Dorëheqjet e vonuara, eliminojnë zhvatësit nga skena politike

Politika

Dorëheqjet e vonuara, eliminojnë zhvatësit nga skena politike

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 27 shkurt 2021 Në ora: 08:42
Ilustrim

Nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, dolën në sipërfaqe probleme të ndryshme brenda partive politike në Kosovë.

Përveç kësaj, nga rezultati i dobët në këto zgjedhje pati edhe dorëheqje nga zyrtarë politikë, si dhe revoltime të ndryshme brenda tyre.

Menjëherë pasi e kumtuan lajmin për humbjen e thellë në zgjedhje, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryesia e kësaj partie dhanë dorëheqje, por të enjten LDK deklaroi se dorëheqje ka dhënë vetëm Mustafa dhe jo kryesia.

Por, dorëheqje nuk pati vetëm në LDK.

Për rezultatin e dobët, pati edhe dorëheqje edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Nga struktura e partisë ka dhënë dorëheqje Rasim Selmanaj, i cili ishte edhe kandidat për deputet. Ditë më vonë dorëheqje dha edhe Agim Zuzaku.

Ai deri më tani ishte kryetar i degës së AAK-së në Gjilan.

Mirëpo, këto dorëheqje po vlerësohen si të vona.

Sipas ekspertëve këto dorëheqje është dashur të jepen kur kanë filluar rëniet.

Dorëheqjet eliminojnë zhvatësit

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se qytetarët janë për ndryshme rrënjësore politike dhe se personalitetet e padëshiruara të partive humbëse, duhet sa më shpejtë të largohen e të zëvendësohen.

Image
Sulejman Mehazi

“Fitorja e madhe e Albin Kurtit gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit, dhe debakli i partive që kanë qeverisur pandërprerë shtetin duke u pasuruar vet, e në anën tjetër, pa mëshirshëm varfëruan qytetarët e Republikës së Kosovës deri në atë masë gjendjesh të mjerueshme, sa që, për të shpëtuar nga zhvatësit e plaçkitësit politik, qytetarët e Kosovës u detyruan të votojnë LVV-në për t'ua bërë me dije, se bollni më, se jemi për ndryshime radikale politike në Kosovë. Po ashtu, fitorja e madhe e LVV-së është një porosi e vetëdijes së votuesve se kaloi koha e politikanëve të papërgjegjshëm të cilët dërguan Kosovën në prag të greminës, e se qytetarët janë për ndryshime rrënjësore politike dhe se personalitetet e padëshiruara të partive humbëse duhet sa më shpejtë të largohen, për t'u zëvendësuar me frymë të re rinore të moralshëm, të ndershëm, të ditur e me tabanë kombëtare e shtetërore që do ia duan të mirën Kosovës e qytetarëve të saj”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Mehazi ka shtuar se me dorëheqjet e tyre radhën e kanë të eliminohen nga skena politike edhe zhvatësit e LDK-së, PDK-së e AAK-së.

“Partitë humbëse të LDK-së, PDK-së e AAK-së që njëzet vjet radhazi qytetarët votues i konsideronin si "shtazë njerëzore" për t'i shfrytëzuar, tani e tutje nuk do t'i kenë këto privilegje sepse janë bërë të neveritshëm, të pa autoritetshëm e të gërditshëm para qytetarëve të Kosovës. Gjykata Speciale e Hagës eliminoi Hashim Thaçin e Kadri Veselin nga skena politike, pas fitores së thellë të Albin Kurtit, me dorëheqjet e tyre radhën e kanë të eliminohen nga skena politike edhe zhvatësit e LDK-së, PDK-së e AAK-së: Isa Mustafa, Lutfi Haziri, Agim Veliu e tj. Enver Hoxhaj me kllapën e tij të PDK-së dhe Haradinaj me miqtë e tij të AAK-së, Ramushi nuk do ishte keq të shkonte në FSK-në për t'ua marrë Çakorrin malaziasve”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Ai ka përmendur se si janë trajtuar votuesit gjatë zgjedhjeve.

“Nuk mund ta udhëheqin Republikën e Kosovës politikanët të cilët njëzet vjet pandërprerë, gjatë zgjedhjeve lokale e parlamentare, votuesit e tyre i kanë konsideruar si "shtazë njerëzore" për t'i shfrytëzuar deri në palcë”, ka vlerësuar Mehazi për “Bota sot”.

Krasniqi: Tani kanë filluar reformat brenda partive

Ndërkaq, analisti politik, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se kur është dashur të ndodhin këto dorëheqje.

Image
Islam Krasniqi

“Moralisht është dashur të japin dorëheqje që nga momenti kur ka filluar rënien e elektoratit duke bërë edhe reforma brena partisë së tyre, e jo t'i bien partitë deri në një gjendje të mjerueshme duke ikur nga mediat të skuqur për gjendjen aktuale që kanë sjellur në parti”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Krasniqi ka treguar se çfarë ndodh brenda partive politike.

“Kjo klasë politike është mësuar që gjithçka të lidhet për liderin e partisë, ku edhe anëtarët është dashur të punojnë dhe mendojnë si lideri i tyre, duke e vrarë demokracinë apo mendimin e lirë. Kjo klasë politike po harron se mendimi ndryshe brenda partisë është vlerë e cila edhe rritë vlerën dhe elektoratin e jo t'i djegin apo të mos ju dhënë hapësirë atyre që duan ndryshe”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Krasniqi ka shtuar se partitë politike kanë filluar reformat dhe se kanë filluar t`i ftojnë edhe ata të cilët i larguan.

“Për këtë mund t'i fajësojmë edhe mediat të cilat rrinë gjithmonë gati të publikojnë një mendim ndryshe duke e akuzuar së ka çarje brenda partisë dhe janë afër ndarjes së partisë. Tani e kanë kuptuar së mendimi ndryshe është demokraci e që tani kanë filluar edhe reformat brenda partisë duke ju bërë ftesa edhe atyre që dikur i larguan pse po mendonin ndryshe nga lideri i tyre”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

Duhanaj: Nuk ka pasur ndryshime thelbësore

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se përkundër që listat zgjedhore kanë qenë të hapura, nuk ka pasur ndryshime thelbësore.

Image
Leon Duhanaj

“Përmes proceseve zgjedhore në Kosovë, me lista të hapura, vazhdimisht kemi pasur ndryshime në përfaqësimin e partive parlamentare. Megjithatë në këtë kontekst, nuk kemi pasur edhe ndryshime thelbësore qoftë kualitative në përfaqësimin parlamentarë, qoftë edhe në përfaqësimin partiak”, ka thënë ai.

Duhanaj ka shtuar se në vend më shumë votohet nga imponimet e ndryshme se sa nga përformaca.

“Kjo ndodhë, pasi që në Kosovë shumë rrallë njerëzit votojnë duke vlerësuar performancën e individëve që i votojnë. Në vend të kësaj kemi votime të imponuara në forma të ndryshme, qoftë përmes ndikimit të rrethit, qoftë përmes klientelizmit, qoftë edhe si pasojë e frymës së krijuar mediatike siç ishin këto të fundit”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Më tej, ai ka treguar se çfarë i duhet kandidatëve të cilët kandidojnë për deputet.

“Në Kosovë, kandidatet, për t'u votuar, përpos që duhet të kenë promovimin e sigurt nga subjektet përkatëse, kërkohet edhe investim në krijimin e mekanizmave të cilët shërbejnë në krijimin e opinionit dhe frymës fituese për kandidatin. Kjo nënkupton se një i zgjedhur nuk garanton edhe për përfaqësim kualitativ, pasi që kundërshtari i denjë i tij, nuk ka qenë financiarisht i përgatitur që të konkurrojë", ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat