Ëndrra e Haradinajt në sirtar, ambicia për president nuk e pranon ndëshkimin nga populli

Politika

Ëndrra e Haradinajt në sirtar, ambicia për president nuk e pranon ndëshkimin nga populli

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 15 mars 2021 Në ora: 08:10
Ramush Haradinaj, foto ilustrim nga "Bota sot"

U.D e presidentit, Vjosa Osmani, mori numër rekord të votave në këto zgjedhje.

Ajo mori 300 mijë vota, derisa kishte shpallur kandidaturën për presidente të vendit.

Por, ajo nuk është e vetmja që synon këtë post.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kishte shpallur kandidaturën shumë kohë më parë, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, vazhdon të ketë ambicie për këtë post.

Haradinaj ka marrë 40 mijë vota si kandidat, ndërsa AAK ka marrë 7.12 për qind.

Por, duket se rezultati i arritur me 14 shkurt, nuk po e bën atë që të heq dorë nga synimi i këtij posti.

Së fundmi, Haradinaj ka thënë se oferta e tij është që ai të jetë president dhe mund të diskutohet vetëm me këtë ofertë, në të kundërtën, AAK do të jetë opozitë.

“Nuk po flasim për pozita. Aleanca ka dalë në zgjedhje. Ka pasur një ofertë. Nëse dëshiron që dikush të flas me ne jemi të hapur. Ajo që dihet që nuk na e merr askush, opozitë jemi dhe do të jemi në shërbim të vendit”, ka thënë ai.

E për këtë ambicie të kreut të AAK-së, për gazetën “Bota sot”, kanë komentuar njohësit e çështjeve politike.

Lepaja: Haradinaj ka në dorë marrëveshjen me Listën Serbe ose 2 nga partitë shqiptare

Analisti Fadil Lepaja, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Haradinaj e di se nëse nuk bëhet zgjedhja e presidentit vendi shkon në zgjedhje të reja. Sipas tij, deklarata e Kurtit se nuk do të bëjë koalicion me ndonjërën nga partitë, ka bërë që PDK-ja, AAK-ja dhe LDK-ja të kërcënojnë me bojkotim të këtij procesi apo rënie të qeverisë.

Image
Fadil Lepaja

“Zoti Haradinaj e di se ka një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit dhe se në rast se kjo nuk ndodhë, atëherë vendi shkon detyrimisht në zgjedhje të reja. Natyrisht, një shumicë parlamentare e thjeshtë mund të zgjedhë presidentin nëse e ka kuorumin prej dy të tretash, pa të cilin nuk mund as të fillohet procedura formale e paraparë me Kushtetutë. Si duket, pas paralajmërimeve të zotit Kurti se nuk do të bëjë asnjë koalicion me ndonjërën nga tri partitë shqiptare të përfaqësuara në këtë legjislaturë, por atë do e formojë me komunitetet joshumicë dhe joserbe, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë filluar sërish të përmendin mundësinë e bojkotimit të këtij procesi, pra indirekt kërcënojnë me rënien e qeverisë dhe me zgjedhje të reja”, ka deklaruar Lepaja.

Më tej, ai ka theksuar se të gjitha partitë do të nxjerrin kushte që kanë të bëjnë me interesat e tyre. Sipas, Lepajës, Haradinaj nuk mund të bëjë kuorum por mund të ketë marrëveshje për këtë me Listën Serbe apo me dy partitë tjera.

“Në politikë çfarëdo mbështetje ka çmimin e vet dhe secila nga këto parti do të nxjerr kushtet e saj, të cilat nuk kanë të bëjnë detyrimisht me pjesëmarrje në qeveri, por gjithsesi ka të bëjë me interesa të tyre politike, ekonomike apo të çfarëdo natyre që çojnë peshë për ta. Z. Haradinaj, i vetëm, pra dhe me partinë e tij nuk mundet të bëjë këtë kuorum por me shumë gjasë ka në dorë letrën e ndonjë marrëveshje rreth kësaj, qoftë me Listën Serbe apo me ndonjërën nga dy partitë e tjera shqiptare. Përmendja e vazhdueshme e kësaj kërkese në media, është në fakt ofertë e zotit Haradinaj për Lëvizjen Vetëvendosje, dhe si e tillë vjen sërish pas përmendjes së mundësisë së bojkotit nga ana e PDK-së”, përfundoi Lepaja.

Burjani: Haradinaj me elektorat të vogël, por me ambicie të mëdha

Për njohësin e çështjeve juridike, Blerim Burjani, kjo i është bërë fiksim Haradinajt, sepse ai nuk ka kapacitet dhe ka elektorat të vogël.

Image
Blerim Burjani

“Kjo është dëshirë e tij dhe është lidhur për të në formë fiksimi, pa marrë parasysh se ai nuk ka kapacitet as personal por nuk ka as elektorat të vetin. Pra, edhe pse me pak elektorat të vogël, me ambicie të mëdha, kjo është e arsyeshme në politikën e Kosovës, mish-mash çdo gjë është e mundshme”, është shprehur Burjani.

Mehmeti: Ramushi nuk po arrin të pranojë ndëshkimin që populli i dha

Ndërsa sipas analistit politik, Faton Mehmeti, Haradinajt i ka munguar gjithmonë pragmatizmi në politikë, madje edhe tani që kërkon të bëhet president vet me 7%.

Image
Faton Mehmeti

Madje, Mehmeti e krahason atë me Don Kishotin.

“Ramushit i ka munguar gjithmonë pragmatizmi në politikë, nisur nga kjo edhe kërkon postin e presidentit edhe pse ka marrë vetëm 7 % të votave. Paramendo të zgjidhet dikush president me vetëm 7 % të votave dhe jo dikush që ka marrë 50 % të votave. Ramushi më ngjan me Don Kishotin, duke jetuar jashtë realitetit, bën veprime shpesh të marra e të cilat për njerëzit "normal" nuk është e pranueshme”, është shprehur ai.

Mehmeti ka shtuar se dëshira e tij për president nuk do t’i realizohet asnjëherë, madje ai nuk po arrin ta kuptojë as ndëshkimin që populli i dha atij, sepse populli i besoi votën vetëm Osmanit, e cila e vetme mori vota më shumë se e gjithë AAK-ja.

“Dëshira e Ramushit për president nuk do të realizohet kurrë, ajo do të mbetet vetëm ëndërr e mbetur nën sirtar. Është e drejtë e tij të kërkojë të bëhet president, edhe pse një politikan serioz duhet të jetë përgjegjës për realitetin, vetëm kështu tregon pjekurinë e mjaftueshme politike. Në gjykimin tim, Ramushi nuk po arrin assesi të pranojë realitetin, ndëshkimin që populli i dha jo vetëm atij, por edhe tërë klasës së vjetër politike. Vjosa është ajo të cilës populli ia besoi votën dhe vetëm Vjosa ka legjitimitet për të përfaqësuar qytetarët. Vjosa e vetme ka marrë vota sa 6 herë komplet AAK-ja, kjo flet mjaft qartë për diferencat e mëdha”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat