Kur do të formohet qeveria Kurti 2? Politologu jep përgjigjen

Politika

Kur do të formohet qeveria Kurti 2? Politologu jep përgjigjen

Nga: P.R Më: 3 mars 2021 Në ora: 18:35
Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njeherit edhe kandidat për kryeministër, Albin Kurti ka deklaruar se partia e tij i ka votat për të formuar Qeverinë e re pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Do të jemi aty rrotull 60 deputetëve. Me siguri do ta kemi deputetin e komunitetit egjiptian Elbert Krasniqin, me siguri do ta kemi deputeten e komunitetit boshnjak, Emilia Rexhepi, do t’i kemi edhe disa të tjerë. Na nevojiten 61, do ta kalojmë numrin 61. Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër sepse populli e do të renë. Populli e ka bërë prerjen, nuk e kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, ka thënë Albin Kurti.

Po kur mund të formohet qeveria Kurti 2?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur politologu, Gurakuç Kuçi.

Image
Gurakuç Kuçi

“Qeveria e re “Kurti 2” do të jetë e mundur të krijohet shumë më shpejt duke pasur parasysh rezultatin e zgjedhjeve, sepse herën e kaluar pajtimi për koalicion në mes LVV-LDK e tejzgjati. Herën e kaluar procesi i certifikimit të zgjedhjeve u tejzgjat po ashtu për shkak të votave të kontestuara nga jashtë vendit”, thotë politologu Kuçi.

“Tani këto dy çështje nuk ekzistojnë më edhe pse nuk e dimë si do jetë puna me ankesat e komuniteteve minoritare joserbe”, shton Kuçi për “Bota sot”.

Më tej, ai ka treguar arsyen pse Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta ketë problem krijimin e Qeverisë.

“LVV-ja nuk do e ketë problem krijimin e Qeverisë me apo pa përkrahjen e gjithë deputetëve minoritarë, sepse mjafton edhe vetëm pesë prej tyre ta përkrahin duke pasur parasysh manipulimin e Serbisë që e ka bërë me votat serbe duke i orientuar tek disa parti joserbe që mund të jenë vasal të Serbisë”, thekson Kuçi.

Ai shton se deputetët minoritar jo serbë që do ta votojnë qeverinë Kurti, mund të rreshtohen më vonë përkrah Listës Serbe.

“Megjithatë, nëse mandatet e manipuluara dhe të fituara me votat e serbëve nga disa pjesëtarë të komunitetit minoritar joserb miratohen, besoj se ata do e votojnë qeverinë Kurti2 në mënyrë që ta shpërfaqin në fillim pavarësinë e tyre nga Lista Serbe. Mirëpo, më vonë ata do rreshtohen me Listën Serbe në çështje tjera”, thekson politologu Kuçi.

Edhe zgjidhjen e Vjosa Osmanit presidente, Kuçi nuk e sheh aspak problem.

“Problemi më i theksuar do jetë tek çështja e presidentit që megjithatë duke pasur parasysh rrethanat e dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit dhe deklaratat së fundmi nga Palmer e Lajçak, nuk do jetë ndonjë sfidë e pakalueshme”, përfundon për “Bota sot”, politologu Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat