Skandali me blerjen e votave/ Analisti kërkon hapjen e të gjitha kutive ku dyshohet për manipulim

Politika

Skandali me blerjen e votave/ Analisti kërkon hapjen e të gjitha kutive ku dyshohet për manipulim

Nga: A.Morina Më: 7 mars 2021 Në ora: 16:10
Foto ilustrim

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit u mendua se përfunduan me një organizim dhe proces demokratik. Mirëpo, këtë gjë po e hedhin poshtë skandalet e manipulimit dhe blerjeve të votave nga kandidatët për deputet dhe komisionerët e zgjedhjeve.

Rasti i kandidates së AAK-së, Meliza Haradinaj-Stublla ngjalli reagime të mëdha, pasi dyshohet se ka blerë komisionerë me qëllim që votat e kandidatëve tjerë t’ia bartnin asaj.

Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar skandalet me blerjen dhe vjedhjen e votave në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Jashari tha se deformimi i votës së qytetarëve përmes vjedhjes ose blerjes së saj nuk është një dukuri e re në proceset zgjedhore të Kosovës.

“Dukuria e deformimit të vullnetit qytetar përmes vjedhjes ose më mirë thënë blerjes së votës nuk është e re tek proceset zgjedhore. Kemi parë shumë në të kaluarën e gjatë viteve, kjo dukuri ka ndryshuar formë por rasti i fundit tregon se nuk është eliminuar tërësisht”, deklaroi ai.

Analisti tha se këto raste të manipulimeve të votave kanë qenë prezente edhe më parë, ai madje përmendi edhe disa vjedhje të votave. Ku sipas tij, pastaj KQZ kishte iniciuar shumë raste në gjykata e dënime për manipuluesit e votës.

“Dikur kemi pasur raste të shumta kur votat janë vjedhur nga një subjekt në tjetrin varësisht nga ndikimi ose lidhjet që eksponent të fuqishëm të partive kishin me komisionerët të cilët emërohen nga vetë ata në emër të subjekteve politike. Na kujtohen rastet e vjedhjeve që njihen si "Vjedhje industriale", pastaj manipulimi me votat e gatshme siç njiheshin metoda e "Treni Bullgar" etj.”, theksoi Jashari.

Pas shumë kritikave dhe denoncimeve KQZ kishte arritur të përmirësonte sistemin duke bërë që të inicioheshin shumë raste në gjykata e dënime për manipuluesit e votës. Kjo si duket nuk ka mjaftuar dhe KQZ duhet seriozisht të mendoj që numërimin e votave në qendrën kryesore të numërimit ta bëje më transparente dhe më të sigurtë duke marrë praktikat më të mira në botë”, potencoi Jashari.

Në vazhdim, ai tha se duke i parë bisedat për blerje të votave, KQZ do të duhej urgjentisht që për shkak të kredibilitetit të procesit, të hapte secilën kuti ku dyshohet se ka pasur manipulime.

“Mendoj se rasti i denoncuar publikisht ku dëgjohen biseda për blerje votash nuk është i vetmi dhe ka edhe tjera raste. KQZ do të duhej që për hirë të kredibilitetit të procesit të hapte secilën kuti ku dyshohet se ka pasur manipulime, pasi me shumë se koha dhe shpenzimet që ndodhin me rinumërim, rëndësi ka besueshmëria ne procesin dhe secilit kandidat që mendon të bëjë kalkulime të tilla ti bëhet e qartë se për të fituar mandat duhet punë dhe besim qytetar e jo pazare e manipulime në tavolinë”, nënvizoi analisti.

Në fund, Jashari tha se gjykata në rast se e vërteton që një kandidat ka organizuar vjedhje të votave, do të duhej që t’ia ndalonte të merrte poste politike për tërë jetën.

“Në këtë mënyrë besoj se shumë intelektual të mirëfilltë do ti hynin garës për mandat deputeti sikur të besonin se nuk devijohet rezultati në tavolinë.

Gjykata, në rastet kur vërtetohet se një kandidat ka organizuar vjedhjen e votës do të duhej ti ndalonte atij kandidati të merrte post publik për të jetën”, përfundoi Shemsi Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat