Mesazhet e Lajçakut si retorikë e përsëritur, Osmani dhe Kurti ia bënë të qartë për marrëveshjen

Politika

Mesazhet e Lajçakut si retorikë e përsëritur, Osmani dhe Kurti ia bënë të qartë për marrëveshjen

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 mars 2021 Në ora: 16:46
Vjosa Osmani dhe Miroslav Lajçak

Emisari i BE-së për ndërmjetësimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka qëndruar për vizitë tre ditore në Kosovë.

Ai në Kosovë erdhi me qëndrimin e njëjtë për çështjen e dialogut, pasi që Albin Kurti, i cili është edhe fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka vendosur dy prioritete të qeverisjes së tij, drejtësinë dhe punësimin. Kurse, për dialogun Kurti është shprehur se është i rëndësishëm por jo prioriteti i parë i qeverisë së tij.

E për këtë, Lajçak ka takuar të gjithë liderët e partive në Kosovë, duke nisur nga Albin Kurti.

Ai për liderët e partive në Kosovë ka pasur disa porosi të qarta se, që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të, tashmë me administratën Biden kanë marrëdhënie më të afërt, BE do të mbështet vendet e reja të punës e luftimin e korrupsionit, vazhdimin e dialogut dhe unitetin politik mes partive në Kosovë sa i përket dialogut.

Por analistët vlerësojnë se vizita e Lajçakut në Kosovë dhe porositë që dha ai ishin veçse një retorikë.

Image
Mirsad Voca

Voca: Lajçak nuk tha asgjë të re, përveç se ripërsëriti të njëjtën retorikë

Doktori i shkencës dhe ligjëruesi i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca për “Bota sot” ka thënë se, Lajçak u ngut me këtë vizitë në Kosovë, sidomos pas skandalit me hartën që e paraqiste Kosovën si pjesë të Serbisë, për të zbutur zërat kritikues sa i përket jobesueshmërisë dhe qëndrimit të tij joneutral ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, Lajçak do të duhej të zëvendësohej nga BE me ndonjë figurë që vjen nga vendet që kundërshtuan idenë e këmbimit territorial.

“Pas skandalit me hartën Lajçak u ngut disi për këtë vizitë në Kosovë për të zbutur sadopak zërat kritikues ndaj tij, ani pse gafa e tij mbetet një pikë reference sa i përket jobesueshmërisë dhe qëndrimit të tij joneutral ndaj dialogut Kosovë-Serbi. Personalisht, besoj se Lajçak do të duhej të zëvendësohej nga BE me ndonjë figurë që vjen nga vendet që kundërshtuan idenë e këmbimit territorial. Megjithatë, ky i fundit me vizitën e tij, orvatet për të shtyrë një marrëveshje Kosovë Serbi, e cila mund të na shfaqet sa e ngutshme po aq e dëmshme. Fatmirësisht, atij iu bë mjaft e qartë, nga u.d e presidentit, V. Osmani dhe kryeministri në ardhje Albin Kurti se Kosova nuk diskuton për asnjë marrëveshje që bie ndesh me frymën e saj kushtetuese. Tani, Lajçak, pozicioni i të cilit tashmë na shfaqet i hapur, nuk tha asgjë të re por që erdhi për të vënë kontakt direkt me interlokutorë të rinj në Kosovë lidhur me dialogun Kosovë Serbi”, ka thënë Voca.

Sipas tij, në emër të marrëveshjes me Serbinë, Kosova edhe pse ka pasur premtime për Kosovën, ajo vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan.

“Në emër të një marrëveshje finale me Serbinë, Kosova ka pasur premtime pa ndërprerë, duke u nisur nga liberalizimi i vizave dhe investime në fusha të ndryshme, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan. Prandaj, nuk është e shëndoshë që Kosova tu besojë atyre premtimeve pa veprim konkret nga ana e BE-së”, ka deklaruar ai.

Tutje, sa i përket porosive që Lajçak u dha liderëve të Kosovës, Voca thotë që nuk tha asgjë të re përveç se ripërsëriti të njëjtën retorikë, këtë herë ndaj akterëve të ndryshëm në Kosovë.

“Kosova do të jetë e zonja që të luftojë korrupsionin vet brenda saj sepse ka mjaft potencial ta bëjë këtë dhe dialogu me Serbinë nuk do të duhej fare të ndërlidhet me zhvillimet e politikave të brendshme të Kosovës. Lajçak, nuk tha asgjë të re përveç se ripërsëriti të njëjtën retorikë këtë herë ndaj akterëve të ndryshëm në Kosovë, me të cilët ai e kuptoi mjaft qartë se nuk do të jetë më asnjëherë si më parë sepse tani Kosova din çfarë dëshiron dhe nuk ka kohë të humbë së fokusuari në atë se çfarë një ndërmjetësues i skaduar si Lajçak ofron në emër të BE-së. Në mënyrë që roli i Lajçak si ndërmjetësues të jetë simbolik, do të sugjeroja që Qeveria në ardhje të krijojë kanale të rregullta komunikimi me Berlinin, Parisin si dhe Londrën, aq më tepër kur kemi parasysh që politika e jashtme e BE-së ende mbetet për tu konsoliduar”, ka përfunduar Mirsad Voca për ”Bota sot”.

Krasniqi: Lajçak kërkon nga Kosova që të bëjë kompromise, më parë kishte thënë se kushtetutat nuk janë bibla dhe mund të ndryshohen

Image
Islam Krasniqi

Kurse, njohësi i çështje politike Islam Krasniqi, për “Bota sot” shprehet se kjo vizitë ishte për Albin Kurtin, i cili kishte deklaruar se dialogu nuk do të jetë prioritet as i parë dhe as i dytë.

“Vizita e Lajçakut në Kosovë ishte vazhdimësi e asaj që ishte herëve tjera për të diskutuar rreth vazhdimit të dialogut, pasi që z. Kurti ka thënë së nuk është prioritet dialogu për qeverinë e tij. Tani Administrata Biden i ka rregulluar raportet me BE-në e që në të ardhmen mund të kenë edhe mendime të njëjta lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, të cilat presin nga qeveria në ardhje edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin, dukuri e cila e ka lënë vendin tonë të izoluar”, ka potencuar Krasniqi.

Derisa për mesazhet e Lajçak rreth dialogut, ai thotë se emisari dëshiron që këtë proces ta mbyllë në mandatin e tij.

“Të gjithë e dinë se qeveria në ardhje nuk mund të bëjë mrekulli, por të paktën mund të bëjë reforma në administratë gjithashtu edhe Vettingun, i cili ka pasur nevojë moti të vihet sidomos në sistemin e drejtësisë. Mesazhi i Lajçakut ishte se dialogu duhet të jetë prioritet për qeverinë Kurti, pas që ai dëshiron që ta mbyll këtë çështje gjatë mandatit të tij, duke kërkuar nga Kosova që të bëjë kompromise, pasi që ai kohë më parë kishte thënë se kushtetutat nuk janë bibla mund të ndryshohen”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Ndryshe, Lajçak pas vizitës në Kosovë ka vazhduar vizitën në Serbi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat