i Lajçakut – Ja kush duhet ta zëvendësojë atë

Nga: A.Morina Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 22:26
Mirosllav Lajçak

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është një nga emrat më të përfolur ditët e fundit në Kosovë.

Kjo, pasi Lajçak u shfaq në një intervistë, ku prapa tij kishte një hartë në të cilën Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë.

Natyrisht që ky veprim u cilësua si skandaloz dhe si një lloj përkrahje e Lajçak për shtetin e Serbisë.

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca gjatë një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar këtë skandal të emisarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Image
Mirsad Voca

Voca tha se me këtë veprim të Lajçakut, kuptohet se qëndrimet e tij në raport me Kosovën dhe Serbinë nuk janë neutrale. Ai përmendi edhe faktin se Miroslav Lajçak vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën, Sllovakia.

“Nëse M. Lajçak mban në zyrë një hartë të tillë, e cila u arsyetua disi nga zyrtarë të BE-së, duke konsideruar që kjo nënkupton se qëndrimi i tij nuk është neutral, aq më tepër kur ky vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën për arsye po ashtu jo neutrale, besoj se Kosova ka të drejtën që të mos pajtohet që Z. Lajçak dhe as ndokush tjetër nga vendi i tij që të delegohet për dialog për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në këtë rast, normalizim marrëdhëniesh do të nënkuptonte dy shtete që do gjejnë mënyrën e duhur për të mbyllur çështje fqinjësore që shpijnë drejtë një fqinjësie të mirë dhe afatgjate”, deklaroi Voca.

Në vazhdim, njohësi i integrimeve evropiane tha se ky skandal i Lajçakut shpërfaqi hapur preferencën e tij, për zgjidhjen finale të dialogun Kosovë-Serbi.

“Për shkak pikërisht të kësaj gafe diplomatike e cila shpërfaq qartazi preferencën në atë se si ai e sheh zgjidhjen finale, Kosova ka të drejtë të kërkoj nga BE zëvendësimin e M. Lajcak i cili vjen nga Sllovakia, shtet që nuk ka njohur Kosovën e që kjo e fundit bashkë me miqtë e saj do ia arrijë që të bind Sllovakinë për të bërë një gjë të tillë”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, Voca tha se pa humbur kohë, Kosova të paraqet qëndrimin dhe kërkesën për një të deleguar tjetër të BE-së. Ai tha se do të ishte e mirë që të angazhohej një individ gjerman apo skandinav duke pasur parasysh faktin që Gjermania ndaloi idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Prandaj, pa humbur shumë kohë në preferencat e Lajçak, do të ishte e drejtë që Kosova të kërkoj sqarim tek Institucionet e BE-së, dhe të paraqet qëndrimin dhe kërkesën për një të deleguar tjetër të BE-së. Besoj se do ishte e drejtë që të angazhohej një individ që vjen nga një shtet që ka njohur Kosovën dhe mundësisht gjerman apo skandinav duke pasur parasysh faktin që Gjermania ndaloi idenë e shkëmbimit të territoreve për të cilën ide M. Lajçak ishte pajtuar sepse nuk kishte shprehur kundërshti”, potencoi ai.

Në fund, Voca tha se faktin që ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është kundërshtuar nga Lajçak, përbën një arsye të fortë që ai të tërhiqet nga misioni i bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Si rrjedhojë, kjo përbën një arsye më tepër që M. Lajçak të tërhiqet nga ky mision sepse tani do kemi akterë të rinj të bisedimeve në Kosovë dhe jashtë saj, të rreshtuar kundër idesë së shkëmbimit territorial e cila u kundërshtua pikërisht nga vendet më të fuqishme të BE-së. Në fund, patjetër që Kosova duhet të jetë këmbëngulëse në këtë pikë sepse duke bërë lëshime të “vogla”, do të pasonin edhe ngjarje të mëdha të cilat do të mund ti krijonin dëme të pariparueshme shtetit të Kosovës”, përfundoi Voca.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat